in

Eliza Dushku, Ambasadore e Tiranës në botë

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha takon aktoren me famë botërore, Eliza Dushku. Kjo e fundit pranon propozimin e kryebashkiakut Basha për të qenë ambasadore nderi e Tiranës, e ngarkuar për artet, kulturën dhe turizmin

Tiranë 8 gusht 2011 – Aktorja me famë botërore Eliza Dushku, që po viziton këto ditë Shqipërinë, do të jetë ambasadore nderi e Tiranës në botë, e ngarkuar për artet, kulturën dhe turizmin. Këtë e pohoi kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha, pas një takimi të dielën në ambientet e bashkisë me aktoren Dushku, që shtoi edhe “ajo pranoi propozimin e tij për të përfaqësuar fuqimisht Tiranën dhe për të ndihmuar në vendosjen e saj në hartën turistike, artistike dhe kulturore të botës”.

Dushku ka lënë mënjanë angazhimet kinematografike në Hollivud dhe është rikthyer në Shqipëri, në vendin e të parëve të saj, por kësaj here më një mision. Për 10 ditë me radhë, e shoqëruar nga një grup xhirimi amerikan, aktorja 31 vjeçare do të udhëtojë nëpër Shqipëri për të dokumentuar bukuritë dhe vlerat e vendit të origjinës që e përmend me krenari sa herë që i jepet rasti. Ajo deklaroi se turneun e saj do ta fillojë nga qytetit i Korçës, dhe më pas do të vijojë vizitën e saj në qytete të tjera të Shqipërisë.
Bashkë me Elizën në realizimin e dokumentarit për Shqipërinë do të kontribuojnë dhe artistë të tjerë me famë botërore si soprano Inva Mula, fotografi Fadil Berisha dhe aktori Blerim Destani.

Kryebashkiaku i Tiranës Basha theksoi se prania e aktores në dokumentarin që do të paraqitet në rrjetet më prestigjioze të botës për turizmin në Shqipëri, do të vendosë Shqipërinë në hartën turistike, artistike dhe kulturore të botës. “Jam shumë i lumtur që Eliza ndodhet sot në Tiranë dhe besoj se  flas edhe në emër të gjithë qytetarëve të Tiranës që e kanë pritur këtë vizitë me shumë kënaqësi. Të gjithë jemi të kënaqur dhe entuziastë për vizitën e saj, që padyshim që do të shërbejë për ta vendosur Tiranën fuqimisht në hartën turistike të botës”, tha Basha.

Basha i dhuroi aktores Kullën e Sahatit të Tiranës, simbolikën e qytetit, si dhe i bëri të ditur se do t’i propozojë Këshillit Bashkiak për t’i dhënë titullin “Qytetare Nderi e Tiranës”. Më pas ai e shoqëroi Eliza Dushkun në vizitën që ajo bëri tek Muzeu dhe Sahati i Tiranës si dhe në një shëtitje në Bulevardin e Tiranës.

Të zbarkuar shumë vjet më parë

Bari. Ceremoni për 20 vjetorin e zbarkimit të Vlorës