in

“Smiling Cities”. Jep idenë tënde për t’i ndryshuar fytyrën Tiranës e qyteteve të tjera shqiptare

Studentët shqiptarë të arkitekturës dhe të inxhinierisë në Itali ftohen të marrin pjesë në konkursin “Smiling Cities”

Romë, 10 korrik 2011 – Fondi shqiptar për monumentet, Shoqata e arkitektëve shqiptarë dhe Shoqëria gjermane për bashkëpunim ndërkombëtar,GIZ, kanë ngritur projektin “Smiling Cities” për rivlerësimin e hapësirave publike urbane në Shqipëri , në të cilin ftojnë të marrin pjesë edhe studentë të arkitekturës dhe të inxhinierisë që jetojnë e studiojnë në Itali, përveç studentëve të Universitetit Politeknik të Tiranës dhe të universiteteve të tjera private.  Projekti është në fazën e tij fillestare, atë të regjistrimit, që mund të bëhet nga data 4 deri më 30 korrik.

“Ky projekt synon të mbledhë projekt-ide nga studentët që frekuentojnë këto degë universitetesh në Shqipëri dhe jashtë. Jemi shumë të interesuar të kemi pjesëmarrje studentësh që janë me studime, që sapo janë diplomuar apo që kane disa vite që janë diplomuar jashtë shtetit, gjithmonë me mendimin dhe besimin qe ata mund te transmetojnë një pjesë të eksperiencës se tyre evropiane si edhe një vizion me bashkëkohor dhe pse jo edhe më modern. Pra nuk ka rendësi nëse vazhdojnë studimet apo i kanë përfunduar ato. Pjesëmarrja është e lirë, ashtu siç është e lirë dhe fusha e krijimtarisë se tyre” thotë për Shqiptariiitalise.com koordinatorja e projektit Anila Berberi.

Tema e këtij projekti është rivitalizimi i hapësirave mikro-urbane dhe rilevimi monumental në përputhje me ndryshimet e shpejta të imazhit urban; rivitalizim dhe promovim i imazhit të zonave të veçanta të qytetit për një ndjenjë identiteti të përbashkët, për ruajtjen dhe vlerësimin e zonave monumentale, historike, kulturore dhe urbane duke u bazuar tek bashkekzistenca kulturore, multi rajonale dhe multi fetare, për të siguruar një mbrojtje dhe akses më të madh në trashëgiminë kulturore dhe hapësirat publike urbane.

“Projekti ka për qëllim të nxisë debatin publik për zonat e pasura historike dhe monumentale por shpesh të lëna pas dore dhe të kontribuojë në ruajtjen dhe rehabilitimin e këtyre zonave. Një pjesë me rëndësi në qëllimet e projektit është edhe tërheqja e vëmendjes së pushtetit vendor për të parë se çfarë dëshiron vërtet rinia, por edhe t’u krijohet mundësi studentëve të njihen dhe të njohin sipërmarrësit e sektorit që lidhen me profesionin e tyre. Me një fjalë, të shërbeje edhe si një kartë vizite për të nesërmen e këtyre arkitektëve, inxhinierëve apo projektuesve të së ardhmes” shpjegon Anila Berberi.

Projekti ka disa faza.
 
Faza 1 Regjistrimi ( 4-30 korrik). Për studentet qe jetojnë ne Shqipëri regjistrimi mund te behet pranë sekretarive te Universitetit Politeknik te Tiranes (shtetëror) dhe pranë disa universiteteve private ne Shqipëri.
Për studentet që studiojnë jashtë Shqipërisë, ose që kanë përfunduar studimet jashtë dhe jetojnë atje regjistrimi mund të bëhet on-line, duke dërguar të dhënat personale (që kërkohen në formularin e regjistrimit) në adresat e-mail (anila_berberi[at]hotmail.com ose albanianfm[at]yahoo.com).
“Nga kategoria e studentëve që studiojnë jashtë Shqipërisë – sqaron Berberi – na intereson që ata të jenë të pranishëm të paktën në çastin e konkursit me punët e tyre, që mund të jenë individuale ose kolektive. Pra nuk është e thënë që të jenë të pranishëm në Shqipëri gjatë gjithë kohës”.

Faza 2 – Workshop-e ose seminare (Java e fundit e korrikut dhe gjatë gushtit që sidoqoftë do të përcaktohet më me saktësi edhe në bashkëpunim me vetë studentët). Kjo fazë konsiston në dhënien e punës si dhe në konsulencë. Gjatë projektit janë parashikuar 4 seminare me të gjithë studentët me të dhëna teknike kryesisht të fushës se tyre. Në seminare do t’u shpjegohet edhe se çfarë synon projekti ose se cilat  mund të jenë zonat me interes si edhe disa aspekte që lidhen me ndriçimin, sinjalistikën, historikun etj. Gjithashtu gjatë gjithë periudhës së projektit ofrohet konsulencë. Për studentet që në atë periudhë janë ende jashtë shtetit materialet didaktike do të jepen me anë të medias elektronike.

Faza 3 – Konkursi. Është caktuar që të bëhet në shtator. Do të ketë 3 çmime për punimet më të mira, të cilat do të jepen nga një juri ku do të marrin pjesë një anëtar i Fondit Shqiptar për Monumentet, një anëtar i Shoqatës së Arkitektëve Shqiptarë,një përfaqësues i GIZ-it, një përfaqësues i Ministrisë së Turizmit, një përfaqësues i Bashkisë së Tiranës, një përfaqësues i Institutit të Lartë të Arteve, dhe një përfaqësues i një forumi rinor.

Faza 4 (tetor – nëntor 2011) – Ekspozitë shëtitëse. 10-15 punimet më të mira do të paraqiten në një ekspozitë shëtitëse: në ambientet e Politeknikut, në ambientet e 3 universiteteve private në Tiranë, në një ambient publik në Tiranë, si dhe në dy rrethe të Shqipërisë.

Faza 5 (nëntor 2011) – Publikim i një libri me 10-15 punimet më të mira, me tekstin, fotografitë dhe design (në shqip dhe anglisht).

“Kjo është ideja fillestare, por nëse ne do te kemi një numër edhe më të madh projekt-idesh të mira mund të shtohen. E rëndësishme është që në këtë libër do të futen edhe të gjithë emrat e studenteve pjesëmarrës, me të dhënat e tyre, nr. e telefonit, e-mailin etj. Ky libër do t’u shpërndahet bashkive dhe minibashkive, studiove të arkitekturës dhe inxhinierisë, studiove të design-it që janë anëtarë të shoqatës së Arkitektëve, si edhe shume shoqatave dhe OJQ-ve me të cilat bashkëpunon Fondi Shqiptar i Monumenteve” shpjegon koordinatorja e projektit, Berberi.

Shkarko Formularin e regjistrimit

Padova: Mbytet në lumin Brenta Dashamir Loka

Filmi “Tirana viti 0”, më 21 korrik në Terni