Një sukses madhështor në tempullin e muzikës operistike në Royal Opera House të Londrës. Sopranoja shqiptare me banim në Itali Ermonela Jaho, pas qindra koncertesh në skenat më të mëdha të botës rrëmben duartrokitjet (dhe lotët) e publikut në një Traviatë qe do të mbahet mend. Duke zëvendësuar sopranon më të njohur të çastit, rusen Netrebko, i rrëmben spektrin e triumfit.
22 janar 2008. Ermonela Jaho sapo ka zbritur nga Londra në Romë. Dy ditë më parë ka korrur suksesin më të madh të jetës së saj në Royal Opera House. Në Romë do të qëndrojë vetëm një ditë. Për t’u kthyer sërish në Londër ku tashmë i kanë shtruar një kontratë të artë.
Kur thonë që rastësia është mbret i botës… E rastësia për të zbuluar Ermonela Jahon në Royal Opera House qe një bronshit i sopranos të mirënjohur ruse Anna Netrebko, star i edicionit më të rëndësishëm prej dhjetra vitesh të Traviatës në skenën londineze. Një zëvendësim i orës së fundit, dhe drejtuesit vendosin për Ermonelën, e cila gjendte në Nju York. Brenda natës duhet të fluturojë e të dalë në skenë pa u ushtruar aspak me regjinë. Rolin e Violetës njeh më së miri, e ka vënë në skenë në gjithë botën. Por ende jo në tempullin e Royal Operas.
Kur mësuan lajmin, spektatorët shprehën shenja dëshpërimi. Nuk do të shihnin Violetën që prisnin. Por duartrokitjet në fund të shfaqjes treguan se askujt nuk i erdhi keq për paratë e shpenzuara për biletën. Violeta shqiptare nuk binte më poshtë se sopranoja ruse që vitet e fundit ka njohur një ngritje të rrufeshme nga kritika, nga spektatori, e superkërkuar nga teatrot e operave.
Kështu pra, rastësia fatlume e ngjiti më 20 janar sopranon Ermonela Jaho në skenën e Royal Opera House. Për shkak të keqësimit të gjendjes shëndetësore të sopranos ruse Anna Netrebko u vu në rrezik shfaqja e operës “La Traviata” të kompozitorit Giuseppe Verdi. Netrebko mundi të interpretonte vetëm për një natë. Kështu ndodhi që në kartelonin londinez, emri i të famshmes Netrebko të zëvendësohej nga ai i sopranos shqiptare Ermonela Jaho. Pas përhapjes së lajmit, mediat e komentuan si “shumë të bukur për të qenë i vërtetë” kombinimin mes këngëtarëve Netrebko, Kaufmann dhe Hvorostovsky. Pati nga ata që e panë me dyshim zgjedhjen e drejtuesve të operës (dirigjenti Maurizio Benini dhe regjisori Richard Eyre). Madje dhe vetë tenori, që interpreton rolin e Alfredos u duk i tillë. “Teksa po ushtrohesha me zërin, në mëngjes marr një telefonatë të “pafatë”. Ana nuk ndihej mirë për të performuar dhe në të vërtetë kur fola me të, ajo ishte gati e padëgjueshme. Do të jetë një soprano tjetër. Ermonela Jaho po udhëton prej Nju Jorkut për të kënduar sot. Ajo ka shumë pak kohë për t’u përgatitur dhe unë nuk kam kënduar me të asnjëherë më parë”, – u shpreh të nesërmen e premierës për “The Indipendent”, tenori gjerman Jonas Kaufmann. Përkundër shqetësimit të shprehur në fillim, vetë Kaufmann, pas interpretimit në krah të Jahos, do të shprehej se nuk kishte zëvendësim më të mirë dhe se sopranoja shqiptare është “fantastike”.
Por nuk ka qenë e lehtë për këngëtaren, e cila nuk pati mundësi të bënte prova përpara se të interpretonte në një nga skenat më të rëndësishme operistike në botë. “Drejtuesit e Royal Opera House e sollën me urgjencë nga Nju Jorku dhe u ngjit në skenën londineze menjëherë pasi kish mbërritur nga një udhëtim transatlantik, duke shpëtuar kështu premierën në rrezik. Pas një fillimi disi pasiv, Jaho e merr veten duke arritur që në mënyrë progresive të bëhej një prezencë e hijshme në skenë. Në aktin e fundit ajo interpretoi mrekullisht mirë”. Kështu shkruhet në “Paris-Broadway”. Duket se Jaho ka dhënë maksimumin dhe publiku londinez pati mundësinë të shihte një Violetë po aq të mrekullueshme sa ç’e kemi parë në Tiranë disa muaj më parë, kur sopranoja interpretoi të njëjtin rol, nën drejtimin e regjisorit italian Massimo Ranieri.
