Por i pranojnë ata si kolegë, fqinjë dhe shokë shkolle. Anketim i Fondacionit Moressa.
Romë, 16 mars 2011 – Fenomeni i emigracionit shqetëson 55,1% të italianëve. Ky shqetësim radhitet i treti pas papunësisë dhe kriminalitetit. Por nga ana tjetër del në pah një gatishmëri e madhe për të jetuar përkrah atyre që nuk janë italianë (që nga fqinjësia deri tek shkolla) dhe njohja e rolit të rëndësishëm të luajtur prej emigrantëve në sektorin ekonomik.
Këto janë disa prej rezultateve të anketimit të kryer nga Fondacioni Moressa, i cili me rastin e javës kundër racizmit i bëri disa pyetje 600 qytetarëve italianë për të kuptuar se sa të disponueshëm janë ndaj emigrantëve. U zbulua që qytetarët më të moshuar kanë më shumë rezerva ndaj tyre (gati gjashtë çdo dhjetë persona). Përkundrazi, të rinjtë duket se janë më pak të shqetësuar (48,3%) e kanë më shumë frikë nga papunësia dhe janë më të ndjeshëm ndaj çështjeve që lidhen me mbrojtjen e mjedisit.
Në pjesën më të madhe të rasteve emigrantët konsiderohen si pasuri ashtu edhe si problem (49,7%). Një pasuri sepse konsiderohen të domosdoshëm për kryerjen e punëve që italianët vështirë se i pranojnë (edhe në këtë periudhë krize), sepse japin kontributin e tyre në sistemin e politikave sociale dhe në shtimin e pasurisë së vendit. Ndryshimi etnik bëhet problem (32,5%) për italianët që mendojnë se emigrantët thithin më shumë burime ekonomike se sa ato që shkojnë në financën publike ose kur konsiderohen si një kërcenim për rendin.
Sipas të intervistuarve, episodet e diskriminimit ndaj emigrantëve vazhdojnë e bile duket se me kalimin e kohës ato po shtohen. Në veçanti në zonat qendrore dhe veriore të vendit ato ndihen më shumë se në jug. Por duket se pikërisht në zonat jugore të vendit kjo tendencë është në rritje. Arsimi, asistenca shëndetësore dhe puna janë kushtet që duhet t’u garantohen emigrantëve për të nxitur dhe mbështetur procesin e integrimit. Ndërsa banesa, bashkimi i familjeve, mbështetja ekonomike dhe liria fetare konsiderohen elementë të dorës së dytë.
Por disa elementë lënë hapësirë për të menduar një lloj “hapjeje”. Personat e pyetur thonë se nuk do kishin asnjë problem të punonin bashkë më një të huaj, aq më pak që të regjistronin fëmijët në një klasë ku 20% e nxënësve janë të huaj. Do pranoheshin me dëshirë edhe fqinjët e huaj, por janë më të tërhequr për t’i dhënë me qira të huajve lokale tregtare apo banesa.
Në përgjithësi, personat e pyetur janë shumë dakord me faktin që të huajt zënë vende pune që tanimë italianët nuk i duan dhe se tanimë përfaqësojnë një fuqi të vlefshme pune. Thënia që të huajt i marrin punën italianëve ose që janë shkaku kryesor i problemeve të sigurisë e të rendit publik, hidhet poshtë nga gjysma e personave të pyetur. Kjo dëshmon që thëniet mbi praninë e të huajve në Italia janë më shumë fjalë bajate.
“Raporti që italianët kanë me të huajt është i dyfishtë: nëse nga njëra anë i konsiderojnë të huajt si shkaku i problemeve të sigurisë, nga ana tjetër pranojnë me dëshirë bashkëjetesën në punë dhe në shoqëri” pohojnë hulumtuesit e Fondacionit Leone Moressa.
“Kur emigranti nuk është një objekt abstrakt i një debati publik, por një subjekt që hyn si pjesë në bashkëjetesën e përditshme – sepse mund të jetë fqinj, koleg pune apo shok klase – atëherë tabloja ndryshon e bashkë me të dhe perceptimi, duke dëshmuar se italianët po bëhen “mirëpritës” në përvojën e përditshme.