in

Bogdani. Nga Seria A në kategori të tretë?

Bogdani me shokun e skuadrës së Cesenës, Giaccherini
E pabesueshme dhe e bujshme, nëse do të jetë e vërtetë. Sipas drejtorit të sitit të njohur sportiv Tuttomercatoweb dhe disa shumë gazetash të tjera të sektorit, futbollisti shqiptar Erjon Bogdani do të kalojë nga klubi i Cesenës në atë të Spezia Calcio. Që ndryshe do të thotë : nga seria A në Lega Pro, ose kategoria e tretë.

Pak ditë më parë dukej se ai po ndiqej më vëmendje nga Atalanta dhe Bologna të cilat siç duket ia kanë vënë syrin lojtarit shtatlartë të kombëtares shqiptare, i cili ka edhe një vit kontratë me Cezenën. Por duke u bazuar në lajmet e ditëve të fundit Erjon Bogdani paska dhënë aprovimin e tij për të kaluar në klubin e La Spezias. Dihet që gazetat sportive gjatë verës, kur kampionati ka mbaruar dhe ziejnë shitblerjet e lojtarëve, mbushin faqet me lajme nga më të habitshmet, të cilat një ditë më pas përgënjeshtrohen ose nuk përmenden më.

Mjafton të hapësh faqet e gazetave shqiptare, dhe ky lajm lexohet ndryshe. Sipas gazetës Shqip, “Persona të afërt me sulmuesin bëjnë të ditur se Bogdani as që e ka marrë në konsideratë këtë skuadër”. Kujt t’i besosh?

Thashethemet do të vazhdojnë gjatë, në faqet e gazetave në forumet e ndryshme në internet e ndoshta dhe nën çadrat e plazhit. Tregu mbyllet të mërkurën, 31 gusht 2011. Deri atëherë emrat e lojtarëve do të lakohen në shumë gjuhë, deri sa të mbërrijë komunikata zyrtare e klubit blerës dhe paraqitja zyrtare e futbollistit të radhës.

Tiranë, Shkodër dhe Korçë: nxënësit me diploma të certifikuara nga autoritetet italiane

Ministria: Rritje e turizmit në Shqipëri me rreth 40% brenda një viti