Nga Stefano Rodotà
Vetëm në dukje shenjat e gishtërinjve mund të konsiderohen një mjet neutral. Kanë një vlerë të fortë simbolike: ata që i regjistrojnë duket sikur përvetësojnë trupin e tjetrit. Shprehin politika kontrolli të përgjithësuar apo jashtëzakonisht agresive ndaj grupeve të caktuara. Mund të hyjnë në konflikt me parime kushtetuese themelore, si respekti i dinjitetit të njeriut dhe barazia. Për këtë legjislatorët e kanë trajtuar me shumë kujdes mbledhjen e tyre, janë munduar ta lidhin atë me situata të jashtëzakonshme apo të veçanta duke dëshmuar kështu një farë ndërgjegjeje negative apo një vetëdijeje të rreziqeve të stigmatizimit shoqëror, lidhur me mënyra të përgjithësuara të përdorimit të shenjave të gishtërinjve. Shenjat e gishtërinjve dhe rregullat e përdorimit të tyre kanë një histori të gjatë që në epokën moderne lidhet ngushtë me nevojat e rendit publik. Kështu është për emirin dhe për të gjitha teknikat e tjera të identifikimit, që kanë njohur një përhapje të jashtëzakonshme falë biometrisë dhe gjenetikës.
Një përhapje e tejskajshme pas 11 shtatorit. Nevojat e luftës kundër terrorizmit kanë kaluar caqet e arsyes, për këtë bashkohen instrumentet nga më të ndryshme për të ndërtuar një shoqëri të kontrollit. Kështu ndryshon thellësisht marrëdhënia ndërmjet shteti dhe shtetasve, humb vlerë premtimi i vjetër i habeas corpusit, angazhimi sovran për të mos prekur një trup që sot, nuk e konceptojmë më vetëm nga pikëpamja fizike por në përmasat ndërtuar nga grumbullimi i të gjitha teknologjive që e segmentojnë, e thjeshtojnë në një shenjë gishtash, në një skanim të bebes së syrit, në gjurmimin e ADN-së. Ndryshimi nuk ndalet me marrëdhënien me shtetin. Ndryshon vetë mënyra e të konceptuarit të njeriut, e copëzuar dhe gjithmonë në dispozicion për cilindo që dëshiron të përvetësojë ndonjë nga fragmentet, për ta identifikuar, kontrolluar dhe diskriminuar. është një kontekst i ri ky që kemi përpara sot, ku teknika e shenjave të gishtërinjve nuk është aspak pak invazive, absolutisht e sigurt.
Shenjat e gishtërinjve shënojnë një gjurmë të vazhdueshme të të gjitha kalimeve tona: ngasja e një makine, hapja e një dere, marrja e një gote, leximi i një libri, apo përdorimi i një kompjuteri, lejojnë rindërtimin e lëvizjeve tona për cilindo disponoftë gjurmën tonë. Nuk është kështu nëse zbatohet një tjetër kriter identifikimi si skanimi i irisit: nuk lëmë gjurmë kur shikojmë një objekt, apo lexojmë një gazetë. Në dukje më pak invazive, mbledhja e gjurmëve sjell një ortek efektesh shoqërore që e vënë individin në dorë të një sërë kontrolluesish të mundshëm. Është një teknikë e sigurt për t’u zbatuar, për shembull për të zëvendësuar kodin sekret të një bankomati, duke shmangur rreziqet e vjedhjes së identitetit? Jo. Nëse dikush vjedh kodin tim sekret, unë mund ta zëvendësoj me një të ri dhe të vazhdoj kështu të përdorë bankomatin tim. Por nëse vjedhja ka të bëjë me shenjat e gishtërinjve, sepse këto të fundit nuk janë të zëvendësueshme, pasojat janë dramatike: do të përjashtohem nga të gjitha sistemet e bazuara mbi identifikimin në bazë të shenjave të gishtërinjve. Nuk është një hipotezë e paimagjinueshme. Tashmë e dimë të gjithë se shenjat e gishtërinjve janë të riprodhueshme dhe të falsifikueshme, madje para disa muajsh një grup hackerash gjermanë ka vënë në qarkullim me revistën Die Datenschleuder një shirit të vogël plastik ku është riprodhuar shenja e gishtërinjve të ministrit të brendshëm Wolfgang Schauble, një fanatik i sistemit të kontrollit. Pra teknika e gjurmëve të gishtërinjve jo vetëm që nuk është e sigurt por është edhe e rrezikshme, për shkak të shpërhapjes së gjurmëve pa dijeninë e të interesuarit, në raste dhe vende që ky i fundit nuk ka frekuentuar kurrë. Kujdesi teknik duhet të lërë vend për kujdesin politik, virtyt i humbur në shumë vende, dhe me një intensitet të veçantë në Itali.
