Giorgio Napolitano është zgjedhur sot për herë të dytë president i Republikës italiane. Ai është konfirmuar me 738 vota (ndër 1007 zgjedhës të mëdhenj: deputetë, senatorë dhe përfaqësues të krahinave) në parlament.
Napolitano që ishte shprehur disa herë se nuk do të pranonte një kandidaturë të dytë për President, u detyrua sot të ndërrojë mendim e të japë gatishmërinë e tij për të mbuluar këtë detyrë, gjë që iu kërkua me forcë nga PdL, Lega, Scelta Civica (e kryeministrit Monti) dhe PD. Kjo e fundit ka kaluar ditët e fundit më të vështira të jetës së saj: jo vetëm nuk arriti të arrijë zgjedhjen e dy kandidatave të saj të parë Franco Marini e Romano Prodi, por humbi rrugës sekretarin dhe Presidentin e saj, përkatësisht Pierluigi Bersani dhe Rosy Bindi, që dhanë dorëheqjen dje pas rezultatit të djeshëm në Parlament. Kjo është një ditë historike për Italinë, pasi është herë e parë që i njëjti person mbulon për dy herë detyrën më të lartë të shtetit.
Ja një histori e shkurtër e të gjithë kryetarëve të Shtetit Italian, që nga ikja e Savojave dhe rrëzimi i monarkisë.
Nga Massimo Canario
Më 10 maj 2006 Giorgio Napolitano u zgjodh (për herë të parë) President i Republikës së Italisë. Është i njëmbëdhjeti, po të numërojmë edhe Enrico De Nicolën, që u vu në krye të shtetit përkohësisht nga viti 1946 deri më 1948-tën, gjatë punimeve të Asamblesë Kushtetuese që duhet të sistemonte formën e re institucionale të kombit.
Referendumi që ishte zhvilluar më 2 qershor 1946 kishte vendosur mposhtjen e monarkisë, tejet të kompromentuar me fashizmin. Republika që po lindte kishte nevojë për rregulla të reja, dhe mes tyre edhe një që do të përcaktonte rolin e Presidentit.
Italia vinte nga përvoja traumatike e fashizmit: ndaj edhe baballarët e kushtetutës i vunë detyrë vetes të mos lejonin përqendrimin e tepruar të pushtetit në dorë të një figure të vetme. Për këtë arsye u vendos për formën parlamentare, duke i lënë kreut të shtetit fuqi thuajse vetëm përfaqësimi.
Nenet e Kushtetutës që përcaktojnë rolin dhe funksionet e kreut të shtetit janë nga 83-shi deri tek 91-shi: në to, mes të tjerash, vendoset që Presidenti i Republikës zgjidhet nga Parlamenti i thirrur në seancë të përbashkët (Dhoma e Deputetëve dhe Senati) së bashku me përfaqësuesit e Krahinave. Mandati i Presidentit zgjat shtatë vjet. Neni 87 është ai që sqaron më me hollësi këtë figure. Në të, mes të tjerash, vendoset që: Presidenti i Republikës përfaqëson unitetin kombëtar. Mund t’u dërgojë mesazhe Dhomave të Parlamentit; shpall ligjet dhe nxjerr dekrete që kanë vlerën e ligjit dhe rregullore; ratifikon traktatet ndërkombëtare, duke marrë më parë autorizimin e Dhomave; është komandant i forcave të armatosura; drejton Shtabin e përgjithshëm të mbrojtjes të ngritur sipas ligjit, shpall gjendjen e luftës të vendosur më parë nga Dhomat; drejton Këshillin e lartë të drejtësisë; mund të japë faljen dhe të ndërrojë dënimin.
Në fund të mandatit të tij ish presidenti emërohet Senator i përjetshëm.
Le të shohim tani të gjitha figurat që kanë hipur në Quirinale, rezidenca zyrtare e Kreut të Shtetit.
