in

Flukset 2010: Tërhoqa nulla-osta, po tani?

Jam një qytetar italian e kam kërkuar punësimin e një të huaji me dekretin e fundit të flukseve. Jam thirrur pranë sportelit unik për të tërhequr autorizimin (nulla osta). Desha të di se ç’duhet të bëj pasi ta kem tërhequr këtë autorizim?

Me dekretin e flukseve të aprovuar nga qeveria në dhjetor të vitit të kaluar, është lejuar hyrja për arsye pune të varur të rreth 98 mijë qytetarëve jo komunitarë, të ndarë sipas vendit nga vijnë. Kërkesat mund të paraqiteshin ekskluzivisht nëpërmjet Internetit duke u lidhur me faqen e Ministrisë së Brendshme duke dhënë gjeneralitetet e punonjësit, të punëdhënësit dhe propozimi i kontratës së qëndrimit.

Pas dërgimit të kërkesës ka filluar procedura në të cilën janë përfshirë përveç Prefekturës, në veçanti Zyra e Emigracionit, edhe Kuestura dhe Drejtoria Provinciale e Punës, ku bëhet verifikimi fillestar i punëdhënësit dhe e punonjësit, të cilët nuk duhet të jenë subjekte të rrezikshëm për rendin publik. Verifikimi i dytë ka të bëjë me përputhshmërinë mes të ardhurave të punëdhënësit dhe pagës që do ta marrë punonjësi.

Kjo fazë e parë përfundon me lëshimin e autorizimit për punëdhënësin, gjë që përbën një hap të rëndësishëm sepse do të thotë se si Kuestura, ashtu dhe Drejtoria Provinciale e Punës janë shprehur në favor të punësimit të të huajit dhe se nuk ekzistojnë elementë pengues për hyrjen e tij në Itali.

Kur punëdhënësi thirret në Sportelin Unik për të tërhequr autorizimin duhet të marrë me vete dy pulla taksash (marche da bollo) me vlerë 14.62 – (njëra është ajo që përmendet edhe në çastin e dërgimit me Internet të kërkesës), kopja e pasaportës së punonjësit, kopja e dokumentit të identitetit të punëdhënësit, kërkesa/certifikata e përshtatshmërisë së banesës ku do të banojë punonjësi i ardhshëm. Nëse punëdhënësi e ka të pamundur të shkojë në Sportelin Unik për të tërhequr autorizimin, parashikohet mundësia e tërheqjes nga një person tjetër i pajisur me prokurë. Në këtë rast vihet në dukje se për të evituar mashtrime ose paraqitje dokumentesh të rreme, shumë Prefektura kërkojnë një prokurë të hartuar nga noteri ose me firmë të vërtetuar pranë zyrave të Komunës. Në prokurë duhet specifikuar shprehimisht që personi autorizohet të tërheqë autorizimin dhe të nënshkruajë kontratën e qëndrimit për punë. Duhet mbajtur parasysh gjithsesi që çdo Sportel Unik mund të parashikojë procedura të ndryshme, prandaj është e këshillueshme që të informoheni paraprakisht.

Në Sportelin Unik punëdhënësi duhet të sigurohet që nëpunësi i sportelit dërgon nëpërmjet internetit autorizimin dhe pranë konsullatave. Dërgimi i këtij autorizimi edhe pranë konsullatave ka rëndësi për dhënien e vizës nga ana e përfaqësisë diplomatike italiane përkatëse. Nëse Ambasadës ose konsullatës nuk i rezulton dërgimi i autorizimit, viza nuk jepet.

Punëdhënësi, pasi të ketë nënshkruar kontratën e qëndrimit dhe pasi të ketë tërhequr autorizimin pranë Sportelit Unik, duhet t’ia dërgojë origjinalin punonjësit të huaj. Është e këshillueshme që të përdoren mënyra dërgimi që japin mundësinë e ndjekjes dhe regjistrimit të dërgimit. Është më mirë të shpenzohet ndonjë euro më shumë, por të kihet siguria që një dokument kaq i rëndësishëm mos të humbasë. Nëse autorizimi humbet, duhet bërë një padi pranë Autoriteteve të Policisë.

