Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Europian miratoi dje me 59 vota pro dhe 1 kundër Rezolutën për Shqipërinë por njëkohësisht i ka kërkuar klasës politike shqiptare dialog për zgjidhjen e krizës dhe për një ligj të ri zgjedhor
24 qershor 2010 – Komiteti i Jashtëm i Parlamentit Europian miratoi paraditen e djeshme – me 59 vota pro dhe 1 kundër – Rezolutën sipas së cilës qytetarët shqiptarë do mund të lëvizin pa viza në zonën Shengen brenda vitit 2010.
59 nga 60 eurodeputetët e pranishëm në Parlamentin Europian dhanë votën e tyre në favor të liberalizimit të vizave me Shqipërinë, por kërkuan që qeveria shqiptare të përmbushë tri kriteret e mbetura gjatë javëve në vazhdim, me qëllim që t’u hapet rruga Këshillit dhe Parlamentit të miratojnë përfundimisht liberalizimin e vizave për qytetaret shqiptare brenda fundit të këtij viti.
Por, përveç përmbushjes së tri kritereve të mbetura, gjatë miratimit të rezolutës, europarlamentarët kërkuan që klasa politike shqiptare të zgjidhë krizën politike, me qëllim që të plotësohet kriteri politik në përputhje me kriteret e Kopenhagenit, si kushti kryesor për përfitimin e statusit të vendit kandidat.
Në rezolutë u apelua edhe domosdoshmëria për pavarësinë dhe shmangien e kontrollit qeveritar ndaj sistemit të drejtësisë. Disa prej amendamenteve të hartuara nga eurodeputetët e majtë dhe të djathtë, që do t’i bashkëngjiteshin rezolutës janë zëvendësuar me të ashtuquajturat “amendamente kompromisi” midis grupimeve të ndryshme politike të Parlamentit Europian.
Eurodeputeti grek Nikolaos Chountis, që është edhe hartues i raportit për Shqipërinë, deklaroi në një media televizive se, çështja e vizave është një e drejtë që u takon qytetarëve shqiptarë. “Kishte një amendament që do të ndryshonte paragrafin për vizat, por unë dhe i gjithë komisioni i jashtëm i parlamentit ishim kundër këtij ndryshimi”, tha Chountis. Sipas tij, qarkullimi pa viza për një afat të shkurtër, është një e drejtë e qytetarëve shqiptarë. “Ne dhamë një mbështetje jo vetëm si parlament, por gjithashtu i dhamë shtysë Komisionit Europian që të zgjidhë çështjen e vizave sa më shpejt të jetë e mundur”, nënvizoi eurodeputeti grek.
Në raportin e aprovuar, PE thekson se ngërçi politik në Shqipëri mund të zgjidhet vetëm në përputhje të plotë me Kushtetutën e Shqipërisë dhe parimin e transparencës.
Megjithatë, rezoluta vë në dukje se me gjithë iniciativën e përfaqësuesve të Parlamentit Europian, liderët politikë nuk kanë gjetur ende gjuhën e përbashkët për të zgjidhur krizën politike. Për këtë arsye, eurodeputetët kanë apeluar për zgjidhjen e kësaj situate për të plotësuar kriterin politik, si mundësia kryesore për të qenë vend kandidat për në BE, si dhe për të bërë të mundur reformimin e sistemit zgjedhor në vend.
“Rezoluta bën thirrje gjithashtu për një zgjidhje të ngërçit aktual politik pas zgjedhjeve parlamentare të qershorit 2009. Ajo vë në dukje se funksionimi tërësor i institucioneve, sidomos i Parlamentit, është shtylla kurrizore të një sistemi të konsoliduar demokratik, si dhe një kriter i rëndësishëm politik për integrimin në BE”, – thuhet në deklaratën për shtyp të Parlamentit Europian pas mbledhjes së Komitetit të Jashtëm të këtij institucioni.
“Një tjetër parakusht për integrimin e Shqipërisë në BE është edhe reforma në sistemin gjyqësor, duke përfshirë zbatimin e vendimeve gjyqësore dhe sigurimin e ndarjes së pushteteve, ashtu si në një shoqëri demokratike. Gjyqësori duhet të jetë i paanshëm dhe efikas, i pavarur nga çfarëdo lloj presioni politik apo kontrolli tjetër”, – shkruhet në deklaratë.
Deklarata specifikon gjithashtu se Shqipëria duhet të bëjë më shumë për të luftuar korrupsionin, që në rezolutën e hartuar nga Chountis, kjo çështje është ende një problem mbizotërues.
Nënkryetari i delegacionit për Europën Juglindore, Jelko Kacin deklaroi se, ”ne jemi në favor të integrimit të Shqipërisë, por edhe Shqipëria duhet të jetë në favor të integrimit të saj”. Sipas tij, “mesazhet e brendshme që po vijnë nga Tirana nuk janë ende pozitive sa duhet, pasi para heqjes së vizave do të shtrohen pyetje të tjera”. “Unë u kërkoj përfaqësuesve kryesorë politikë në Shqipëri që të tregohen më të pjekur dhe të gjejnë një marrëveshje për të kapërcyer pengesën e besimit” përfundoi Kacin.