Sipas të dhënave më të fundit të ISTAT-it, nga 458.151 fëmijët e lindur gjatë 2017-tës, 10.132 kanë të paktën njërin prind shqiptar. Gabriel e Amelia, emrat më të përdorur
Romë, 30 dhjetor 2018 – Në itali vazhdon të bjerë numri i lindjeve. Janë në rënie lindjet nga të gjitha llojet e çifteve, qoftë ato italiane, qoftë ato të përziera e qoftë ato të përbëra nga dy të huaj rezidentë në Itali. E thotë këtë raporti më i fundit i Institutit Statistikor Italian, ISTAT, mbi lindjet në Itali për vitin 2017 i botuar pak javë më parë.
Sipas të dhënave të këtij raporti, në vitin 2017 kanë lindur 458.151 vetë, mbi 15 mijë më pak se të lindurit gjatë vitit 2016 (kur kishin lindur 473.438 vetë), rreth 120 mijë më pak në krahasim me të lindurit në vitin 2008 (576.679 fëmijë).
Nga të lindurit e 2017-tës, kanë të paktën një prind të huaj 99.211 vetë (21,7%). Edhe kjo shifër është në rënie prej pesë vitesh: gjatë vitit 2016 numëroheshin 100.363 vetë, 100.766 të sapolindur në vitin 2015, 104.056 në vitin 2014, 104.100 në vitin 2013 dhe 107.339 në vitin 2012. Madje prej vitit 2008 për të parën herë numri i fëmijëve me të paktën njërin prind të huaj zbret nën 100 mijë. Në rënie edhe numri i të sapolindurve me të dy prindërit të huaj: gjatë vitit 2017 numërohen 67.933, ishin 69.379 në vitin 2016.
Përsa i përket komunitetit shqiptar, vërehet një rritje e lehtë e shifrave: kanë të paktën njërin prind shqiptar 10.132 të sapolindur të 2017-tës (gjatë vitit 2016 numëroheshin 9.882 fëmijë me paktën njërin prind shqiptar). Më në hollësi, nga raporti shihet që 7.273 fëmijë të sapolindur i kanë të dy prindërit shqiptarë (ishin 7.278 fëmijë në vitin 2016, 7.830 në 2015-tën), 1.007 kanë babanë shqiptar e nënën italiane (kundrejt 921 rasteve të vitit 2016 e 872 të vitit 2015) dhe 1.852 kanë nënën shqiptare dhe babanë italian (ishin 1.683 të lindurit gjatë 2016-tës e 1.427 të 2015-tës). Siç vërehet nga shifrat, rritja e numrit të lindjeve në komunitetin shqiptar përcaktohet nga shtimi i lindjeve nga çiftet e përziera që ka të bëjë edhe me faktin se shumë prej këtyre çifteve në të vërtetë janë të formuara nga shqiptarë, por njëri prej tyre ka marrë ndërkohë shtetësinë italiane. Madje mund të pohojmë që një numër gjithnjë e më i lartë të sapolindurish shqiptarë në Itali nuk identifikohen nga statistikat si të tillë. Është fjala për fëmijët e lindur nga çifte shqiptarësh, që tashmë kanë fituar që të dy shtetësinë italiane.
Ndërkohë në Shqipëri, gjatë 2017-tës kanë lindur 30.869 fëmijë (shifra më e ulët e regjistruar në Shqipëri që nga vitet ‘30 të shekullit të kaluar, kohë kur vendi filloi të mbajë statistika mbi lindjet dhe vdekjet). Fakti që në të njëjtin vit, vetëm në Itali kanë lindur mbi 10 mijë foshnje me të paktën një prind shqiptar, të lë të mendosh që lindin më shumë shqiptarë jashtë kufijve të Shqipërisë se brenda saj.
Gabriel e Amelia, emrat më të përdorur për të sapolindurit shqiptarë në Itali
Një detaj interesant që jep raporti mbi lindjet është ai i emrave që më shumë përdoren për të sapolindurit. Pak a shumë si vitet e fundit, emrat që hasen më shpesh për të sapolindurit e vitit 2017 janë Francesco, Leonardo, Alessandro për djemtë e Sofia, Giulia, Aurora për vajzat.
Për të huajt në veçanti, më të përdorurit, pak a shumë njësoj si gjatë viteve të fundit, rezultojnë Adam (428 të sapolindur janë quajtur kështu), David (292), Youssef (290), Rayan (283) për djemtë dhe Sofia (551) Sara (422), Emma (248), Aurora (245).
Preferencat e prindërve në zgjedhjen e emrave të fëmijëve, – mes tradicionalëve të kulturës së origjinës dhe atyre italianë apo perëndimorë – ndryshojnë sipas kombësive. Ata që më shumë se të tjerët zgjedhin për fëmijët e tyre emra perëndimorë e jo tradicionalë të kulturës së tyre janë kinezët që në Zyrat e gjendjes civile i regjistrojnë me emra si Kevin, Leonardo, Matteo, Alessio apo Emily, Elisa, Sofia, Angela. Krejt ndryshe sillen prindërit nga Maroku (Adam, Youssef, Rayan, Amirapo Sara, Malak, Amira, Aya), India, Tunizia apo Bangladeshi që zgjedhin për fëmijët e tyre kryesisht emra që janë të traditës së vendlindjes.
Shqiptarët bëjnë pjesë mes komuniteteve që për fëmijët e tyre zgjedhin emra perëndimorë. Mes dhjetë emrave të parapëlqyer prej tyre edhe vitin e shkuar nuk ka asnjë të mirëfilltë shqiptar. Më të shpeshtët mes të sapolindurve në Itali nga prindër shqiptarë janë Amelia (129 vajza të lindura vitin 2017), Aurora (127), Noemi (105), Emma (99), Emily (93), Gabriel (68 djem të lindur në 2017-tën), Mattia (68), Noel (64), Kevin (64), Enea (64).
Të mos keqkuptohemi, askush nuk vë në dyshim që do të ketë prindër që kanë quajtur bijtë e tyre edhe Gëzim apo Bujar, Teuta apo Arta, por janë të paktë. Madje nga një kontroll i shpejtë në faqen e posaçme “Quanti bambini si chiamano …?” të portalit të Institutit italian të Statistikave këta emra janë përdorur, por fëmijët me këta emra numërohen me gishtat e njërës dorë. Në të njëjtën faqe vëren, për shembull, se gjatë vitit të shkuar nuk është quajtur asnjë vajzë Drita apo Shpresa.
Për sa u përket emrave, duhet thënë se shqiptarët e Italisë nuk sillen ndryshe nga ata që jetojnë në Atdhe. Edhe në Shqipëri, sipas INSTAT-it, emrat më të përdorur gjatë vitit 2017 janë të huaj si Amelia, Ajla, Amelja, Aria, Leandra për vajzat e Noel, Aron, Joel, Roan e Amar e nuk gjen asnjë shqiptar mes dhjetë të parëve për vajza e djem.