Shoqata Il Pettirosso me kontributin e Krahinës së Umbrias, me mbështetjen e minibashkisë Terni Sud dhe patronazhin e Komunës së Ternit, organizon në korrik shfaqjen e katër filmave të huaj në gjuhë origjinale me titra në italisht. Iniciativa, me titull Mondovisioni, realizohet për të prezantuar krijimtarinë e vendlindjeve të emigrantëve, që qytetarët e Ternit të njohin diçka më shumë për ta, por edhe thjesht për të kaluar një mbrëmje ndryshe nga të tjerat. Shqipëria do të prezantohet me filmin Tirana viti 0 të regjisorit Fatmir Koçi. Filmi do të shfaqet të enjten më 21 korrik, në orën 21.00 në Giardino dell’ex-circoscrizione Ferriera, Via Premuda 6, Terni.
Filmat e tjerë të iniciativës Mondovisioni janë Filantropica, film rumun (14 korrik), I am, film hindi (28 korrik). Më 6 korrik është shfaqur filmi Il sangue verde, me regji të Andrea Segre-së që rrëfen historinë e emigrantëve të Rosarnos.
Tirana viti 0 (film i vitit 2001)
Pas ngjarjeve tragjike të vitit 1997, 23 vjeçari Niku jeton në Tiranë me të ëmën dhe të atin e sëmurë. I ndershëm dhe bujar, Niku është në kërkim të punës por ndien se gjendet mes kaosit dhe vrasjeve. Të gjithë që e rrethojnë flasin vetëm për braktisjen e vendit. Po ashtu edhe Klara, e dashura e tij, e cila ikën në Paris. Pas një historie të hidhur familjare, Klara kthehet për të kërkuar Nikun dhe të dy pushtohen nga ideja se mund të duhen vetëm në vendin e tyre.
Regjia: Fatmir Koçi, Skenari: F. Koçi, Reinzi Brandner, Producent: Cine Sud Promotion, Koci Production, Alexis, Film QKK , Muzika: Artem Denisov. Aktorët: Nevin Meçaj, Ermela Teli, Rajmonda Bulku, Robert Ndrenika, Behar Mera, Birce Hasko, Lars Rudolph, Juli Hajdini, Nigda Dako, Vladimir Metani, Artur Gorishti, Monika Lubonja, Gëzim Rudi, Fatos Sela, Jorida Meta.