Në Montefiorino arrijnë dy refugjatë. Këshilltari i Legës: “Të marrin kazmën e të na restaurojnë Kështjellën”
Romë, 12 prill 2011 – Europa nuk i do refugjatët e Afrikës së Veriut? Lega do t’i pajisë të gjithë me “kazmë e lopatë” në mënyrë që, të paktën, të bëhen të dobishëm për shoqërinë.
Propozimi i fundit i Legës vjen nga Montefiorino, një fshat me dymijë vetë në zemër të Apenineve modeneze. Një qendër e vogël me histori të lashtë, që krenohet me kështjellën e saj mesjetare, me medaljen e artë të fituar gjatë rezistencës dhe me tartufët që çdo nëntor celebrohen me një festë shumë të vlerësuar.
Por këshilli i qendrës së djathtë i komunës sot trembet se qetësia e fshatit mund të tronditet nga mbërritja e dy (po, po vetëm dy) refugjatëve nga Afrika e veriut, që do të priten nga komuna siç parashikon një plan i miratuar në mirëkuptim mes Krahinave dhe kryebashkiakëve të zonës. Një zgjedhje që Lega dhe PdL u përpoqën më kot të kundërshtonin, edhe duke mbledhur firma në fundjavën e shkuar.
Tani, Stefano Corti, këshilltar komunal legist, jep recetën e tij të “mikpritjes”. “Për të ndihmuar integrimin e përkohshëm të dy refugjatëve, sapo të kenë pushuar dhe të kenë marrë veten, do t-u japim mundësinë të ndihen të dobishëm për komunitetin dhe do t- vëmë në dorë kazmë dhe lopatë që të marrin pjesë në përfundimin e restaurimit të kështjellës” shkruan në një lajmërim.
“Asgjë nuk do të pengojë dy refugjatët – shkruan më tej Corti – të meritojnë ushqimin dhe strehimin që banorët e Montefiorinos po u ofrojnë atyre përkohësisht. Sërish malësorët nuk po tërhiqen nga detyrimet tyre përballë emergjencave humanitare, duke u dhënë shembull solidariteti Komunave të majta”.
Po sikur të lodhur nga puna e detyruar dy refugjatët të mendojnë për arratisjen? Aq më mirë akoma! “Urë të arta armikut që largohet” thotë një fjalë e urtë italiane. “Në kohën e lirë – siguron këshilltari – do t’u ofrojmë asistencë gjeografike në mënyrë që, po të dëshirojnë, të transferohen sa më shpejt në Francë apo Gjermani”.
Elvio Pasca