in

Geri Zheji Ballo, zëri shqip në Torino

portret-geri.gif
portret-geri.gif
Prej një muaji tashmë, rreth 45 mijë shqiptarët që jetojnë në Piemonte kanë një mjet komunikimi më shumë, emisionin radiofonik “Shqip në Torino”. Ky është fryt i takimit mes disa ideve të Rino Cassese-s, botuesit të Radio Torino International, dhe ideve të gazetares së re shqiptare Gerarta Zheji Ballo. Transmetimi në gjuhën shqipe, tani për tani, përmban lajme veçanërisht mbi komunitetin shqiptar dhe muzikë shqiptare e mesdhetare dhe shtrihet në pesë orë e gjysmë në ditë. Përzgjedhja e lajmeve por edhe prezantimi në studio i emisionit bëhet nga Gerarta. Për miqtë Geri

geri-studio.gif

Në jetën e vet të pasur kulturore qyteti i bukur i Torinos ka ditur të përfshijë edhe të huajt, ashtu si edhe këta të fundit kanë gjetur brenda kësaj jete të pasur vendin e vet. Mes tyre, veçanërisht shqiptarët. Qyteti u jep atyre dhe ata qytetit. Kanë shoqata të ndryshme, me aktivitet të vazhdueshëm, si Vatra, një nga anëtarët e zellshëm të të cilës është edhe Benko Gjata, organizues i shumë e shumë evenimenteve; komuna u jep mundësinë të kenë një faqe internet me lajme e informacione në gjuhën shqipe, Qyteti i Torinos (me adresë www.comune.torino.it/sq/), që prej vitesh drejtohet nga gazetari shqiptar Blenti Shehaj dhe informon bashkatdhetarët mbi çështje që kanë të bëjnë me administratën lokale, ofron lajme e agjendë të veprimtarive në qytet.

Në Torino, shqiptarët organizojnë shpesh kuvende e konferenca, shfaqin filma shqiptarë apo mbi Shqipërinë, festojnë e përkujtojnë data të rëndësishme për Shqipërinë e Kosovën. Falë punës së tyre por pa dyshim edhe falë mbështetjes që gjejnë në autoritetet lokale, gjë që nuk ndodh në qytete të tjera të mëdha italiane si Roma apo Milano, e që jemi mësuar të gjejmë vetëm në realitete qytetesh të vogla.

Prej një muaji tashmë, rreth 45 mijë shqiptarët që jetojnë në Piemonte kanë një mjet komunikimi më shumë, emisionin radiofonik “Shqip në Torino”. Ky është fryt i takimit mes disa ideve të Rino Cassese-s, botuesit të Radio Torino International, dhe ideve të gazetares së re shqiptare Gerarta Zheji Ballo. Transmetimi në gjuhën shqipe, tani për tani, përmban lajme veçanërisht mbi komunitetin shqiptar dhe muzikë shqiptare e mesdhetare dhe shtrihet në pesë orë e gjysmë në ditë. Përzgjedhja e lajmeve por edhe prezantimi në studio i emisionit bëhet nga Gerarta (për miqtë Geri). Ajo është një vajzë e re, brune me sy të gjelbër dhe buzëqeshje të ëmbël. Ka jetuar fëmijërinë e saj në Tiranë, adoleshencën në Cuneo dhe sot jeton në Torino ku studion për Shkenca politike. Gerit, emërtimi ‘studente’ i rri vërtet shumë ngushtë: që kur është transferuar në Torino krahas studimeve ka punuar gjithmonë: jep mësim anglishteje, shkruan për redaksi të ndryshme lokale, ka krijuar një shoqatë ndërkulturore me emrin “Youthink” me të cilën realizon një sërë aktivitetesh kulturore, duke i kushtuar një vend të veçantë e të privilegjuar artit e kulturës shqiptare. Sepse Geri është nga ata të rinj aktivë që jo vetëm marrin pjesë në aktivitete mbi Shqipërinë, por i organizojnë ato. Edhe pse ka ardhur këtu e vogël në moshë, 11 vjeçe, ndihet shumë e lidhur me vendlindjen ku shkon disa herë në vit dhe që, për punët që bën, ndjek rregullisht përmes mediave zhvillimet e atjeshme.

E takuam para pak ditësh për të na treguar diçka më shumë për emisionin e saj “Shqip në Torino” dhe veten.

Bota Shqiptare: Ç’është “Shqip në Torino”?
Geri Zheji Ballo: Emisioni radiofonik “Shqip në Torino” është pjesë e programimit të Radio Torino International, një radio historike piemonteze, që sot, falë botuesit të saj Rino Cassese, u dedikohet plotësisht komuniteteve të të huajve në Piemonte e jo vetëm. Sot programimi i radios është i ndarë me zona: Amerika Qendrore dhe e Jugut, Kina, dhe zona e Mesdheut, ku përfshihet edhe Shqipëria. Si orë programimi, shqipja është gjuha në të cilën transmetohen më shumë orë, po aq sa në gjuhën rumune, dëgjuesit e të cilës përbëjnë komunitetin e të huajve më të madh të Piemontes.