Teknologjia, e vjetra apo e reja, është tashmë e konceptuar si rruga e vetme për zgjidhjen e problemit, duke lënë pas dore çfarëdolloj skrupujsh, dhe duke kontribuar në shpërgjegjësimin e dhe çnjerëzimin e veprimit politik. Futen hundët në çdo normë, pa turp apo inteligjencë në interpretimin e kontekstit, për të përfunduar se është legjitime përdorimi i gjurmëve të gishtërinjve praktikisht në çdo rast, me kushte të diskutueshme, apo me argumentin hipokrit se gjithçka është në të mirë të njerëzve. Gjithçka thjeshtohet në një çështje të rendit publik, dhe kështu mund të ndodhë për një rifreskim i normave fashiste, në çëshjtet e sigurisë publike, të nxjerra pasi deri edhe Alfredo Rocco, autori i kodit penal në 1930, kishte parapëlqyer të heshtte përpara një çështjeje kaq delikate. Që prej asaj kohe nuk ka ndryshuar asgjë? Sa rëndësi kanë kushtetuta, vlera e individit, që aq shumë përmendin politikanët e qendrës së djathtë, të gatshëm për devijim pikërisht kur duhet të ishte pika e parë e referimit? Eshtë e papranueshme, përpilimi i një patchwork-u normash të shkruara në epoka të ndryshme dhe me qëllime madje kundërshtuese, drejtuar marrësve të ndryshëm, për të vënë bazën ligjore të një iniciative që është një skedim mbi bazë etnike. Nga kushtetuta italiane e 1948 deri tek Karta e të drejtave themelore të Bashkimit Evropian të gjitha dokumentet në lidhje me lirinë dhe të drejtat përjashtojnë shumë qartë çfarëdolloj diskriminimi bazuar në racë. Në fakt po ndodh pikërisht kjo. Qëllimi i shpallur për t’u siguruar fëmijëve rom, respektimin e shkollës së detyruar, një banesë dinjitozë, lirinë e shfrytëzimit, ka të bëjë me një gjendje të të miturve që prek në mënyrë dramatike mijëra fëmijë të tjerë. Ja një shembull. Braktisja e shkollës është në masën 8% në shkallë vendi, dhe arrin deri në masën 16% në jug. Të izolosh mes këtyre vetëm romët, do të thotë të bësh një përzgjedhje me bazë etnike, dhe dhunon barazinë dhe lëndon dinjitetin.
Kur në 1949, u shkrua kushtetuta e Gjermanisë së re, neni i parë i saj u konceptua qëllimisht kështu: “Dinjiteti njerëzor është i padhunueshëm”. Braktisej kështu një traditë që hapte kushtetutat me fjalë për lirinë, dhe barazinë pikërisht sepse synohej të reagohej kundër nazizmit, që kishte mohuar më shumë se çfarëdolloj gjëje tjetër njerëzoren, persekutimin racor, dhe katandisjen e njerëzve në kavje për eksperimente. Parimi i dinjitetit, që duhej të ishte masa dhe kufiri i çfarëdolloj ndërhyrjeje legjislative, asgjësohet nga ndonjë qarkore ministrore. Kjo nuk lëndon vetëm romët, të rritur e të mitur qofshin, kur i detyron të japin shenjat e gishtërinjve. Dëmton shoqërinë tonë nga pikëpamja shoqërore e kulturore. Nëse qeveria ndërton komisione të veçanta për romët dhe zbaton për ta një skedim të veçantë, legjitimon dhe përforcon stigmatizimin që u rëndon mbi kokë. “I ndryshmi” personifikon zyrtarisht një rrezik, dhe kështu pushojnë së qeni për të garancitë kushtetuese, parimet e qytetarisë. Zgjerohet hendeku midis njerëzve “të mirë”, dhe gjithë të tjerëve pikërisht atje ku dialogu është e vetmja mënyrë për të prodhuar siguri të vërtetë dhe të ndalojë që të gjithë të shndërrohen në barbarë.
Stefano Rodotà (tetor 2009)