Siç e thamë më lart, i pari ka qenë Enrico De Nicola. I lindur në Napoli në vitin 1877, kishte mbi shpatulla një përvojë të gjatë politike: nga viti 1920 deri më 1924-tën ka qenë President i Dhomës së Mbretërisë së Italisë. U vendos për zgjedhjen e tij sepse më shumë se të tjerët mund të gëzonte pëlqimin e shumicës së popullsisë: ishte nga jugu, dhe ky fakt vlente si kundërpeshë ndaj një klase drejtuese thuajse e gjithë e ardhur nga veriu i Italisë. Për më tepër ishte edhe pro monarkisë. Referendumi kushtetues kishte përfunduar me fitoren e republikës me më pas se dy milionë vota diferencë: 12.717.923 kundrejt 10.719.284. Ishte e nevojshme të zgjidhej një person që të mund të garantonte, në çastin delikat të tranzicionit nga një regjim në tjetrin, edhe pjesë jo të vogël të popullsisë që vazhdonte të identifikohej me Monarkinë.
De Nicola u zgjodh më 28 qershor 1946 me votimin e parë me 396 vota nga 504; dha dorëheqjen më 25 qershor 1947 por u rizgjodh një ditë më pas me votimin e parë me 405 vota nga 431. Mbeti në detyrë deri më 12 maj 1948.
Më pas ka mbuluar të tjera detyra të rëndësishme publike: President i Senatit nga 23 prilli 1951 deri më 24 qershor 1952; President i Gjykatës Kushtetuese nga 23 janari 1956 deri më 26 mars 1957. Vdiq dy vjet më pas.
Presidenti i parë i mirëfilltë i Republikës u zgjodh më 11 maj 1948. Luigi Einaudi në votimin e katërt, i pari votim ku mjafton shumica e thjeshtë dhe jo dy të tretat e votave, mori 518 vota nga 872. I lindur në vitin 1874, me formim liberal, kishte marrë pjesë në Senatin e Mbretërisë. Pas çlirimit ishte zgjedhur në Asamblenë Kushtetuese dhe kish qenë zëvendës Kryeministër në vitin 1947 dhe ministër i financave. Nga viti 1945 deri në zgjedhjen si President kishte mbuluar edhe detyrën e Guvernatorit të Bankës së Italisë.
Nuk ishte zgjedhur rastësisht një ekonomist në postin më të lartë të shtetit. Italia dilte e dërrmuar nga lufta botërore dhe ishte menduar që një njeri me cilësitë e Einaudit, që dinte si të vepronte dhe në të njëjtën kohë të qetësonte opinionin publik, të mund të ishte personi më i përshtatshëm për atë rol.
Shtatë vjetët e Einaudit u karakterizuan nga rindërtimi dhe qeveri të qendrës, por që, duke filluar nga viti 1953, vit i zgjedhjes së legjislaturës së dytë republikane, u futën në krizë. Einaudi diti të lëvizte me vendosmëri dhe qetësi duke lënë pas përfundimit të mandatit një kujtim të mirë. Vdiq në vitin 1961 pa mbuluar asnjë detyrë tjetër publike.
Giovanni Gronchi u zgjodh President i Republikës plot shtatë vjet pas paraardhësit të tij, dhe ashtu si Einaudi, me votimin e katërt. Mori 658 vota nga 833. I lindur në vitin 1887, katolik, në vitin 1919 kishte qenë një nga themeluesit e Partisë Popullore Italiane dhe në të njëjtin vit u zgjodh deputet; pasi bëri pjesë për një kohë të shkurtër në qeverinë e parë të drejtuar nga Benito Mussolini vendosi të tërhiqej nga jeta politike sepse nuk ishte dakord me fashizmin; më pas, me rënien e regjimit, rifilloi veprimtarinë politike dhe u bë ministër i Industrisë në qeveritë e para të pasluftës; president i Dhomës së Deputetëve nga 8 maji 1948.
Zgjedhja e tij u kundërshtua kryesisht nga gjiri i partisë së tij, Demokracia Kristiane, që fillimisht dukej e orientuar mbi Cesare Merzagora. Kishte kundërshtar të hapur kryeministrin Scelba, ndërsa e votoi një pjesë e të majtës.
