in

Lampeduza: San Marco merr 550 emigrantë

Emergjenca vazhdon. Me anijen San Marco të marinës italiane, janë marrë nga Lampeduza për t’u çuar në krahina të tjera të Italisë 550 emigrantë nga rreth 5mijë që prej ditësh kanë mbërritur në ishullin e vogël të Lampeduzës.

Romë, 23 mars 2011 – Mbërritja e anijes ushtarake u prit me gëzim veçanërisht nga lampeduzanët, por as ajo nuk zgjidhi gjendjen e jashtëzakonshme në ishull: 1.200 afrikanoveriorë u larguan sot mes atyre të marrë nga anija e nga avionët, e megjithatë në ishull (me 6mijë banorë) mbeten akoma akoma 4mijë emigrantë dhe 230 të mitur. “Në kushte të papranueshme” siç thotë Save The Children.

Por të paktën qeveria u vu në lëvizje: “kish ardhur koha! Edhe 48 orë të tjera kështu do të detyroheshim të iknim ne që këtu” thonë peshkatarët me sytë nga San Marco, që në tetë të mëngjesit ishte vendosur para portit. Por operacionet për imbarkimin e emigrantëve nisën vetëm nga ora 14: gjashtë orë që, sipas burimeve zyrtare nga Lampeduza, shërbyen për të marrë vendimin se ku të dërgoheshin emigrantët, pasi as nga Roma as nga Palermo nuk arrinin udhëzime. Në fakt komandanti i San Marcos lejoi imbarkimin e emigrantëve vetëm pasi i komunikuan zyrtarisht që duhet të shkonte drejt portit të Augustës. Operacionet e imbarkimit zgjatën deri në mbrëmje, me afrikanët që hipnin në anije të kënaqur, duke kënduar e duke bërë shenjën e fitores me gishta. “Më në fund ikim që këtu” thonin shumë prej tyre. Këta 550 do të vendosen në fshatine solidaritetit në Mineo, por ku më parë ministria e Brendshme kish transferuar kërkuesit e strehimit politik nga CARA-t (qendrat e pritjes të kërkuesve të azilit) e mbarë Italisë. Ndërsa emigrantët e zbarkuar në Lampeduza “janë klandestinë, jo refugjatë”, siç e tha sot ministri i brendshëm Maroni Ndaj për ta “do të aplikohen procedurat e Bossi-Finit: mbajtje në Cie për identifikim dhe riatdhesim”. I të njëjtit mendim edhe ministri i Mbrojtjes, La Russa: “janë klandestinë, të identifikohen e të riatdhesohen”.

Në dhomën e Deputetëve nënsekretari i Brendshëm Mantovano deklaroi që në anije “janë imbarkuar gra, të mitur e kërkues azili”. “Nuk më rezulton as edhe një person që të ketë kërkuar azil nga emigrantët që janë në San Marco” e përgënjeshtron kryebashkiaku i Mineos, Castania, që ka folur “për një tallje kolosale dhe për një mashtrim të ulët” nga anë e qeverisë.

Edhe sipas Unhcr, në këtë çast, “në Lampeduza nuk po formalizohen kërkesa azili”. E duke parë kushtet në të cilat gjenden emigrantët, “është bërë e vështirë edhe vetëm të informosh njerëzit mbi procedurat” për paraqitjen e kërkesës së azilit.

Për Lampeduzën, pak rëndësi ka nëse personat që kanë mbërritur janë klandestinë apo refugjatë: e rëndësishme është që San Marco ka larguar të paktën 550 vetë. Bashkë me 670 të tjerët që me avionë janë dërguar në Cie-të e Barit, Foggias dhe Crotones. Për të parën herë, pas disa ditëve, diferenca mes largimeve dhe ardhjeve është pozitive: 1.200 në dalje, dhe vetëm 150 në hyrje. Ishulli mbetet sidoqoftë një fushim në qiell të hapur: me tenda të sajuara nga vetë emigrantët, me kartone e lecka, mes shkëmbinjve dhe në plazh, me zjarre të ndezura darkave për të gatuar ndonjë gjë, në mes të rrugës apo mbi bankinën e portit, me garazhet e çdo hapësirë me një strehë sipër të zënë nga të sapombërriturit për të mos kaluar natën nënyje.

“Lampeduza është ‘marrë’ nga Tunizia – sintetizoi presidenti i Sicilisë, Lombardo, që ka kërkuar mbledhjen e posaçme të Këshillit të ministrave, – këtu jemi në gjendje të jashtëzakonshme higjieniko-sanitare”.

Deti parashikohet i qetë, dhe që tani shihen mjete lundrimi që u afrohen brigjeve të Lampedusës. Emergjenca vazhdon.

Qeveria pezullon projektet bërthamore

Flukset 2010: Lucca ka filluar të japë autorizimet