in

Të martohesh në Itali

Martesa mes një shtetasi të huaj dhe një italiani apo mes dy shtetasve të huaj prej të cilëve të paktën njëri është me qëndrim të rregullt në Itali

Kush martohet në Itali, edhe pse i huaj, duhet të respektojë ligjin italian mbi të drejtën e familjes. Për t’u martuar në Itali me një shtetas italian apo me një shtetas jokomunitar nuk është e nevojshme të kesh lejeqëndrimin por mjafton një dokument identifikimi i vlefshëm (p.sh. pasaporta). Nga data 25 korrik 2011, falë sentencës së gjykatës Kushtetuese, nuk kërkohet më leja e qëndrimit, normë që kish ardhur në fuqi në vitin 2009 me një paketë sigurie.

Ç’duhet bërë

Shtetasi jokomunitar që dëshiron të martohet në Itali duhet të kërkojë pranë Konsullatës së vendit të vet në Itali lejen (nulla-osta) për martesë. Leja është një deklaratë nga e cila rezulton se, në bazë të ligjit të vendit të vet, nuk ekziston asnjë pengesë për martesë. Shtetasit shqiptarë e marrin në konsullatë.

Me të marrë lejen për martesë, duhet shkuar në Zyrën e legalizimit të Prefekturës për të autentifikuar firmën e Konsullit.

Nëse shtetasi i huaj ka lejeqëndrim dhe vendbanim në Itali duhet të kërkojë edhe certifikatat e gjendjes civile (nga ku duhet të rezultojë që është i lirë) dhe të vendbanimit (rezidenca) me pullë takse me vlerë 14,62 euro në zyrat e Gjendjes civile të komunës ku banon.

Nëse kërkohet martesa sipas një riti fetar të njohur nga shteti italian i duhet bërë kërkesë figurës përkatëse fetare që do të celebrojë martesën.

Pasi janë bërë të gjitha këto, shtetasi i huaj së bashku me bashkëshortin e ardhshëm duhet të shkojë në Zyrën e Martesave të Gjendjes civile qendrore të qytetit ku ka vendbanimin (nëse nuk ka vendbanim, shkohet në zyrën e qytetit të shtetasit me vendbanim) dhe të paraqesë dokumentet e mëposhtëm:

1. dokument identiteti të paskaduar të të dy bashkëshortëve të ardhshëm;
2. certifikatë lindjeje të autentikuar nga Konsullata e Vendit të vet;
3. lejen e lëshuar nga Konsullata apo Ambasada;
4. certifikatën e gjendjes civile dhe të vendbanimit me pullë takse nëse shtetasi i huaj është me vendbanim në Itali;
5. nëse një nga bashkëshortët e ardhshëm është italian, ai mund të vetëdeklarojë vendbanimin dhe gjendjen e vet civile të lirë;
6. kërkesën që i është paraqitur figurës fetare që do të celebrojë martesën.

Nëpunësi i Gjendjes civile do të përcaktojë më pas ditën për betimin.

Ditën e caktuar për betim do të shkëmbehet publikisht premtimi për lidhje martesore përpara Nëpunësit të Gjendjes civile. Gjatë betimit duhet të jenë të pranishëm dy dëshmitarë për secilin bashkëshort. Në rast se dëshmitarët janë të huaj ata duhet të kenë lejeqëndrim të vlefshëm.

Me kërkesë të bashkëshortëve mund të jetë i pranishëm edhe një përkthyes.

Zyra merr përsipër shpalljen, me një fjalë do të nxjerrë në tabelën e lajmërimeve të Komunës një fletë me emrat e bashkëshortëve të ardhshëm dhe vendin ku do të martohen.

Me kalimin e tetë ditëve (duke përfshirë të paktën 2 të diela) nga shpallja, Zyra e Martesave do të lëshojë një certifikatë mbi kryerjen e shpalljes. Ky dokument i duhet dorëzuar, brenda 180 ditëve, Nëpunësit të Gjendjes civile pranë Komunës së vendbanimit për të caktuar datën e martesës.

Ekzistojnë raste të veçanta për të cilat nuk ndiqen rregullat e përgjithshme

– Të huajt me statusin e refugjatit në bazë të Konventës së Gjenevës:

Nëse i huaji është refugjat duhet të kërkojë lejen për martesë pranë ACNUR-it (Komisariati i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët) duke paraqitur një akt noterial të bërë në Prefekturë me emrin, mbiemrin, shtetin nga vjen dhe gjendjen civile të dy dëshmitarëve me dokument identiteti.

– Shtetas të SHBA-së

Nëse është shtetas amerikan, në vend të lejes, duhet të paraqesë një deklaratë të betuar dhënë përpara Konsullit të SHBA-së me firmën të autentifikuar në prefekturë, akt noterial dhënë përpara Gjykatësit Unik dhe certifikatë lindjeje.