Gronchi ishte në favor të hyrjes së socialistëve në qeveri, por shtatë vjetët e tij kujtohet kryesisht për faktet tragjike të vitit 1960, diametralisht të kundërta. Një vit më parë Gronchi kishte ngarkuar kolegun e partisë Tambronin të formonte një ekzekutiv që pa një shumicë të paracaktuar të kërkonte në Parlament votat e nevojshme për të qeverisur. Por të vetmet vota që arriti të marrë ishin ato të neofashistëve të Lëvizjes Sociale Italiane (Movimento Sociale Italiano-MSI). Në vend që të mos i pranonte dhe të linte mandatin, Tambroni pranoi dhe duke sfiduar Italinë demokratike i lejoi MSI-së të zhvillonte në Genova, qytet i nderuar me medaljen e artë të Rezistencës, kongresin e vet kombëtar në vitin 1960. Pasuan manifestime në shesh, me ndeshje me policinë dhe të disa të vdekur në të gjithë gadishullin.
Pas përfundimit të mandatit të tij, Gronchi nuk mori përsipër detyra të tjera dhe mbeti Senator i përjetshëm deri në vitin 1978 kur vdiq.
Për të zgjedhur presidentin e katërt të Republikës, u nevojitën nëntë votime. Më në fund u ngjit në Quirinale Antonio Segni, sard i vitit 1891, që mori 443 nga 842 vota. Demokristian, konservator, më parë kishte qenë kryeministër nga viti 1955 deri në 1957-tën e nga 1959-ta deri në vitin 1960 dhe disa herë ministër. Në gusht të vitit 1964 u godit nga një hemorragji e rëndë cerebrale. Përkohësisht i zëvendësuar nga presidenti i Senatit, Cesare Merzagora, dha dorëheqjen në dhjetor të të njëjtit vit.
Mbi punën e tij mbetet hija e një përfshirjeje të mundshme në atë që u quajt “Piano Solo”, tentativa e një grushti shteti kryer në verën e vitit 1964 nga gjenerali i Karabinierëve De Lorenzo. Fakti më i rëndë është që, teksa gjenerali vinte në gjendje pre-alarmi ushtarakët dhe përpilonte listat e udhëheqësve politikë që duheshin arrestuar, Segni e thirri në Quirinale gjatë konsultimeve për formimin e qeverisë së re. Ishte hera e parë, dhe fatmirësisht e vetmja, që një ushtarak thirrej për të diskutuar për formimin e një ekzekutivi. Sekretari i PSI-së, Nenni, foli hapur për rrezikun e grushtit të shtetit. Më në fund rreziku kaloi. Menjëherë më pas erdhi sëmundja dhe dhënia e dorëheqjes.
Në dhjetor të vitit 1964 në krye të shtetit u zgjodh Giuseppe Saragat. Lindur në Torino në vitin 1898, ishte udhëheqës i Partisë Socialiste Demokratike Italiane, parti e formuar në vitin 1947 nga një fraksion i PSI-së. Ishte hera e parë që një person i deklaruar i majtë arrinte të mbulonte detyrën më të lartë të shtetit. Reformator, filoamerikan i vendosur, u zgjodh pas 21 votimesh me 646 vota nga 937, ku vendimtare ishin ato të socialistëve dhe të komunistëve. Gjatë presidencës së tij u mundua me të gjitha mënyrat të favorizonte lindjen e mbarëvajtjen e qeverive të qendrës së majtë. Por gjatë shtatëvjeçarit të tij ndodhën protestat e Gjashtëdhjetetetës dhe lindja e subversionit të këmishëzinjve, që me atentatin e sheshit Fontana në Milano dhe me 16 të vdekurit e një bombe të vënë në një bankë, arriti kulmin e vet.
