Këmishat e gjelbra kanë probleme integrimi. Duhet të zëvendësohen me italianë të vërtetë
Romë, 29 mars 2011 – Legistët i kanë kaq për zemër 150 vjetët e Italisë sa vetëm mendimi se Vendi është i bashkuar nga Alpet deri në Lampeduzë u shkakton takikardi. Nuk është e vërtetë që nuk duan të festojnë, por ashtu si regjisori i famshëm Nanni Moretti pyesin veten: “Bie më shumë në sy nëse vij dhe rri mënjanë apo nëse nuk vij fare?” dhe në fund vendosin të mos marrin pjesë në festime.
Ndodhi edhe sot në mëngjes kur këshilli krahinor të Lombardisë u hap me himnin e Mamelit. Në Pirellone të Milanos ndiheshin notat e “Fratelli d’Italia”, por Trota dhe këshilltarët e tjerë të Legës vazhdonin të qëndronin në bar, për të festuar si “made in Italy” filxhanin e kapuçinos. Të vetmit legistë në sallë ishin presidenti i Këshillit Davide Boni, një fije më pak legist se të tjerët për shkak të rolit të tij institucional, dhe Giangiacomo Longoni, që ndoshta nuk dëgjon mirë nga veshët e ka vazhduar të qëndrojë ulur duke lexuar gazetën.
Por, le të lëmë mënjanë shakatë, këtu ka një problem serioz integrimi. Çfarë duhet sajuar për t’i bërë pak më italianë këta legistët? Ndoshta e teprojmë po t’u kërkojmë të studiojnë Risorxhimentin, histori e shumë italianëve të veriut që krijuan Italinë. E ndoshta nuk kanë as dëshirë të lexojnë Kushtetutën, atë ´gjënë´ që u premton strehim refugjatëve apo që mbron trengjyrëshin që Bossi këshillonte për të fshirë …
Por të paktën një shenjë të vullnetit të tyre të mirë duhet ta japin. Të mësojnë përmendësh dhe të këndojnë strofën e parë të himnit kombëtar dhe do të fitojnë një lejeqëndrim me pikë, të njëjtin që Maroni dëshiron t´u diktojë të imigrantëve: një pikë për çdo varg të mësuar, dhe pikët dyfishohen nëse nuk stonojnë. Për ata që nuk ia dalin mbanë, të mos ketë dëbim (e ku t´i çosh?), por përsëritje të detyruar: “Fratelli d´Italia, l´Italia s´è desta …”
Ndërkohë, është e udhës të gjejmë menjëherë italianë të rinj, të vërtetë, të paktën për t´i vënë në vendet e lëna bosh nga këmishëgjelbërit. Kërkimi është i thjeshtë, janë të gjithë këtu, një milion djem e vajza të lindur e të rritur në Itali, bij imigrantësh që, prej imigranti, kanë vetëm lejen e qëndrimit. Djem e vajza të durueshëm e me shpatulla të gjera, aq sa të durojnë deri më sot furinë me të cilën ligji i shtetësisë vazhdon t´i quajë të huaj.
Ata himnin e njohin dhe e këndojnë, janë tifozë të Italisë, janë thellë-thellë italianë, çdo ditë jetojnë dhe flasin si milanezë, romanë, napolitanë. Përveç telasheve të moshës, duhet edhe të ndihen gjithnjë më valixhen në dorë, të konsideruar në vendin e tyre si miq kalimtarë, të gatshëm për t´u kthyer në vende që ndoshta as nuk kanë vizituar ndonjëherë.
Në kohë që tashmë duken të largëta, nuk dukej e mundur një reformë e nënshkruar nga i gjithë parlamenti për t´u njohur shtetësinë italiane brezave të dytë. Por Lega është pozicionuar gjithnjë me kokëfortësi për së prapthi, e ka marrë me vete edhe atë pjesë të mazhorancës që ka frikë mos i dhurojë vota këmishëgjelbërve nëse nuk ngre zërin kundër gjithçkaje që bën rimë me fjalën imigracion.
Le t´i vëmë vetëm njëherë krah njëri tjetrit, legistët dhe bijtë e imigrantëve. Çfarë mendojnë, çfarë thonë, çfarë bëjnë? Është kaq e vështirë të kuptosh kush janë italianët e vërtetë?
Elvio Pasca