Thirrje e Observatorit të Brindisit mbi ballkanin, drejtuar anti-racistëve për mobilizim në Lecce më 28 qershor, ditë ku do të jepet sentenca për fatkeqësinë e Katër i Radës
Romë, 27 qershor 0211 – Më 28 qershor 2011 gjykata e Lecces do të japë sentencën e pritur për 14 vjet nga të afërmit e viktimave dhe të mbijetuarit e anijes Katër i Radës, të cilët kërkojnë drejtësi për dhjetëra burrat, gratë dhe fëmijët që vdiqën në goditjen e anijes nga shqiptare nga ana e korvetës Sibilla të Marinës Ushtarake Italiane në mars 1997 në kanalin e Otrantos.
Sipas Observatorit të Brindisit mbi Ballkanin, avokatët që mbrojnë interesat e palës shqiptare janë shumë të shqetësuar për rrezikun se më 28 Qershor të jepet një sentencë që të shpallë të pafajshëm Shtetin italian dhe Marinën Ushtarake Detare për këto vdekje, duke hedhur poshtë gjykimin e shkallës së parë të lëshuar nga Gjykata e Brindisit.
Sipas Observatorit, “frika vjen nga aktakuza e Prokurorisë Publike, mjaft dashamirëse ndaj Marinës dhe shtetit italian, por edhe nga klima e tanishme politike, kur në nivel kombëtar ka forca si për shembull Lidhja e Veriut që e ka bërë luftën kundër emigracionit të paligjshëm një prej pikave qendrore dhe levë shantazhi ndaj qeverisë së lëkundur të Berlusconit”.
Ata kujtojnë se si, ata eksponentë legistë, që në Mars të vitit 1997 bënin thirrje për përdorimin e artilerisë kundër shqiptarëve që iknin nga Shqipëria ku po zhvillohej një luftë civile, sot janë po ata që kërkojnë anijet e NATO-s (pra dhe të Italisë) për të bllokuar ata që ikin nga Libia e përcëlluar, mes luftimeve, bombardimeve dhe masakrave të civilëve.
Ndaj Observatori i Brindisit mbi Ballkanin u bën thirrje të gjitha forcave anti-raciste të Puglias që “të jenë të pranishëm në mëngjesin e 28 qershorit 2011 (rreth orës 9.00) përpara Gjykatës së Lecces për një grumbullim në shenjë solidariteti me të afërmit e viktimave, por edhe me të gjithë emigrantët që sipas rregullave të fundit (p.sh. mbajtja për 18 muaj në CIE), trajtohen sikur të ishin kriminelët më të mëdhenj. Nëse pranohen kërkesat e Lidhjes së Veriut për embargo, ka rrezik që të shtohen dhe më shumë tragjeditë e detit që deri tani kanë sjellë mijëra viktima, duke përfshirë ato të Katër i Radës”.
Lexo edhe: Të shpëtojmë Katër i Radës