Mandati i tij mbaroi më 27 dhjetor 1971. Që atëherë u bë Senator i përjetshëm dhe president i partisë së tij. Vdiq në qershor të vitit 1988.
Për zgjedhjen e Giovanni Leones u deshën 23 votime. Demokristian i shquar, lindur në vitin 1908 në Napoli, mori 518 nga 996 vota, dhe vendimtare qenë ato të MSI-së. Më parë kishte qenë disa herë kryeministër dhe ministër. Në vitin 1967 Saragati e kishte emëruar senator të përjetshëm. Presidenca e tij shënon një nga periudhat më të errëta të Republikës italiane, që arriti kulmin në mars të vitit 1978 me rrëmbimin dhe vrasjen, dy muaj më pas, të presidentit të DC-së, Aldo Moro. Nga shtatëvjeçari i tij mbeten në mendje një fotografi që e tregon teksa u bën shenjën e brirëve me gishta studentëve që e kundërshtojnë, dhe dorëheqja në qershor të vitit 1978 pas dyshimeve mbi pjesëmarrjen e tij në skandalin Lochkeed, shoqëri aeronautike amerikane, e akuzuar për mitëdhënie politikanëve italianë për favorizimin e një blerjeje avionësh. Leone vdiq në vitin 2001 në Romë.
Kreu i ri i shtetit do të trashëgonte një situatë shumë të rëndë: terrorizmi bënte ligjin dhe presidenca e Republikës nuk kishte qenë kurrë më parë kaq e përfolur. Pas 16 votimesh, zgjidhet Sandro Pertini. I lindur në vitin 1896 në Liguria, ishte një nga baballarët e socializmit italian dhe të republikës. Kur u zgjodh kryetar i shtetit ishte 82 vjeç dhe mori 832 nga 995 vota. Praktikisht e votoi vetëm e djathta ekstreme. E kreu më së miri detyrën që iu vu mbi shpatulla dhe, edhe sot e kësaj dite, është një nga presidentët më të dashur nga njerëzit. Riafroi Quirinalen me njerëzit që për herë të parë patën ndjesinë që mund t’i besonin verbërisht presidentit të tyre. Stili i tij ishte krejtësisht i ri, energjik dhe i drejtpërdrejtë. Në vite të errëta nuk hoqi dorë asnjëherë nga mbrojtja e institucioneve republikane. Rikonfirmoi sa herë mundi, vlerën e Rezistencës, themeluese e Italisë së re. Prej tij mbeten në mendje fjalët e ashpra që përdori pas tërmetit që në vitin 1980 shkatërroi jugun e vendit. Kur shkoi në vendet e tragjedisë denoncoi hapur vonesën e turpshme në dhënien e ndihmës, vonesë që shkaktoi më shumë të vdekur se vetë tërmeti. Mbetet i pashlyeshëm në sytë e italianëve ngazëllimi i tij fëmijëror kur Italia fitoi kampionatin botëror të futbollit në vitin 1982. Edhe ai, në përfundim të mandatit, u bë senator i përjetshëm deri kur vdiq në vitin 1990.
Pasardhësi i tij ishte Francesco Cossiga, ai që për momentin ngelet më i riu nga presidentët italianë. Lindur në Sassari në vitin 1928, demokristian, nxënës besnik i Antonio Segnit, ishte vetëm 57 vjeç në çastin e zgjedhjes por me një karrierë të gjatë mbi shpatulla të karakterizuar nga momente dramatike. Ministër i Brendshëm në çastin e rrëmbimit të Aldo Moros, dha dorëheqjen pas vrasjes së udhëheqësit demokristian. Në vitin 1980 u bë kryeministër dhe më pas president i Senatit, detyrë që mbuloi deri kur u ngjit në Quirinale. Për ta zgjedhur u votua vetëm një herë: mblodhi 752 vota nga 977. Shtatëvjeçari i tij duket i ndarë dysh. Pas pesë vjetëve të parë, gjatë të cilëve thuajse nuk u ndie roli i tij, në dy vjetët e fundit nuk la gjë pa thënë mbi të gjithë dhe gjithçka, duke filluar nga çështja Gladio. Ai ka qenë i pari që u përpoq t’i jepte republikës karakter presidencial, aq sa e majta arriti të kërkonte paditjen e tij për tradhti të lartë. Dha dorëheqjen vetëm dy muaj përpara përfundimit të mandatit. Sot është senator i përjetshëm dhe vazhdon të ndërhyjë me vendosmëri në jetën politike italiane.