geri-studio2.gifDrejton emisionin në studio. Kush merret me përzgjedhjen e lajmeve, vendos linjën editoriale të emisionit?
“Shqip në Torino” ka angazhimin tim të plotë, qoftë si gazetare që kërkon dhe përzgjedh lajmet, qoftë si spiker, e qoftë si regjisore. Dëgjuesve të radios u sjell çdo ditë lajme nga Shqipëria, Italia por edhe bota, duke zgjedhur ato lajme që dëshiroj të komentoj me ta. Ideja është të gjej lajme e argumente origjinale, apo, të paktën, të trajtoj argumente të njohura në këndvështrim të ri. E gjithë kjo për të shmangur atë ndjesinë e bezdisur “e kam dëgjuar njëherë”, sepse kush na ndjek në radio, është informuar ndërkohë me lajmet qoftë mbi Shqipërinë e qoftë mbi Italinë përmes internetit apo televizionit. Ndërsa, përsa i përket pjesës muzikore, tani për tani po përpiqemi të ndërtojmë një arkiv që të përmbajë nga pak nga të gjitha zhanret e muzikës shqiptare dhe në të ardhmen do të mund të zgjedhim oraret për t’i dedikuar çdo zhanri. Me arkivin po merret dj Rinis Damo, një djalë shqiptar 26 vjeçar, i cili që kur ka ardhur në Torino për të studiuar, u është përkushtuar edhe organizimeve të festave, të cilat mbushen me të rinj shqiptarë që zbulojnë kënaqësinë e vallëzimit nën ritmet e muzikës tradicionale të vendit të tyre, përveç asaj ndërkombëtare.

Kujt i drejtohet “Shqip në Torino” të rinjve shqiptarë që praktikisht janë rritur këtu, apo atyre më të mëdhenj në moshë, që ndoshta mund të quhen edhe emigrantët e mirëfilltë. Si ndikojnë këto dy profile të ndryshme dëgjuesish në përzgjedhjen e lajmeve, të muzikës?

Sot e kam të vështirë të kuptoj se cili prej këtyre dy grupeve ndjek më shumë programin. Padyshim mund të them që të rinjtë janë ata që marrin pjesë aktivisht më shumë, qoftë duke nisur sms në numrin 327 028 43 56, që unë lexoj menjëherë në transmetim, qoftë duke shkruar komente, konsiderata, apo edhe këshilla në faqen “shqip në Torino” që kemi në facebook.
Pjesa më e madhe e të rinjve kërkon të dëgjojë pjesë muzikore të reja, mundësisht nga ato që sapo kanë dalë në Shqipëri, ndërsa, kam përshtypjen, që brezi më i madh në moshë do të dëshironte të dëgjonte këngët “e vjetra”, në versionet e tyre origjinale, jo të riarranxhuara e as të kënduara nga këngëtarët e rinj. Këto preferenca divergjente bëhen, sidoqoftë, shkas për të ndërtuar një program sa më të pasur të jetë e mundur, që të ketë në qendër ndërveprimin me publikun.

E si ka shkuar ky muaj i parë? A tregohet i interesuar publiku të ndërhyje në transmision?
Gjatë këtij muaji të parë programimi jemi përpjekur të ndërtojmë nga hiçi një marrëdhënie me publikun, që fillimisht dukej pak i ndrojtur. Me kalimin e javëve, kemi arritur një mirëkuptim e ngrohtësi të ndërsjellë: dëgjuesit më kërkojnë tani që të kenë mundësi të marrin pjesë në transmision duke zgjedhur vetë pjesët muzikore, sipas modelit “një këngë për ty”, apo edhe duke propozuar një temë për ta diskutuar së bashku. Madje, çdo ditë, nuk mungojnë mesazhet e urimeve për miq e të afërm, por edhe përgëzimet për programin. Pa lënë pas dore temat serioze dhe aktualitetin. Një argument që shoh se po ngjall shumë komente është, për shembull, ai i hyrjes së Shqipërisë në BE, që ndez edhe debatet për liberalizimin e vizave, për çastin më të përshtatshëm për pranimin e vendit tonë në familjen evropiane dhe për pasojat e mundshme mbi shqiptarët që jetojnë në vende të ndryshme evropiane.

Kur ke ardhur në Itali?

Sapo kam mbaruar klasën e pestë, një fillimvere erdha në Itali përmes bashkimit familjar me mamanë, që ndërkohë punonte në Cuneo prej disa vjetëve. Gjatë muajve të verës pata mundësi të ambientohesha me qytetin tim të ri, me gjuhën, duke ndjekur oratorion salezian. Në vjeshtë fillova shkollën dhe kështu nisa jetën time të re kuneze…
Kalova në Torino kur fillova studimet në fakultetin e Shkencave politike me drejtim Studimet Ndërkombëtare. Ndërkohë nisa edhe të punoj për të mbajtur veten ekonomikisht: fillimisht fillova të jap mësim anglishteje në kurset e organizuara nga Krahina. Më pas, nisa të shkruaj për redaksi gazetash e faqesh internet. Mes shumë mediave për të cilat vazhdoj të shkruaj edhe sot më pëlqen të përmend digi.to.it, komunitetin e të rinjve të Torinos dhe redaksinë torineze të blogut në gjashtë gjuhë Cafébabel. Janë dy ambiente pune të rinjsh e plot jetë që më kanë mundësuar të mësoj shumë. Kështu siç më ka rritur shumë profesionalisht krijimi i shoqatës ndërkulturore “Youthink”, që sot drejtoj si kryetare, dhe me anë të të cilës kemi arritur të realizojmë projekte kulturore që kisha për zemër, veçanërisht të lidhura me artin shqiptar. Shpresoj, sidoqoftë, që veprimtaritë më interesante e më domethënëse të jenë ato që më presin në të ardhmen, edhe për arsye se Torinon e konsideroj një vend shumë stimulues nga pikëpamja kulturore.

