in

Der Spiegel: “Tensionet politike po lënë mbrapa Shqipërinë”

Revista e njohur gjermane “Der Spiegel” i ka kushtuar një shkrim të të gjatë Shqipërisë dhe problemeve që po kalon vendi me zgjedhjet lokale

Tensionet qe karakterizojnë zgjedhjet e  majit po cenojnë shanset për afrimin e Shqiperise me BE-në, nis artikulli i gjatë i revistës gjermane.

Në shkrim, mes të tjerash kujtohet që “Shqipëria është thellësisht e ndarë në një kamp pro-Ramës dhe një pro-Berishës. Në zgjedhjet e fundit, simpatizantët e dy partive u përplasën. Një kandidat i PD u qëllua, jashtë shtëpisë së një kandidati të PS shpërtheu një eksploziv. Tensionet politike në Tiranë detyruan presidentin e komisionit Europian  Jose Manuel Barroso, të anulonte një udhëtim të planifikuar në Tiranë pak javë më parë”.

Ja artikulli i plotë i revistës gjermane:

Shqipëria në kaos politik
Nga Jan Puhl, DER SPIEGEL

Shqipëria është anëtare e NATO-së, dëshiron të hyjë në Europë, por korrupsioni dhe krimi i organizuar mban vendin nën kontroll. Kundërshtitë mes kryeministrit të vendit dhe kryetarit të bashkisë së Tiranës ushqejnë kaosin. Qytetarët do t’u drejtohen barrikadave

Tiranë – Përpara ndërtesës së Komisionit të Zgjedhjeve në qendër të Tiranës, demonstruesit mbajnë pankarta të mëdha të bardha ku bëhet thirrje për ndihmë: “Ku është Europa?”

Janë mbështetësit e Edi Ramës dhe janë të zemëruar. Zgjedhjet lokale u zhvilluan katër javë më përpara, por ato sërish janë të pranishme mes shqiptarëve. Rama u rizgjodh kryebashkiak i Tiranës më 8 maj – por me vetëm 10 vota. Më pas KQZ bëri një rinumërim dhe krejt papritur Rama u gjend me 81 vota më pak se kundërshtari i tij, Lulzim Basha, kandidat i Partisë Demokratike. Rama e çoi çështjen në gjykatë, por apeli i tij u rrëzua në fundjavë. Tashmë avokatët e tij po përgatisin një tjetër padi.

Edi Rama, një burrë dy metra i gjatë e me pak mjekër, është edhe kreu i socialistëve, partisë më të madhe të opozitës. Pasi ka mbajtur për kohë të gjatë postin e kryebashkiakut të Tiranës, do të kishte parapëlqyer të bëhej kryeministri i vendit, një nga më të varfrit në Europë. Humbja e fortesës së tij mund t’u japë fund planeve të tij ambicioze, ndaj ai është i bindur se armiku i tij kryesor, kryeministri Sali Berisha, ka manipuluar rezultatin.

Rama thotë “qëllimi i Berishës është që të asgjësojë ekuilibrat demokratikë në vend” ndaj parashikon një revoltë popullore që mund “të paralizojë vendin”.

Është fjala për një kërcënim që Berisha bën mirë të marrë seriozisht. Shqipëria është thellësisht e ndarë në një kamp të Ramës dhe një të Berishës. Në zgjedhjet e fundit, simpatizantët e dy partive u përplasën. Një kandidat i PD u qëllua, jashtë shtëpisë së një kandidati të PS shpërtheu një eksploziv. Tensionet politike në Tiranë detyruan presidentin e komisionit Europian  Jose Manuel Barroso, të anulonte një udhëtim të planifikuar në Tiranë pak javë më parë.

Shqipëria fushë beteje e paralizuar prej dy vjetësh 

Shqipëria është një vend anëtar i NATO-s dhe dëshiron të bashkohet me BE, por pikëpyetjet që rrethojnë zgjedhjet për kryebashkiak në Tiranë, kanë ulur shanset që kjo ëndërr të bëhet realitet në ndonjë të ardhme të afërt. Në mbarë Ballkanin, qeveritë po ndërmarrin hapa të rëndësishëm për tu marrë seriozisht parasysh si kandidatë potencialë të BE-së: Serbia po punon për pajtimin me Kosovën; Maqedonia kërkon të lërë mënjanë përplasjet e vjetra me Greqinë; Kroacia ka nxjerrë para gjyqit kriminelët e vet të luftës.

vetëm Shqipëria ka mbetur  prapa, pas më shumë se 20 vjetësh nga rënia e  Perdes së Hekurt. Shumë vëzhgues e konsiderojnë vendin një fortesë të armëve, drogave dhe femrave, ku ka edhe raste gjakmarrjesh. Për më tepër, gjatë dy vjetëve të fundit beteja mes dy politikanëve ka penguar çdo progres politik.

