in

Kaos mbi sigurimin shëndetësor të të moshuarve

Sipas ministrisë së Punës sigurimi nevojitet vetëm për ata që kanë ardhur pas 5 nëntorit 2008, për ministrinë e Brendshme edhe për të gjithë të tjerët

Nga nëntori i shkuar, me futjen në fuqi të dekretit legjislativ 160/2008, janë rritur kërkesat për bashkimin familjar. Përveç të ardhurave që nevojiten më të larta se më parë, e përveç faktit që prindërit mund të sillen vetëm nëse nuk kanë në atdhe të tjerë bij ose, kur janë mbi 65 vjeç, nëse bijtë e tjerë nuk mund t’i mbajnë “për arsye të rënda dhe të dokumentuara shëndetësore”. Për më tepër, për mbi 65-vjeçarët është i detyrueshëm sigurimi shëndetësor privat ose regjistrimi me pagesë në Shërbimin Shëndetësor Kombëtar (SSN). Për mundësinë e dytë të sigurimit shëndetësor, pranë SSN-së, qeveria ende nuk ka vendosur sa duhet të jetë shuma për t’u paguar, ndaj edhe sot e kësaj dite, pas shtatë muajve nga hyrja në fuqi e kësaj norme, e vetmja mundësi mbetet sigurimi shëndetësor privat i prindërve.

Kështu për të gjithë prindërit e ardhur në Itali pas 5 nëntorit 2008 nevojitet sigurimi. Po për ata që kanë ardhur përpara kësaj date e të cilët përtërijnë lejen e qëndrimit, a duhet kërkuar apo jo ky sigurim? Këtu lindin paqartësitë.

Sipas një qarkoreje të 4 majit të ministrisë së Punës thuhet qartë: “shtetasi i huaj me leje qëndrimi për motive familjare të lëshuar para 5 nëntorit 2008, me mbushjen e 65 vjeçëve ka të drejtën e regjistrimit të detyrueshëm (falas) në Shërbimin shëndetësor Kombëtar ose të ruajtjes së regjistrimit të mëparshëm në bazë të nenit 34 të dekretit legjislativ 286/98. Dispozitat e reja (për sigurimin shëndetësor me pagesë) duhet t’u referohen vetëm të ardhurve më bashkim familjar pas 5 nëntorit 2008”. Duket sheshit që kush ka ardhur në Itali para 5 nëntorit 2008, ka fituar të drejtën e regjistrimit në SSN, ndaj për këta, në çastin e përtëritjes së dokumentit nuk duhet të kërkohet sigurimi privat shëndetësor.

Tjetër gjë thuhet në qarkoren e ministrisë së Brendshme të katër ditëve më pas, 8 majit: “lidhur me problemin e ngritur mbi domosdoshmërinë apo jo të lidhjes së sigurimit shëndetësor për prindërit mbi 65 vjeç në çastin e përtëritjes së lejeqëndrimit, Departamenti i Sigurisë publike shprehet që të  interesuarit duhet të tregojnë dokumentin që dëshmon lidhjen e sigurimit shëndetësor, ashtu siç u kërkohet atyre që hyjnë për herë të parë në territorin kombëtar”. Pra, për ministrinë e Brendshme, të gjithë prindërit mbi 65 vjeç të sjellë në Itali me bashkim familjar, pavarësisht nga data e hyrjes, duhet të sigurohen me pagesë për shëndetin e duhet të tregojnë dëshminë në çastin e përtëritjes së lejes së qëndrimit.

Kujt i duhet besuar? Ministrisë së Brendshme apo asaj të Punës?

Një kuriozitet i vogël. A e dini për çfarë duhet të sigurohen privatisht prindërit mbi 65 vjeç? Në qarkoren e ministrisë së Brendshmë të 17 shkurtit 2009 thuhet shprehimisht: “duhen konsideruar të vlefshme – ashtu si për shtetasit e huaj që vijnë për studime – sigurimet shëndetësore që mbulojnë rreziqet e sëmundjeve, të fatkeqësive dhe të shtatzënisë”. Sa prej nesh kanë nëna mbi 65 vjeç që “rrezikojnë të mbesin shtatzëna”?

ke.bi.

14 qershor 1913: Mbërrin një anije me flamur të çuditshëm

Koka në tepsi