in

KQZ mbyll numërimin. Fitues Basha me 95 vota mbi Ramën

Tiranë, 23 qershor 2011 – KQZ mbylli rreth orës 13.30 procesin e rinumërimit të fletëve të hedhura në kutitë e gabuara. Kandidati PD, Lulzim Basha, rezulton fitues me 95 vota më shumë se kreu socialist Edi Rama në garën për Bashkinë e Tiranës. Në gjashtë ditë, tetë grupe numërimi të ngritura nga vetë KQZ, kanë hapur rreth 1.800 kuti në zbatim të vendimit të Kolegjit Zgjedhor të 13 qershorit. Vetë zëvendës ambasadori i OSBE-së, Dan Redford ishte sot i pranishëm në KQZ.

Zëdhënësi i KQZ, Leonard Olli deklaroi se shifrat e dala këto 5 ditë do të përpunohen dhe më pas do t’i integrohen tabelës përmbledhëse të rezultateve: “Të gjitha shifrat që kanë dalë tashmë nëpërmjet tabelat përkatëse po përpunohen nga drejtoria e teknologjisë dhe informacionit me pas do t’u mblidhen tabelave përkatëse dhe menjëherë do kalohet në botimin e shifrave përfundimtare. Nesër pritet te jete gati projekt-akti”.  Sipas tij, “procesi i rinumërimit të votave të të njëmbëdhjeta njësive bashkiake të Tiranës të hedhura gabim në kutitë e votimit, ka qenë transparent dhe i sigurt”.

Nuk është i këtij mendimi përfaqësuesi ligjor i PS-së, Genc Gjonçaj, që procesin e quajti qesharak.

“Ishte qesharak dhe në çdo pjesë të tij tregoi parregullsitë”, tha Gjonçaj menjëherë pas mbylljes së procesit të numërimit. Për Gjonçajn, “procesi i këtij hetimi, ishte i pasigurt, i deformuar dhe me probleme të natyrave të ndryshme“. Ai e mbylli duke paralajmëruar se parregullsitë e konstatuara nga PS gjatë procesit, do të bëhen publike në një deklaratë të mëvonshme

Lexo kronikën e numërimit në KQZ

Regjistrimi i popullsisë. Aleanca Kuq e Zi dorëzon peticionin

Shqiptarët nuk po abuzojnë me liberalizimin e vizave