in

Flukset 2010: Në Veri vetëm një ndër gjashtë do t’ia dalë mbanë

Në Veneto vetëm një çdo 13 kërkesa mund të përfundojë me lëshimin e një autorizimi pune. Lotaria për një kuotë sipas të dhënave të përpunuara nga Fondacioni Moressa

Romë, 11 prill 2011 – 400 mijë kërkesa për 100 mijë vende të parashikuara nga dekreti i flukseve. Ndër katër punëdhënës, vetëm një do të mbetet i kënaqur. Në zonat e veriut të vendit gara do të jetë akoma e më e vështirë, sepse atje do të fitojë vetëm një çdo gjashtë kërkesa të paraqitura, me një rekord negativ në Veneto ku raporti mes kërkesave dhe kuotave të disponueshme është trembëdhjetë me një.

Kështu shkruan Fondacioni Leone Moressa që ka shqyrtuar shifrat e dekretit të flukseve 2010 në bazë të të dhënave të Ministrisë së Brendshme dhe asaj të Punës. Praktikisht studiuesit janë vënë në raport kërkesat e paraqitura në nivel territorial gjatë tre ditëve dhe kuotave që i janë caktuar më pas çdo rrethi.

Zonave veriore të vendit, ku janë paraqitur mbi  64,1% e kërkesave, u anë caktuar 46,7% e kuotave; kjo do të thotë që ndër të gjitha kërkesat e paraqitura në veri, 15,8% do të plotësohen, ndërsa në zonat qendrore dhe jugore të vendit do të plotësohen respektivisht 32,8% dhe 31,4% e kërkesave.

Detajet në bazë Krahine

Lombardia është krahina ku është përqendruar numri më i madh i kërkesave të paraqitura (116.306 baras me 29,5% e numrit të përgjithshëm). Atje është caktuar dhe kuota më e lartë e punonjësve jo komunitarë (19.215 baras me 22,5%): por vetëm 16,5% e kërkesave do të plotësohen. Megjithëse Emilia Romagna dhe Veneto janë krahina e dytë dhe e tretë në Itali për sa i përket kërkesave të paraqitura, atyre u janë caktuar vetëm 7,8% dhe 4,1% të kuotave. Edhe në këtë rast përqindja e kuotave mbi kërkesat e paraqitura është nën mesataren kombëtare, respektivisht 13,1% dhe 7,5%.

Në Puglia, Lazio, Marche dhe Basilicata ndodh e kundërta: përqindja e kuotave mbi kërkesat e paraqitura është mbi mesataren kombëtare (respektivisht 62,5%, 40,0%, 39,4% dhe 35,4%). Gjithsej Lazios i janë dhënë 17,6% e kuotave, Piemontes 8,2%, Emilia Romagnas 7,8%, Puglias 6,7% dhe Campanias (6,4%).

Detajet në bazë province

Roma dhe Milano janë provincat italiane të cilave u është caktuar numri më i madh i kuotave, respektivisht 15,2% dhe 10,6% e numrit të përgjithshëm. Kryeqyteti ka 13 mijë hyrje të reja, ndërsa Milano 9 mijë. Më pas radhiten Torino, Brescia dhe Bari. Por nëse vihen në raport kuotat e shpërndara me kërkesat e paraqitura, në vend të parë radhiten provinca si Benevento, Avellino, Vibo Valentia dhe Brindisi, provinca ku mbi 70% e kërkesave të paraqitura do të plotësohen. Ndër provincat veriore një situatë e ngjashme vërehet vetëm në Cuneo dhe Asti.

Ndarja e kuotave

Jo të gjithë 98 mijë vendet e parashikuara nga dekreti i flukseve janë caktuar krahinave tani për tani. Një pjesë (rreth 10 mijë vende kanë mbetur në dispozicion të Ministrisë për t’u caktuar më vonë, në bazë të kërkesave specifike që mund të vijnë nga vetë administratat lokale.

Tani për tani 58,4% e kuotave është për hyrjen e punonjësve jo komunitarë jo sezonale nga vendet me kuota të privilegjuara; pra nga ato vende që kanë nënshkruar marrëveshje specifike bashkëpunimi në fushën e politikave të migrimit (për shembull Egjipti, Moldavia, Maroku, Shqipëria apo Tunizia). 34,9% e kuotave është për subjektet që vijnë nga vende të tjera jo europiane e që do të punësohen vetëm në sektorin e bashkëpunimit familjar dhe të asistencës e kujdesit për personat. 6,7% që mbetet është rezervuar për konvertimin e lejeqëndrimeve për studim/stazh/trajnime dhe punë sezonale në lejeqëndrim për punë të varur.

Janë në Toscana (71,3%), Lazio (70,8%), Sicili (70,4%) dhe Veneto (69,6%) kuotat më domethënëse të punonjësve nga shtetet e ashtuquajtura të privilegjuara. Kuotat e kombësive të tjera që u referohen vetëm punonjësve shtëpiakë janë më të larta në Liguria (56%) dhe në Sardegna (51,2%).

Nëse shqyrtohet në detaje duke marrë si kriter provincat, Roma, Milano e Brescia (për të përmendur të parat) janë provincat që kombësive të privilegjuara u rezervojnë përqindjen më të lartë të kuotave (74,4%, 52,7% dhe 66,9%), ndërsa në Torino, Bari dhe Napoli kuotat më të larta u përkasin punonjësve shtëpiakë të kombësive të tjera (63,2%, 53,5% dhe 51,3%).

“Kriza dëshmoi se të huajt janë hallka e dobët në tregun e punës, por nevoja për krahë pune të huaj nuk do të ndalë. Dekreti i flukseve 2010, që mesatarisht përmbush vetëm një ndër katër kërkesa të paraqitura, nxjerr në dukje hendekun mes numrit të kërkesave të paraqitura për punë jo sezonale, dhe kuotave të programuara që i janë caktuar çdo territori” shkruan Valeria Benvenuti e Fondacionit Leone Moressa.

“Nuk përjashtohet mundësia që gati 2 milionë të huajt që i duhen Italisë në dhjetëvjeçarin e ardhshëm (llogaritje e Ministrisë së Punës) do t’i imponojnë një ndryshim të politikave të imigrimit: nga një elasticitet më i madh i kuotave deri tek një përmirësim i përputhjes mes kërkesave e ofertave për punë, duke shtuar edhe kohën e kërkimit të një vend pune pas krizës”

Shkarko përmbledhjen e studimit

Integra dhe Rotary Club në ndihmë të fëmijëve

Dones boton “Piccola guerra perfetta”