Pasi të marrë autorizimin, punonjësi jo komunitar duhet të shkojë në Ambasadën italiane ose në përfaqësinë konsullore italiane në vendin e tij për të kërkuar vizën e hyrjes në Itali. I huaji duhet të marrë me vete, përveç autorizimit, edhe pasaportën me skadencë më të vonët se tre muaj. Për këtë lloj vize nuk ka nevojë që i huaji të vërtetojë të ardhurat ekonomike, sepse autorizimi për të është dhënë. Informacionet për dokumentet e nevojshme për kërkimin e vizës dhe kostot përkatëse, mund të gjehen edhe në faqen e Internetit të Ministrisë së Punëve të Jashtme në seksionin e vizave (www.esteri.it)

Kur viza e hyrjes të jetë lëshuar, i huaji më në fund mund të vijë në Itali duke udhëtuar, nëse është e nevojshme, edhe nëpërmjet shteteve ete tjera të zonës Schengen. Pasi të mbërrijë në Itali, brenda 8 ditësh nga hyrja e tij në vend, punonjësi së bashku me punëdhënësin, duhet të paraqiten pranë Sportelit Unik (e njëjta zyrë që ka lëshuar autorizimin) për të nënshkruar kontratën e qëndrimit. Kjo kontratë do të gjenerohet automatikisht në bazë të elementëve të regjistruara nga punëdhënësi në propozimin për kontratë kur ka bërë kërkesën me flukset.

Kur nënshkruhet kontrata e qëndrimit do të verifikohen gjeneraliteti i punonjësit dhe do të verifikohet viza e lëshuar nga autoritetet konsullore. Gjithashtu punonjësit do të dorëzohet kodi fiskal dhe modulari për të kërkuar lejeqëndrimin.

Pasi përfundon procedura, punonjësi i huaj duhet të shkojë në një zyrë poste për të dërguar, me një zarf të posaçëm, modularin e tërhequr pranë Sportelit Unik. Zyra postare do të lëshojë një kupon me dy kode identifikuese personale (user id dhe pasëord) nëpërmjet të cilëve i huaji mund të njohë gjendjen e praktikës duke u lidhur në Internet me faqen www.portaleimmigrazione.it. Më pas Kuestura do të thërrasë punonjësin për të bërë regjistrimet e nevojshme (fotografi dhe shenjat e gishtërinjve) dhe për dhënien më pas të lejeqëndrimit.

Pas nënshkrimit të kontratës së qëndrimit dhe pasi punonjësi i huaj të ketë dërguar kërkesën për lejeqëndrim, punëdhënësi duhet t’i komunikojë Inail-it, Inps-it dhe Qendrës për Punësim të Provincës ku zhvillohet aktiviteti i punës,  vendosjen e marrëdhënies së punës – si dhe ndryshimet e mundshme apo ndërprerjen e saj. Këto komunikime duhen bërë ditën pararendëse (edhe nëse është ditë feste). Duke filluar nga 11 janari 2008, këto komunikime bëhen eskluzivisht nëpërmjet Internetit duke u lidhur me faqen www.lavoro.gov.it/co, duke u akredituar pranë shërbimit informatik të krahinës përkatës dhe duke mbushur modularin ‘Unificato Lav’.

Është e rëndësishme të ruhet kuponi elektronik që dëshmon dërgimin e kërkesës.
Për bashkëpunëtorët familjarë komunikimi i marrjes në punë, që duhet bërë të paktën 24 orë më parë, i duhet bërë vetëm Inps-it nëpërmjet dërgimit me Internet të modularit ose nëpërmjet qëndrës së kontaktit telefonik në numrin 803 164. Komunikimi pra nuk mund të bëhet me mjete të tjera si letër me porosi, faks ose duke shkuar personalisht pranë zyrave të Inps-it.

Bien dërgesat drejt vendlindjes – emigrantët në krizë

Generda Braçe fituese në konkursin Lingua Madre