Zgjedhja e pasardhësit të tij, Oscar Luigi Scalfaros, u bë në një tjetër moment dramatik të republikës. Teksa Tangentopoli mbizotëronte në skenën politike, Parlamenti nuk arrinte të gjente një kandidat të përshtatshëm për këtë post. Por ndërkohë, ndodhi atentati ndaj gjykatësit Giovanni Falcone, ku mbetën të vrarë ai, e shoqja dhe njerëzit e truprojës. Në këtë situatë të nderë, më në fund u gjet një rrugëdalje. Pas 16 votimesh, Scalfaro mori 672 nga 1002 vota. Politikan me përvojë, demokristian, lindur në Novara në vitin 1918, kryetari i ri i shtetit kishte mbuluar më parë pothuajse të gjitha detyrat publike. Në çastin e zgjedhjes ishte president i Dhomës së deputetëve. Shtatëvjeçari i tij shënoi një kthesë rrënjësore në historinë e vendit: ndërrimi i sistemit elektoral nga proporcionali në mazhoritar solli bipolarizimin politik. Tangentopoli shënoi fundin e nomenklaturës së vjetër politike dhe lindjen e një klase të re udhëheqëse. Në vitin 1994 nga zgjedhjet doli fituese e djathta e Silvio Berlusconit. Scalfaro punoi gjithnjë për respektimin e rregullave demokratike e parlamentare. Ai u vu në shënjestër, veçanërisht nga eksponentë të qendrës së djathtë. Pas përfundimit të mandatit ka vazhduar veprimtarinë e tij politike si senator i përjetshëm në mbrojtje të Kushtetutës së shtrembëruar nga reformat e të djathtës.
Carlo Azeglio Ciampi, mandati i të cilit mbaroi më 15 maj, u zgjodh me votimin e parë në maj të vitit 1999 me 707 vota nga 990. Lindur në vitin 1920 në Toscana, ka qenë për shumë vjet Guvernator i Bankës së Italisë para se të bëhej kryeministër e më pas ministër i Thesarit në qeverinë e Romano Prodit. Si ministër dha ndihmesë të vyer për rimëkëmbjen e financave dhe për futjen e Italisë në parametrat europianë.
Shtatëvjeçari i tij u karakterizua nga mbrojtja e zjarrtë e Unitetit kombëtar dhe i Atdheut si një i tërë e i pandarë. Ky qëndrim ishte mëse i nevojshëm për faktin se vendi ishte i ndarë dysh. Ciampi ka kryer me vendosmëri rolin e tij dhe ka arritur të ketë respektin e dashurinë e të gjithëve, gjë jo aq e thjeshtë.
Prej shtatë vjetësh presidenca ka kaluar në duart e Giorgio Napolitanos, napolitan i datëlindjes 1925. Në vitin 2006 është zgjedhur me votimin e katërt me 543 vota nga 990 është i pari ish komunist që arrin shkallën më të lartë të shtetit. Europeist i bindur, gjatë karrierës së tij politike i janë ngarkuar detyra të ndryshme institucionale: mes të tjerash, ka qenë ministër i Brendshëm (bashkë me Livia Turcon është autor i ligjit mbi imigracionin 40/1998, i njohur ndryshe edhe si ligji Turco-Napolitano) dhe kryetar i Dhomës së deputetëve.
Më 20 prill 2013, për të parën herë në historinë e republikës italiane, në votimin e gjashtë për presidentin e ri, parlamenti ka konfirmuar Giorgio Napolitanon për një mandat të dytë në krye të shtetit.