Pas 14 vjetëve përfundon gjyqi për tragjedinë e Katër i Radës. Ndryshe nga ç’kërkoi prokuroria e Lecces, gjykatësit dënojnë edhe komandantin e Sibillës që speronoi Katër i Radës duke shkaktuar fundosjen e saj dhe vdekjen e 108 personave
Romë, 29 qershor 2011 – Gjykata e Apelit e Lecces ka dhënë më në fund sentencën përfundimtare për tragjedinë e Katër i Radës.
Pas një mbledhjeje për marrjen e vendimit që zgjati 14 orë, deri në orët e para të mëngjesit të 29 qershorit, gjykatësit vendosën të ulin pak dënimet e dhëna në shkallën e parë të gjykimit, duke e çuar dëimin e komandantit të Korvetës italiane Sibilla, Fabrizio Laudadio, në 2 vjet e 4 muaj (nga 3 vjet, në shkallën e parë) dhe dënimin për komandantin e Katër i Radës, Namik Xhaferri, në 3 vjet e 10 muaj (nga 4 vjet, në shkallën e parë), të akuzuar për vrasje të shumëfishtë nga pakujdesia, mbytje nga pakujdesia dhe lëndime nga pakujdesia. Dhe një dëmshpërblim për familjarët sipas “dëmit” të pësuar, nga 20.000 deri në 300.000 euro. E fjala dëm e sentencës nuk është veçse një eufemizëm, pasi më 28 marsin e 1997-tës, për shkak të përplasjes së Sibillës me Katër i Radës, humbën jetën 108 vetë, familje të tëra shqiptarësh dhe arritën të shpëtojnë vetëm 34 vetë. Nga të mbyturit, 39 persona janë ende në fund të Adriatikut, pasi u arrit të nxirreshin dhe më pas të varroseshin vetëm 69 trupa.
Sentenca është vërtet e ulët dhe prej saj askush nuk do të përfundojë në burg, por megjithatë është një arritje për familjarët e viktimave: Prokuroria e Lecces kishte kërkuar që komandanti Laudadio të shpallej krejtësisht i pafajshëm, pasi sipas saj faji për të gjithë ç’ndodhi ishte i vetë Katër i Radës. Fatmirësisht për familjarët e viktimave dhe të mbijetuarit e fatkeqësisë, gjykatësit e apelit nuk pranuan këtë version të Prokurorisë. Dhe natën vonë, në të gdhirë të 29 qershorit, gjykata vendosi për DËNIMIN edhe të komandantit të Sibillës.
Pas 14 vjet e tre muaj, nga tragjedia, të afërmit e viktimave e të mbijetuarit e Katër i Radës morën më në fund njëfarë drejtësie, edhe pse as dënimi i komandantit të Sibillës, as dëmshpërblimi “sipas dëmit të shkaktuar” nuk do t’u kthejë në jetë të dashurit e tyre.
Një shije të hidhur të lë edhe vendimi i marrë për reliktin e anijes Katër i Radës. Edhe pse është kërkuar me forcë qoftë nga familjarët qoftë nga shoqata të ndryshme që të kthehet në monument, gjykata ka vendosur që ajo të shkatërrohet, duke i dhënë prokurë për ekzekutimin e këtij vendimi Marinës Ushtarake të Brindisit.