“Në fillim të shfaqjes, dukej se spektatorët ishin pak të dëshpëruar, që nuk do të ishte Ana në skenë, por Ermonela u përmirësua nga hera në herë dhe në aktin e tretë ajo ishte e mrekullueshme. Improvizoi aq mirë, saqë nuk pati as më të voglën luhatje, apo gabim. Performanca e saj ishte fantastike”, – komenton “The Indipendent”.
Në forumet e shumta, që ziejnë këto ditë mbi këtë temë, të pranishëm në sallë thonë se në momentin kur Violeta (Ermonela Jaho) këndoi “Ah! Io ritorno a vivere! Oh gioia!”, nuk mbetën sy pa lotuar.
Jaho interpretoi edhe në dy shfaqjet e tjera në skenën londineze.
Përpos faktit që Jaho interpreton në këtë skenë të rëndësishme, duhet nënvizuar që ajo zëvendëson pikërisht Netrebkon, 36-vjeçare ruse, që momentalisht konsiderohet si një nga zërat më të bukur femërorë në botë. Ajo i përket një brezi të ri këngëtarësh që vitet e fundit po sundon skenat operistike.
Dhe pikërisht pas interpretimit të Jahos, një nga spektatorët do të shprehej “Bravo Ermonela. Netrebko, tani mund të kthehesh në shtëpi!”. Ndërsa Jaho kthehet nga Roma në Londër për t’u ngjitur sërish në skenën e Royal Operas.
Shqiptari i Italisë: Gazetat londineze, pas shfaqjes tuaj në Royal Opera House, kanë britur me të madhe zbulimin e një ylli. Nuk e prisnin atë sukses të papritur.
Ermonela Jaho: Kisha shumë frikë dhe unë. Më kishin thirrur me ngut nga Amerika pasi Trebrenko ishte sëmurur. Nuk pata kohë as të mbledh veten kur, praktikisht, më shtynë në skenë., Asnjë provë me regjinë, asnjë provë e mjaftueshme me dirigjentin. E megjithatë… Jam e lodhur por e kënaqur.
Tashmë jeni e pranishme në skenat më të rëndësishme të botës Berlin, Paris, Barcelonë, Londër, Mynich,Trieste, si dhe në kontinentin tjetër Michigan, Detroit, Filadelfia etj. Cili qytet mbetet për ju më i ngrohti dhe do donit t´i riktheheshit me dëshirë
Tirana, mbetet qyteti që më rilind emocione të reja, qyteti ku unë rigjenerohem. Publiku shqiptar nuk mund të krahasohet me asnjë publik të botës. Vendi yt të fal të tjera emocione, tjetër ndjenjë. Kohëve të fundit, nëpër shfaqjet e dhëna sidomos ne Amerikë shqiptarët që jetojnë prej disa vitesh atje, më kanë ndjekur shpesh nëpër shfaqjet që kam dhënë. Mbase numri i tyre në krahasim me numrin e publikut në sallë, që numëronte mijëra, ka qenë i një raporti të vogël, megjithatë, për nga vlera dhe emocioni që më kanë falur me prezencën e tyre, të pakrahasueshëm.
Kur jeni larguar nga Shqipëria?
Unë jam larguar në maj 1993, pasi fitova konkursin në Akademia Mantovana, të drejtuar nga Katia Riçareli. Në atë periudhë ajo qe personalisht në Tiranë dhe unë isha një ndër këngëtaret e zgjedhura nga vetë Riçareli.
Si u përballët me artistët dhe artin në një vend të panjohur?
Komunikimi i parë me ambientin e teatrit nuk qe shumë i vështirë, sepse ekziston një publik që di të vlerësojë. Në skenë të gjithë artistët janë në të njëjtin pozicion dhe, më pas, hyjnë vlerat e secilit; kur hap gojën dhe nxjerr tingullin e parë apo bën prezantimin e parë.