Ramës i pëlqen të flirtojë me idenë se ai nuk është një politikan. Ai e ka lyer zyrën e tij me të kuqe të errët dhe në mur në të djathtë mban një pikturë në vaj e një bukurie të brishtë. Përpara se të zgjidhej për herë të parë në tetor të vitit 2000, ai jetonte në një ekzil bohemian në Paris, ishte piktor i suksesshëm me ekspozita në Nju Jork, San Paolo e Frankfurt.

Më pas ai i hodhi sytë nga qyteti i tij i lindjes, i shëmtuar, i rrezikshëm dhe i pluhurosur, dhe me kujdes vuri dorë mbi këtë xhungël post- komuniste. Ai dhe miqtë e tij artistë lyen apartamentet e zymta me ngjyra të ndezura- portokalli, e kuqe, e verdhë dhe blu. “Ngjyrat ishin sinjali se ne duam të ndryshojmë diçka,” thotë Rama.

Njolla u dëmtua gjatë nga Edi Rama 

Për një çast dukej se po bënte efekt: vendet perëndimore e vlerësonin populistin ekscentrik si pionierin e iniciativave të mira. Në internet i dhanë edhe titullin “Kryebashkiak i Botës”. Dhe në Shqipëri Rama konsiderohej si një outsider që përpiqej të shkatërronte korrupsionin e klasës politike.

Edhe pse akoma sot nuk mund të thuash që Tirana është e bukur, të paktën pohon që është e gjallë. Blloku, një lagje e mbyllur dikur për nomenklaturën, është një qendër e mbushur me restorante e bare. Parqet janë të pastra, rrugët kryesore janë të sapohapura dhe sheshi Skënderbeu, më i madhi në Tiranë, po rinovohet me fonde nga Kuvajti. Edhe pse popullsia e kryeqytetit në 20 vjet është rritur nga 220 mijë në 1.5 milion banorë, sërish ai konsiderohet një qytet i sigurt.

E gjithë kjo falë Ramës, por prej disa kohësh reputacioni i tij është dëmtuar. Rënia e tij nisi në zgjedhjet e qershorit 2009. Në atë kohë, Partia Demokratike e Berishës, në koalicion me parti të vogla, fitoi 70 nga 140 vende në parlament. BE nuk i kundërshtoi zgjedhjet dhe Rama u ndie i tradhtuar në fitoren e tij. Socialistët bojkotuan parlamentin për muaj të tërë. Çdo të premte, ai dërgonte protestuesit përpara zyrës së kreut të qeverisë.

Në janar 2011 shpërthyen krismat kur një protestë kundër një skandali korruptiv të zv/kryeministrit u nxeh shumë. Garda republikane e Shqipërisë hapi zjarr ndaj protestuesve jashtë zyrës së Berishës, duke vrarë katër mbështetës të Ramës. Kur prokurorja kërkoi të arrestonte gjashtë oficerë, Berisha e quajti atë “lavire bulevardi” dhe për javë të tëra urdhër arrestet nuk u zbatuan.

 Vetëdija demokratike në Shqipëri është e dobët

Rivaliteti mes dy burrave nxjerr në plan të parë problemin e Shqipërisë. Klasa politike nuk është e përgatitur për të pranuar humbjet në votime dhe institucionet e drejtësisë nuk kanë autoritetin e duhur.

“Është faji i Saliut” ishte i vetmi slogan që kryebashkiaku përdori në fushatën e tij. Në fakt Rama nuk ka një platformë politike për të folur, gjithçka ka është vetja e tij dhe urrejtja për Berishën. Ai është kthyer në atë lloj politikani që dikur e urrente. Siç thonë kritikët e tij, ai drejton partinë e tij në mënyrë autoritare, ka zhdukur debatin e brendshëm dhe i sheh gjërat vetëm bardh e zi.

Fatos Lubonja nuk është i çuditur me kthimin e artistit në një demagog. “Ne ishim miq,” thotë ai. “Dhe që atëherë i kam thënë se ai është i rrezikshëm”. Lubonja pi çaj në një lokal në Sheshin Skënderbej. Është shkrimtar e gazetar disident gjatë diktaturës komuniste të Enver Hoxhës, që u lidh fillimisht me Jugosllavinë, Bashkimin Sovjetik dhe më pas Kinën përpara se ta çonte Shqipërinë në izolim të plotë në vitin 1978.