A je e lidhur me Shqipërinë? A ka ndikuar në formimin tënd të qenit shqiptare?
Ndiej që kam qenë gjithnjë e lidhur me Shqipërinë. Por kjo është një gjë që zbulon kur largohesh nga vendi yt. Mua më ndodhi të shkoja katër muaj me pushime te një teze në Izrael kur isha pak a shumë 8 vjeçe dhe pikërisht atje e kuptova sa e lidhur isha me Shqipërinë. Shpesh më zinte melankolia dhe thosha me bindje që e kuptoja shumë mirë se ç’kishin provuar patriotët shqiptarë që ishin të detyruar të jetonin në mërgim gjatë Rilindjes. Me t’u kthyer në Tiranë kujtoj që shkrova një poezi me titull “Malli për Shqipërinë”, që lexova në një konkurs poezie për shkollat fillore dhe që shkaktoi të qeshurat e jurisë sepse ishte e vetmja poezi e shkruar nga një nxënës dhe trajtonte një temë kaq prej të rriturish sa nuk ishte e besueshme që ishte “vepër” e një fëmije filloreje.
Por gjëja më e rëndësishme e të qenit një person jeta e të cilit ndahet mes dy vendesh është vizioni i veçantë mbi realitetin dhe identitetet që formohen. Në këtë aspekt kuptoj diapazonin e gjerë të këndvështrimeve, të njohjeve dhe perspektivave që përvoja e emigrimit ka sjellë në jetën time, duke më lejuar të shoh botën me një shumëllojshmëri trajtash e ngjyrash që janë thelbësore për punën që bëj, por akoma më shumë për të jetuar mirë.
Në Shqipëri shkoj gjithnjë me kënaqësi, të paktën dy herë në vit, madje vitet e fundit edhe më shpesh.

geri-studio3.gifCilin aspekt të përvojës në radio parapëlqen më shumë: gazetarinë apo drejtimin e emisionit?
Në bisedën e parë me botuesin e Radio Torino International shkova si gazetare, meqë ai kërkonte dikë që të përzgjidhte përmbajtjen e hapësirës dedikuar shqiptarëve. Vetëm pasi e takova e pasi i shpjegova idenë që kisha unë për përmbajtjen e emisionit, apo më mirë, se si do ta kisha administruar unë po të ma besonte, Cassese më kërkoi ta drejtoja unë edhe transmetimin e drejtpërdrejtë. Ishte padyshim një kënaqësi e madhe por edhe një sfidë për një person si unë që nuk kish punuar kurrë më parë në radio.
Sot kjo përvojë e re po më pëlqen përditë e më shumë. Besoj se po përkujdesem në mënyrë të veçantë për drejtimin programit, pasi puna e mirëfilltë e gazetarit është tashmë pjesë e përditshmërisë dhe arrij ta administroj më lehtë. Sidoqoftë jam e bindur që kam akoma shumë për të mësuar në të dyja frontet dhe i jam futur punës për t’ia dalë mbanë.

Ç’mendon të bëhesh “kur të rritesh”,  a është Shqipëria në projektet e tua?
Shpresoj të vazhdoj të shkruaj, sepse është një pasion i madh që ushqej prej vitesh, ashtu siç është edhe mendimi dhe organizimi i evenimenteve kulturore. Më pëlqen shumë edhe ideja që të ndërmarr karrierën diplomatike, që do të ishte edhe vazhdimi i natyrshëm i studimeve të mia universitare.
Në çdo rast, Shqipëria është gjithnjë pjesë e projekteve të mia, në mënyrën më të natyrshme të mundshme, sepse bota kulturore letrare, politike dhe artistike shqiptare hyjnë në përditshmërinë time. Për këtë padyshim, një meritë të veçantë ka ime më, që gjithnjë ka më ka ushqyer me dëshirën për zbulimin e shqiptarisë. Dhe një nga pasojat është edhe pasioni dhe angazhimi me të cilin po i përkushtohem sot projektit “Shqip në Torino”.

Keti Biçoku
Bota shqiptare 234 – 16 prill 2010

In Italiano: Geri Ballo, la voce albanese di Torino

 

 

 

 

 

Bashkëpunimi i ngushtë mes dy vendeve përfshin edhe përfaqësimin diplomatik italian të Shqipërisë?

Fjalë dhe muzikë nga toka shqiptare në Torino