Arratisen sot pasdite nga burgu ku ishin në regjim të “sigurisë së lartë” tre shqiptarë të akuzuar për krime të rënda
Romë, 17 mars 2011 – Edhe pse të mbikëqyrur në mënyrë të veçantë, sepse të burgosur me regjimin e ashtuquajtur të sigurisë së lartë, tre shqiptarë kanë arritur të arratisen nga burgu i Voghera-s duke sharruar hekurat e dritares së qelisë. Më pas kanë vjedhur një makinë dhe janë zhdukur pa lënë gjurmë.
Sipas agjencisë së lajmeve ANSA, të arratisurit janë Leonard Myrtaj, 32 vjeç, i burgosur për pengmarrje të një personi dhe zhvatje dhe që duhet të mbarojë dënimin në vitin 2026; Dritan Rexhepaj, 31 vjeç, në burg për tentativë vrasjeje dhe krime të tjera (duhet të mbarojë dënimin në vitin 2024); dhe Ylli Ndoi, 34 vjeç, në burg duhet të qëndrojë deri në vitin 2033 për tentativë vrasjeje, trafik droge dhe krime të tjera.
Të burgosurit duket se kanë përfituar nga reduktimi i numrit të rojeve dhe gjatë orës së ajrit kanë dalë nga një dritare të cilës më parë i kishin sharruar shufrat e hekurit, prej aty kanë zbritur në tokë me litarë të bërë me çaròafë të lidhur dhe ia kanë mbathur në këmbë fushave në periferinë në perëndim të Vogheras deri në rrugën Castagna. Këtu kanë bllokuar një makinë të drejtuar nga një grua: e kanë zbritur me forcë , kanë hipur të tre dhe janë zhdukur. Deri tani nuk ka asnjë lajm nga tre të arratisurit.
Sipas sindikatës së policisë së burgjeve, ngjarja e sotme nxjerr në pah mangësitë në personel për të cilat ata ankohen prej kohësh. “Është e nevojshme që të gjitha forcat të përqëndrohen në kërkim të tre të arratisurve. – thotë Donato Capece, sekretar i përgjithshëm i sindikatës së policisë së burgjeve SAPPE – Por është gjithashtu e udhës të shqyrtohen me kujdes edhe mangësitë strukturore të personelit të policisë së burgjeve”.