Janë arrestuar në aeroportin Marconi në Bologna dy shtetas shqiptarë; i tradhton italishtja e shkëlqyer që flisnin që i shtyn forcat e policisë të mos u besojnë se janë të sapombërritur në Itali
Romë, 13 korrik 2011 – Një ndryshim gjeneralitetesh në zyrat e gjendjes civile shqiptare për të shmangur kontrollet kufitare e për tu kthyer në Itali si turistë, edhe nëse je i kërkuar apo ke pasur një dënim penal. Sipas të përditshmes Corriere della Sera, kjo strategji që po ndjekin disa shtetas shqiptarë është zbuluar nga Policia Kufitare aeroportin Marconi. Brenda një jave janë zbuluar gjashtë persona që kanë dashur të hyjnë në mënyrë të paligjshme: dy shqiptarë janë arrestuar, ndërsa katër të tjerë janë riatdhesuar.
Gjithnjë sipas të përditshmes italiane, në pranga kanë përfunduar Dorian Gjergji 30 vjeç dhe Elton Marcaj, 34 vjeç. I pari ka pasur një urdhër arresti të Gjykatës së Sienës për shkelje lidhur me drogën, i dyti ka një urdhër për burgim të lëshuar nga Gjykata e Apelit e Firences për vjedhje dhe përdorim të akteve të rreme.
Sipas forcave të policisë kjo manovër bëhet e mundur sepse “në Shqipëri është e lejuar të ndryshohet deri në tre herë gjatë jetës, emri”. Duke përfituar nga kjo mundësi, edhe ata që kanë jetuar në Itali e kanë pasur telashe me drejtësinë, mund të vijë sërish në vend pa kërkuar vizë (që ka shumë mundësi të mos i jepej), por thjesht me pasaportë e cila lejon një qëndrim deri në 90 ditë për turizëm.
Kjo gjë i kishte rënë në sy një polici në aeroportin Marconi, duke kontrolluar dokumentet e një shqiptari që sapo kishte zbritur nga avioni: Dorian Gjergji fliste një italishte të kulluar, megjithëse në pasaportë kishte shumë pak vula hyrjeje në Itali. Një kontroll në bankën e të dhënave nxori se me të njëjtin mbiemër kishte dhe një Dritan, i cili ishte i kërkuar nga drejtësia italiane. Polici e thirri me këtë emër, e i riu iu përgjigj. E njëjta gjë ndodhi disa ditë më pas me një 34-vjeçar, i cili kërkohej me emrin Spiro Marcaj. Përveç këtyre dy personave që përfunduan në burg, katër shqiptarë të tjerë të zbritur në aeroportin Marconi dhe janë përpjekur të hyjnë në Itali në të njëjtën mënyrë, u kthyen dhe u riatdhesuan. Policia Kufitare ia ka raportuar këtë fenomen në Ministrisë së Brendshme.
Lexo edhe: Korçë: Arrestohen 4 vetë për falsifikim të pasaportave biometrike