Për shkak të sharjeve raciste në fushën e lojës, ka të huaj që largohen nga Italia
Prindërit e kampionëve të rinj sjellin edhe në fushat e vogla të futbollit të njëjtin agresivitet që përjetohet në stadiumet e mëdha italiane. Dhe kur kundërshtari është jokomunitar, mjafton pak që sharjet të marrin ngjyrime raciste.
Kështu që – siç ndodhi së fundi në provincën e Trevisos ku një djalë zezak 12 vjeç, u ofendua nga prindërit e djemve të skuadrës kundërshtare – ndodh që ksenofobia dhe racizmi të hyjë me prepotencë edhe në takimet sportive mes të rinjve. Një dukuri e rëndë po të mbahet parasysh që në mars të vitit të shkuar në Foligno, një prind shqiptar i lodhur nga sharjet që i rezervoheshin të birit 15-vjeçar, futbollist në kampionatin amator të futbollit, deklaroi: “U lodha, do të largohemi nga Italia”. “Thyeja këmbët atij shqiptari m…” duket se ishte shprehja më e ëmbël që i drejtonin djalit gjatë ndeshjeve.
Gjithnjë në Umbria, në janar 2010, një djalë 19 vjeç me origjinë nigeriane, që luante në skuadrën amatore të futbollit të Casteltodino, pas të njëqindës herë që merrte sharje raciste ka paditur në organet e drejtësisë se, qoftë ai qoftë i vëllai 25 vjeç, prej kohësh bëhen viktima sulmesh raciste. “Zezak i qelbur” ishte shprehja klasike që u drejtohej djemve nga publiku i kundërshtarëve, madje njëherë edhe nga arbitri. Ka qenë vetë klubi sportiv që ka bërë të ditur këto episode, me një letër të hapur, për të sensibilizuar shoqërinë kundër kësaj sjelljeje.
Por nuk është vetëm futbolli që vuan këtë formë racizmi të tifozerive. As basketbolli i të rinjve nuk i shpërton frymës ksenofobe. Po në janar 2010 ka ndodhur historia e një arbitri maroken 23 vjeç që u bë shënjestër të pështyrash dhe sharjesh nga shkallët e palestrës së Adria-s (Rovigo) ku sfidoheshin dy skuadra të rinjsh nën 14 vjeç. Prindërit e sportistëve të rinj kanë reaguar ‘keq’ ndaj dy gabimeve teknike dhe dëbimit nga fusha e lojës e një basketbollisti dhëna nda arbitri, mbi të cilin u derdhën një sërë epitetesh raciste të tipit “Jevg i m… qërohu që këtu”.