Më pas u ktheva në Tiranë; duhet të rikthehesha në Itali për punët e ardhshme, ku çdo gjë duhet ta siguroja vetë. Kthimi në Itali qe shumë i vështirë, sepse nuk u ktheva e përgatitur nga kjo anë. Jam ndjerë si peshku pa ujë dhe u gjenda përballë dy zgjedhjeve: ose të kthehesha në Shqipëri, me një ëndërr të realizuar në embrion, ose të vazhdoja, duke marrë parasysh çdo vështirësi. Nga Mantova erdha në Romë, ku jetonte maestroja që kisha në Mantova e që më ndihmoi për leksionet dhe për teatrin operistik italian. Ndërkohë, për të përballuar mbijetesën, dhe duke mos pasur asnjë ndihmë, fillova të punoja baby-siter, kameriere, infermiere, punë të cilat më merrnin shumë kohë për mbijetesën. “Do të vijë momenti që borxhin do ma shlyesh me duartrokitjet në teatrot e mëdha nëpër botë”, më thoshte profesori im 77-vjeçar.
Një fillim i vështirë, si emigrante e mirëfilltë.
Fillimi ka qenë tepër – tepër i vështirë, sepse qe një botë tërësisht e panjohur për një 18-vjeçare si puna ime. Vija nga Shqipëria me ëndrrën për t’u bërë këngëtare me famë, për të kënduar në teatrot më të mëdhenj të botës. Por me vete kisha një bagazh jete shumë të ndryshëm, mundësi ekonomike në nivelin zero, me një idealizëm shumë të madh në një vend, ku idealizmi të udhëheq drejt e në shtëpinë e depresionit dhe zhgënjimit. Tërësisht e vetme.
Duke e menduar tani, them se më ka shërbyer si shkollë jete dhe kam zbuluar tek vetja ime forcën, durimin, duke seleksionuar arsyet për të cilat ja vlen të jetosh e të humbasësh gjumin. Nevojat janë bërë virtyte, sepse je e detyruar për të mbijetuar me forcat e tua. Qeniet njerëzore kanë një bagazh force, durimi, virtyti, pozitive dhe negative për të përballuar jetën që jo gjithmonë vjen ashtu si e duam . Ne raste ekstreme, zgjohet në thellësinë e qenies, ajo pjesë e jona që është gati të luftojë me shpirt e me dhëmbë për të përballuar çdo vështirësi ose për të shkatërruar gjithçka. Realiteti e ka treguar dhe vazhdon të tregojë çdo ditë, se çfarë është në gjendje të bëjë njerëzimi.
Cili ka qenë aktiviteti juaj i parë artistik, jashtë Shqipërisë, dhe si jeni përballur me publikun?
Aktiviteti i parë ka qenë koncerti në Mantova. Më vjen për të qeshur, sepse unë nuk isha përgatitur të këndoja në një teatër prestigjioz, siç është ai i Mantovës. Fustani im i koncertit ishte tepër i varfër, për një ambient të tillë. Katia Riçareli më dha një fustan të sajin, dhe të njëjtën gjë bëri edhe me këpucët. Unë nuk kisha ecur ndonjëherë në majë të takave aq të larta. Erdhi momenti i prezantimit dhe, ndërkohë që po dilja nën duartrokitjet e publikut, bëj vetëm 5-6 hapa dhe, për fat të keq, taka e hollë e njërës prej këpucëve hyn në një vrimë të skenës (skenat janë të paparashikueshme). Në këtë moment, unë nxjerr vetëm dorën për të treguar prezencën. Publiku më priti mjaft mirë, por nuk mbaj mend shumë detaje nga sikleti.
Po më pas, cilat aktivitete vijuan në jetën tuaj artistike?
Më pas kanë qenë një sërë koncertesh, në akademinë “S. Cecilia”, konkurset, opera e parë “Cenerentola”, nga Rossini, “L’amico Fritz” nga Mascagni, e shumë personazhe si Zhuljeta, Suzana, Kontesha, Adina, Mimi, Armida etj. Kam interpretuar në teatrot “Aligheri”, Ravena, “Piccolo”, Scala-Milano dhe në shumë skena të tjera botërore. Bashkëpunimet kanë qenë me televizionin italin RAI, Mondovisione, BBC etj.
Cili ka qenë, deri tani, koncerti juaj më i rëndësishëm?
Ky ku jam tani, në Covent Garden të Londrës, që është një ndër teatrot më të rëndësishëm të botës. M’u desh të vija me ngut nga Amerika, si zëvendësuese, brenda një dite duhet të mësoja regjinë e shfaqjes, të matesha me ritmin e dirigjentit. E aq më tepër, zëvendësoja një soprano me famë mbarëbotërore…. Jam ende në trans për këtë gjendje.
Por përveç kësaj, nuk mund të os përmend vitin e shkuar në Trieste, “Carmen”, Michaela, në teatrin “Verdi” në Trieste, që më ka dhuruar shumë emocione, pasi publiku më ka pritur mjaft mirë dhe çdo shfaqje ka qenë një sukses i madh. Më pas koncerte të ndryshme në USA, koncertet e fundit në Itali.
