Kolegji zgjedhor shqyrton sot anKimimin e PS-së për aktin e KQZ-së për fletët e kontestuara të Tiranës. Dje Kolegji Zgjedhor shqyrtoi dhe pushoi çështjen mbi kërkesën ankimore të paraqitur nga PS, për mosshpalljen e tabelës së rezultatit paraprak në njësine bashkiake 5, KZAZ nr.49, për kryetarin e bashkisë Tiranë.
Tiranë, 27 maj 2011 – Kolegji Zgjedhor pritet të shqyrtojë të premten paradite kërkesën e dytë ankimore të Partisë Socialiste, e cila kërkon shpalljen e pavlefshme të procedurës dhe aktit të KQZ-së për numërimin e fletëvotimeve të hedhura në kutitë e gabuara, për kryetarin e bashkisë Tiranë.
Sipas kërkesës, katër anëtarët e KQZ-së të zgjedhur nga maxhoranca, propozuan e miratuan një projekt-akt, sipas të cilit, fletët e votimit të rregullta, por të hedhura në kutitë e gabuara, të konsiderohen të vlefshme.
Ndërkohë, përfaqësuesit e PS-së në KQZ-së e kundërshtuan këtë vendim, duke deklaruar se KQZ nuk kishte të drejtë të numëronte fletët dhe se mund t’i hapte ato pas ankimimit të rezultateve zyrtare.
Nëse Kolegji pranon ankimimin, duke shpallur të “pavlefshëm” aktin normativ që nxori Bashën fitues me 81 vota, Edi Rama do të shpallet kryetar i bashkisë së Tiranës, me 10 votat diferencë që mori nga rezultatet e 485 qendrave të votimit në 11 KZAZ. Nëse kolegji e hedh poshtë kërkesën e PS-së, Lulzim Basha, do të ulet në detyrën e kreut të ri të Bashkisë së Tiranës me 81 vota më shumë se rivali i tij, kreu aktual i PS.
|