Ndarja e të mirave apo bashkëpronësia

Sipas ligjit italian të gjitha të ardhurat dhe të mirat materiale të blera prej njërit nga bashkëshortët janë pronë e të dyve (bashkëpronësia familjare). Nëse bashkëshortët dëshirojnë ndarjen e të mirave është e nevojshme që të deklarojnë në çastin e martesës.

Martesa mes dy shtetas të huaj me qëndrim të parregullt në Itali

Në rast se të dy bashkëshortët e ardhshëm nuk kanë lejeqëndrim dhe vendbanim në Itali, martesa mund të lidhet vetëm pranë Ambasadës apo Konsullatës së Shtetit të tyre në Itali. Në këtë rast janë të vlefshme normativat përkatëse të parashikuara nga ai Shtet. Në këtë rast martesa nuk u jep asnjë të drejtë për të marrë edhe lejen e qëndrimit në Itali

Lejeqëndrimi për motive familjare

Me t’u martuar me një shtetas italian, shtetasi i huaj ka të drejtën e lejeqëndrimit për motive familjare. Nëse është në poses të një lejeqëndrimi për çfarëdo motivi mund të kërkojë kthimin në lejeqëndrim për motive familjare, duke përdorur kompletin e formularëve të posaçëm që duhet t’ia nisë kuesturës nga një zyrë postare. Nëse nuk ka lejeqëndrim shtetasi i huaj nuk mund të dëbohet nga territori italian dhe sidoqoftë mund të kërkojë lejeqëndrim për motive familjare, duke shkuar drejtpërdrejt në Kuesturë, në Zyrën qendrore.

Në këtë rast duhen paraqitur:

1. pullë takse me vlerë 14,62 euro
2. 4 fotografi, format tesere
3. vetëcertifikim i shtetasit italian që dëshmon bashkëjetesën dhe kryerjen e martesës
4. fotokopje e pasaportës.

Ky lejeqëndrim lëshohet vetëm pasi të jetë verifikuar bashkëjetesa në vendbanimin e shënuar në kërkesën për lëshimin e lejeqëndrimit. Me të marrë lejeqëndrimin për motive familjare, titullari mund të punojë, të studiojë, të përfitojë ndihmën mjekësore etj.

Duhet mbajtur parasysh se në rast martese të një shtetasi të huaj me një italian, ligji italian parashikon të drejtën e lëshimit të “kartës së qëndrimit të familjarit të shtetasit të BE-së”, duke paraqitur në Kuesturë të njëjtat dokumente të parashikuara për kërkimin e lejeqëndrimit për motive familjare, ose duke i nisur kuesturës kompletin e formularëve nga zyra postare.

Ç’ndodh nëse nuk lëshojnë lejeqëndrimin

Kundër refuzimit të lejeqëndrimit për motive familjare mund të paraqitet kërkesë për hedhjen poshtë të vendimit pranë Gjykatës së qytetit ku banohet. Aktet e procedimit nuk kanë nevojë për asnjë lloj pullë takse.

Tërheqja e lejeqëndrimit

Lejeqëndrimi për motive familjare tërhiqet menjëherë nëse vërtetohet që pas lidhjes martesore nuk ka pasur bashkëjetesë të vërtetë, me përjashtim të rastit kur nga martesa kanë lindur fëmijë.

Konvertimi i lejeqëndrimit

Në rast ndarjeje ligjore, apo në rast vdekjeje të familjarit në bazë të të cilit është marrë lejeqëndrimi, ky i fundit mund të kthehet në lejeqëndrim për punë të varur, të pavarur apo për studim.

Shtetësia italiane për martesë

Shtetasi i huaj i martuar me një italian nuk e përfiton automatikisht shtetësinë italiane por duhet të paraqesë kërkesë të posaçme pranë zyrës së Prefekturës. Kërkesa mund të bëhet pas të paktën dy vjetëve nga data e martesës por është e nevojshme që ai që bën kërkesën të jetë me rezidencë të rregullt në Itali prej të paktën po aq muajsh. Nëse shtetasi i huaj i martuar me një italian nuk ka vendbanim, pas martesës, sapo të marrë lejeqëndrimin për motive familjare mund të kërkojë regjistrimin e vendbanimit pranë zyrave të Gjendjes civile të Komunës (pasi për të kërkuar shtetësinë duhet të përmbushë edhe kriterin e dy vjetëve të rezidencës).

Dhënia e shtetësisë italiane varet nga verifikimi, nga ana e ministrisë së Brendshme e kushteve të parashikuara nga ligji (bashkëjetesa dhe martesa akoma e vlefshme) deri në çastin e lëshimit të dekretit të shtetësisë.

Avv. Mascia Salvatore

 

Si merret leja e martesës në konsullatat shqiptare

Gëzuar ditëlindjen “Scanderbeg”!