Cila ka qënë ëndrra më e bukur që kini realizuar dhe ajo që prisni ende të realizohet?
E dua profesionin tim dhe çdo aktivitet është i ri dhe domethënës për mua, sepse e shijoj çdo moment. Nuk diskutohet që disa role i kam më për zemër, sepse gjej një pjesë të vetes sime tek to. Më pëlqejnë dhe kam një kënaqësi të vërtetë, qoftë profesional, ashtu edhe shpirtëror kur interpretoj në rolet e heroinave dramatike.
Por emocionet që më japin disa momente, janë të papërsëritshme…Sa herë që realizoj koncerte recitale, gjë që e kam bërë në disa vende të botës, e mbyll koncertin me një këngë shqiptare të përpunuar me pianoforte dhe kur filloj e prezantoj duke e përkthyer, ndjej që ndërsa flas, zëri më dridhet e mishi më rrëqethet dhe nga ajo këngëtare që ka interpretuar për rreth një orë ariet e veprave të kompozitorëve më të mëdhenj të botës, shndërrohem në një fëmijë të pambrojtur. Fillon introduksioni dhe ja, mbyll sytë e filloj të këndojë dhe në ato 3-4 minuta që zgjat kënga si për magji, fluturoj në mënyrë virtuale në Shqipëri e shoh shtëpinë time, rrugën që bëja për të shkuar në shkollë, shokët e shoqet, natyrën e mrekullueshme dhe unike të vendit tim…Dhe nga sytë më rrëshqasin lotët e mallit…Hap sytë dhe shoh publikun që më duartroket në këmbë. Tashmë profesioni im më është kthyer në një psikoterapi dhe përbën një ushqim shpirtëror konstant, ndërsa ëndrra ime është ajo që thashë pak më parë: dëshiroj shumë që një ditë, kur të hap sytë, të shoh familjen time, publikun e vendit tim në teatrin më të dashur për mua, atë të Tiranës. Ndoshta ju tingëllon paksa anakronike, por për mua ai teatër është më i madh se të gjithë teatrot e botës ku kam kënduar e vazhdoj të këndoj, sepse ka një vlerë tepër të madhe shpirtërore.
Si janë marrëdhëniet tuaja me kolegët shqiptarë që këndojnë nëpër skenat e botës?
Nuk kam shumë marrëdhënie të drejtpërdrejta pasi jeta e artistit dhe këtu flas për këngëtarin, është shumë impenjative dhe e paprogramuar. Sot je në një shtet, nesër në një tjetër e kështu me radhë dhe nuk ke kohë materiale të mbash kontakte apo të frekuentosh me ndonjë prej tyre. Ka qëlluar sa e sa herë p.sh. që në të njëjtin teatër, kam mbaruar produksionin unë e ka filluar Inva Mula apo Oriana Kurteshi, Josif Gjipali a të tjerë..Ndihem krenare kur flitet mirë për artistët tanë dhe më besoni; në çdo teatër që kanë interpretuar, gjithmonë janë ata që dalin mbi të tjerët…
Si e shihni artin operistik sot në Tiranë?
Shqiptarët janë njerëz që e duan artin dhe në çdo vend të botës që kanë shkuar kanë ditur të dalin në sipërfaqe… Me këtë dua të them se në Shqipëri mund të krijohet “një mbretëri” e vogël kulture, sepse ne jemi popull i talentuar, por që të funksionojë kjo gjë, duhet të punojmë shumë për të mësuar disiplinën, rregullin dhe respektin për punën tonë dhe atë të të tjerëve dhe duhet të duam njëri-tjetrin. Nuk e di pse, por shqiptarët sikur vuajnë kur shohin një bashkatdhetar që po ecën përpara… Kam pasur shumë raste të një fenomeni të tillë dhe më vjen keq për këtë gjë dhe shpesh them që jam duke parë një ëndërr të keqe. Unë tani për tani nuk kam asnjë lidhje me artin operistik të Tiranës edhe pse do të dëshiroja shumë.
Në Tiranë, tani çdo gjë funksionon në bazë të publicitetit që gjithsecili i bën vetvetes, ndonjëherë duke i hedhur një flakë të vogël benzine… Mund të them që është ndryshe nga vendet e tjera dhe se në Shqipëri çdo gjë funksionon ndryshe nga pjesa tjetër e botës. Edhe pse unë e dua shumë vendin tim dhe për mua mbetet më i bukuri në botë.
Shqiptari i Italisë – shkurt 2008