in

Ministria e Jashtme mbështet Aurela Gaçen në Eurovizion

Në një takim me delegacionin e RTSH-së, që do të përfaqësojë Shqipërinë në Festivalin  e Këngës Evropiane në 10-14 maj 2011 në Dyseldorf të Gjermanisë, ministri i Jashtëm Edmond Haxhinasto siguroi mbështetjen e ministrisë së tij për të siguruar një sukses sa më të madh të Shqipërisë në Eurovizion

Tiranë, 23 mars 2011 –  Agjencia e lajmeve ATSh, bën të ditur se ministri i Jashtëm Edmond Haxhinasto, priti sot në një takim delegacionin e RTSh-së, që do të përfaqësojë Shqipërinë në Festivalin  e Këngës Evropiane në 10-14 maj 2011 në Dyseldorf të Gjermanisë.

Gjatë bisedës Edmond Haxhinasto shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar dhe siguruar mbështetjen  maksimale nga ana e Ministrisë së Jashtme për të garantuar një sukses sa më të madh të Shqipërisë në këtë festival. Ministri shprehu vlerësimin për frymën kombëtare të këngës, por edhe për videoklipin që përcjell bukuritë e vendit tonë si një mundësi për promovimin e tyre në arenën ndërkombëtare.

Drejtori i përgjithshëm i RTSh-së Petrit Beci e njohu ministrin Haxhinasto me përgatitjet e bëra për një përfaqësim sa më dinjitoz të Shqipërisë në këtë Festival, ndërsa këngëtarja Aurela Gaçe i dhuroi atij dvd e këngës “Feel the passion”.

Shqipëria në këtë edicion të Eurovizionit do të prezantohet me këngën “Feel the passion” interpretuar nga këngëtarja Aurela Gace, me kompozim të Shpëtim Saraçit dhe tekst të Sokol Marsit. Festivali i Këngës Evropiane do të zhvillohet nga datat 10-14 maj 2011 në Dyseldorf të Gjermanisë, ku Shqipëria do të konkurrojë për të herë të tetë, ndërkohë që Gaçe do të këndojë natën e parë të festivalit.

 

 

 

Amnistia fiskale në interes të qytetarëve

Qeveria pezullon projektet bërthamore