in

Programi “Angazhimi i Diasporës”. Çfarë parashikon

Prezantim i programit trevjeçar “Angazhimi i diasporës shqiptare në zhvillimin social dhe ekonomik të Shqipërisë” i financuar nga AICS-Agjencia Italiane e Bashkëpunimit për Zhvillim dhe i realizuar nga IOM-Organizata Ndërkombëtare për Migracionin në bashkëpunim me Qeverinë Shqiptare
Nga Gjergji Kajana

 

Programi 3-vjeçar “Angazhimi i diasporës shqiptare në zhvillimin social dhe ekonomik të Shqipërisë” po sheh hapat e parë të jetëzimit përmes prezantimit që po i bëhet këto ditë në Itali nga ekipi i IOM Shqipëri i përbërë nga Genci Pjetri e Manoela Lussi. i financuar nga AICS-Agjencia Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim, projekti sheh partneritetin e tre ministrive shqiptare (Diaspora, Evropa dhe Punët e Jashtme, Financa dhe Ekonomia) dhe zbatimin nga ana e IOM-it, agjencia e Kombeve të Bashkuara për Migrimin, programi synon të afrojë diasporën shqiptare të angazhohet në zhvillimin e vendit përmes transferimit atje të dijeve e aftësive ekonomike.

Projekti parashikon një program për angazhim afatshkurtër (“fellowship”) prej 3-5 muajsh për të përdorur këto aftësi. Aktiviteti mund të zhvillohet si në Shqipëri, si në distancë. Janë zgjedhur 5 persona kontakti në 5 rajone pilote italiane (Lacio, Piemonti, Toskana, Lombardia, Emilia-Romanja) të cilat, përmes shoqatave të diasporës e kontakteve personale, do të shpërndajnë informacionet mbi “fellowship”-in. Parashikohet një mbulim shpenzimesh prej rreth 500 eurosh për fituesit e përzgjedhur të “felloëship”-it.

“Angazhimi” synon fort nxitjen e anëtarëve të emigracionit të kthehen në agjentë zhvillimi për të shtuar investimet e punësimin në atdhe. Parashikohet për këtë qëllim zhvillimi e aktivizimi i platformës “Connect Albania”, e cila – nën shembullin e një platforme homologe irlandeze – synon të nxisë agjentë të zhvillimit të kontribuojnë në hapje ndërmarrjesh në Shqipëri. Agjentëve të zhvillimit do t’u njihet një bonus monetar nëse një vit pas hapjes së sipërmarrjes kjo rezulton ende operative dhe ka krijuar punësim. Platforma do t’u mundësojë investitorëve të ndjekin gjithë fazat e zhvillimit të investimit. Do të favorizohet modeli “start-up”, biznes i ri inovativ. Parashikohen financime deri në 10.000 euro për këtë lloj biznesi.

Programi parashikon të zhvillojë një hartë të dijeve dhe aftësive të diasporës dhe, më tej, t’i përputhë këto të dhëna me nevojat dhe përparësitë lokale në Shqipëri. Hartëzimi në Itali do të kryhet përmes shoqatave shqiptare të diasporës në pesë rajonet e sipërpërmendura. Pyetësorë specifikë për të bërë profilizimin e aplikantëve do të shohin të dhënat të përpunuara nga një ent ndërkombëtar përzgjedhur nga IOM.

Projekti “Angazhimi për diasporën” mbart në vetvete plot elementë interesantë në marrëdhëniet e shqiptarëve të emigruar me atdheun. Elementët janë: angazhimi shtetëror shqiptar për diasporën përmes mbështetjes nga tre ministritë, bashkëpunimi strategjik me Italinë, përvetësimi i nevojës së një marrëdhënieje ekonomiko-financiare si urë lidhëse mes dy anëve të Adriatikut. Gjithçka ndodh në një kuadër domosdoshmërie identitare të shqiptarëve të emigruar për të mbajtur lidhje me atdheun që shkojnë përtej vizitave për pushime e dërgesës së remitancave.

Historia e suksesit të emigracionit shqiptar e bën atë të jetë një antivirus ndaj ndjenjës anti-emigracion që përshkon shumë vende evropiane. Një projekt i këtillë mbetet një thirrje nga atdheu që mund e duhet të gjejë jehonë në diasporë, në kuadrin e një bashkëpunimi ekonomik e përvojash që ka plot gjasa për të qenë “win-win“.

Lexo edhe: Shqipëria thërret. Prezantohet në Torino dhe në Milano programi për angazhimin e Diasporës

Shqipëria thërret. Prezantohet në Torino dhe në Milano programi për angazhimin e Diasporës

Integra “adotta” la piazza Albania di Roma e il monumento di Giorgio Castriota Skanderbeg