Është ora 20 e mbrëmjes së 4 majit 2011, datë që korçarët do ta mbajnë mend gjatë pasi Skënderbeu, mes drithërimash e emocionesh, është Kampion i Shqipërisë pas një pritjeje plot 78 vjeçare, që kur për herë të parë në vitin e largët 1933 arriti të ngjitej në majën e futbollit shqiptar.
Me gjithë problemet e tij të mëdha, mbi të gjitha dhunën dhe dhuratat, ky kampionat ka rezervuar edhe spektakël, gola, zell (ndonjëherë zelli ka qenë i tepërt) e mjaft rivalitet. Kjo edhe për meritë të padiskutueshme të një ekipi model, pa diskutim të denjë për titull, Flamurtarit të Vlorës.
Korçarët sollën në stadium tifozerinë, banderolat dhe ngjallën kërshëri tek të gjithë shqiptarët. Mijëra tifozë sfiduan kohën e keqe për të shijuar këtë sezon ta paharrueshëm. ′Ujqërit′ kafshojnë prenë e tyre më të lakmuar: trofeun e kampionit, të cilin padyshim do ta mbajnë mend gjatë
78 vite kishte pritur Korça për titullin kampion dhe 12 mijë tifozë janë lagur në shi për të brohoritur pas vërshëllimës së fundit të gjyqtarit Taullau.
Festa, që në fakt ka nisur që prej disa ditësh në qytetin juglindor, pas disa rezultateve pozitive të arritura nga Skënderbeu, që arritën ta shkëpusin me 4 pikë nga ndjekësit më të afërt vlonjatët e Flamurtarit, ishte e përmasave të mëdha, pasi ky titull u bë zyrtar dhe nuk ka më vlerë ndeshja e javës së fundit në Vlorë, mes Flamurtarit dhe Skënderbeut, pasi ky takim do të luhet thjesht për statistikë.
Kampionët e rinj të Shqipërisë kanë realizuar më në fund ëndrrën. Tre mijë bluza, kapele dhe të tjera elemente dekorative janë shpërndarë falas për tifozët që kanë qenë më të shumtë se kurrë në stadium.
Një meritë e veçantë për këtë trofe u takon drejtuesve të klubit, që falë investimeve të shumta nga presidenti Agim Zeqo si dhe të disa biznesmenëve të tjerë, arritën të ndërtonin një ekip kampionësh, që vetëm vitin e shkuar rrezikonte rënien në Kategorinë e Parë.
Trajnerët Shkëlqim Muça fillimisht dhe Shpëtim Duro më pas arritën të drejtonin drejt titullit një skuadër ku spikatën lojtarë si kapiteni Blendi Shkëmbi, Gjergji Muzaka, i ardhur në janar nga Dinamo, argjentinasi Rafael Soza, por edhe të huajt e tjerë si Joliç, Bratiç, Biskup e Markoviç. Erbim Fagu, Endri Vrapi, Ditmar Bici dhe Renato Arapi qenë një siguri për mbrojtjen që kryesohej nga portieri Orges Shehi, i cili falë këtij sezoni arriti të jetë pjesë edhe e Kombëtares.
Një nga protagonistët e trofeut, tekniku Shpëtim Duro është shprehur se e priste këtë trofe. Pas Kupës së Shqipërisë sezonin e shkuar dhe Superkupës në fillim të këtij sezoni, të fituara me Besën, Duro arrin të fitojë edhe kampionatin, një tripletë e denjë për një trajner të madh. Nga ata tjetër, Presidenti korçar Agim Zeqo u shpreh se Skënderbeu do të fitojë edhe katër trofe kampioni rresht, sikundër Interi në Serinë A. “Ky është vetëm titulli i parë me Skënderbeun nën drejtimin tim si president dhe premtoj se edhe 4 vite të tjera keni për ta parë Skënderbeun kampion”.
Edhe kapiteni Shkëmbi nuk i fshihte dot emocionet. “Për herë të parë jam shpallur kampion i vendit në karrierën time dhe këtë e arrita në këtë moment me Skënderbeun, ekipin e zemrës ku kam dalë edhe futbollist. Kjo është një ditë e madhe jo vetëm për mua, por për të gjithë qytetin tim”, tha mes lotësh kapiteni korçar, që më mirë se të gjithë është përfaqësuesi kryesor i këtij titulli kampion për qytetin e tij, Korçën.