13 vitet që ka kaluar në një kampet e  punës së Hoxhës, e kanë bërë Lubonjën më të prirë për t’u sëmurur, por e kanë bërë edhe më të guxishëm. Ai kollitet shpesh dhe bën shumë gjeste. “Rama e Berisha, që të dy janë të mbështetur nga klika oligarkësh,” thotë ai, duke i përshkruar ata si biznesmenë të korruptuar që kontrollojnë industrinë e ndërtimit dhe median. “Beteja e tyre është betejë për territore,” shton ai. “Në 20 vite të rënies së komunizmit ne kemi ndryshuar një lidership të degjeneruar për një tjetër, vetëm se ky i sotmi është i veshur më mirë.”

“Për shqiptarët shteti nuk vlen asgjë”

Po pse shqiptarët bien dakord më këtë? Një arsye mund të jetë se ish-vendi komunist nuk ka një imazh pozitiv për BE-në. “Fqinjët tanë janë italianët me kryeministrin e tyre trash e të korruptuar dhe nga ana tjetër ne kemi grekët e falimentuar,” thotë Lubonja. Ai mendon gjithashtu se shqiptarët kanë një vetëdije  demokratike të dobët.

Shqiptarët kurrë nuk ia kanë dalë të identifikojnë veten me shtetin. Otomanët pushtuan Shqipërinë e sotme deri në Luftën e Parë Botërore. Vendi ishte dëshpërimisht i varfër, dhe 90% e popullsisë ishte analfabete deri në shekullin e 20-të. Krenaria kombëtare ishte një luks që vetëm një grusht intelektualësh të borgjezisë së mesme në Tiranë e Shkodër mund ta përballonin.

Shumë shqiptarë akoma ndiejnë se lidhjet e tyre më të forta janë me familjet dhe fshatrat ku kanë lindur. Kjo shpjegon se përse ata në pushtet në radhë të parë mendojnë për miqtë dhe klanin e tyre. Në Luftën e Dytë Botërore, ushtritë e huaja në mënyrë të vazhdueshme marshuan në vend dhe një lëvizje e nëndheshme komuniste erdhi në pushtet në vitin 1944. Lideri i saj, Hoxha, vrau rreth 6 mijë njerëz në vendin e tij dhe dhjetëra mijëra u arrestuan. Ai vdiq në vitin 1985.

Pas vitit 1989, Shqipëria u zhyt në anarki. “Askund tjetër komunizmi nuk e ka shkatërruar kulturën politike siç ka bërë këtu,” thotë Lubonja. “Për shqiptarët, shteti nuk ka vlerë. Ose do e mbrosh veten kundër tij, ose do e shfrytëzosh”. Autori nuk është optimist për të ardhmen. “Kemi një mentalitet autoritar dhe nuk jemi në gjendje të pranojmë kompromisin,” thotë ai.

Investuesit konsiderojnë gratë më pak të korruptuara

Ato pak investitorë që kanë ardhur në Shqipëri, nuk kanë alternativë veçse të përshtaten me ambientin. Një biznesmen gjerman, që foli për SPIEGEL në Tiranë, nuk pranoi të jepte emrin e tij për shkak se biznesi i tij mund të dëmtohej. “Ti ke një shans këtu vetëm nëse je me ata që janë në pushtet,” thotë ai. “Nuk ka rëndësi nëse quhet Berisha ose Rama. Ata marrin një copë në çdo marrëveshje të madhe. Shteti mund të blihet”.

Biznesmeni i është përgjigjur kësaj klime duke punësuar vetëm gra. Është një praktikë që përdoret shpesh nga investitorët në Afrikë. Eksperienca atje ka treguar se gratë janë më pak të korruptuara, punojnë më shumë dhe e trajtojnë më mirë paranë.

Ai ka pesë vite këtu dhe dëshiron të qëndrojë. “Vendi ka potencial,” thotë ai. Biznesmeni beson tek të rinjtë, që duan ato gjëra që i kanë të tjerët në Europë: prosperitet, një karrierë dhe demokraci. Shumë shqiptarë janë arratisur nga vendi në fillim të viteve ’90 për të punuar në Greqi, Itali e SHBA dhe shumë prej tyre nuk janë rikthyer.

“Ata kanë sjellë këtu standardet evropiane dhe janë të dëshpëruar për mënyrën se si prindërit e tyre bëjnë politikë,” thotë biznesmeni. “Ata po rebelohen.” Ata po protestojnë kundër lidhjeve të ngushta mes politikës, biznesit dhe krimit të organizuar dhe kundër një sistemi ekonomik ku lidhjet personale janë më të rëndësishme se kualifikimet në punë.

“Rama e Berisha nuk mund të luajnë lojërat e tyre të vogla përjetësisht,” thotë biznesmeni. “Ka shumë të rinj pa perspektivë në Shqipëri, të paktën po aq shumë sa ishin në Egjipt”.

Forlì. Shqiptari dorëzohet “Dua të paguaj për gabimet e mia”

Kolegji Zgjedhor argumenton vendimin e 3 qershorit