Komiteti i Monitorimit në Këshillin e Europës ka hartuar një draft rezolutë, në të cilën flitet për situatën politike shqiptare. Me të u bëhet thirrje forcave politike për bashkëpunim dhe ofrohet asistencë për reformimin e kodit zgjedhor
Romë, 26 qershor 2011 – Komiteti i Monitorimit në Këshillin e Europës ka hartuar një draft rezolutë ku flet edhe për Shqipërinë.
Ky raport i përgatitur nga Komiteti i Monitorimit flet në mënyrë të detajuar për situatën, veçanërisht pas zgjedhjeve administrative. “Zhvillimet që lidhen me zgjedhjet lokale të mbajtura më 8 maj 2011 nxorën në dukje natyrën e brishtë të demokracisë dhe polarizimin e vazhdueshëm midis shumicës qeverisëse dhe opozitës. Raportuesit do të vizitojnë vendin sapo të mbyllet rezultati i zgjedhjeve”, thuhet në draft-rezolutën e botuar në faqen zyrtare të KiE.
“Partia Socialiste të ndërpresë bojkotin e saj në Parlament dhe të hyjë në dialog konstruktiv me forcat e tjera politike”, thuhet më tej në raport, i cili kërkon më tej përmirësimin e ligjeve në lidhje me pronësinë e medias, përbërjen e komisioneve zgjedhore dhe listat e kandidatëve. “Kuvendi i Shqipërisë për të përmirësuar procesin zgjedhor, duhet të përmirësojë aftësitë e administratës zgjedhore për sa i përket regjistrit zgjedhor” thuhet më tej në rojekt-rezolutën e KiE. Dhe krahas thirrjeve forcave politike, në rezolutë shprehet gatishmëria e KiE-së për t’i dhënë Shqipërisë asistencë për reformën elektorale në veçanti.