Për të festuar 100 vjetorin e Pavarësisë, Banka e Shqipërisë do të prodhojë mijëra monedha përkujtimore në ar, argjend dhe bakër
Tiranë, 23 gusht 2011 – Për 100 vjetorin e Pavarësisë, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka vendosur të prodhojë dymbëdhjetë mijë monedha përkujtimore në ar, argjend dhe bakër, për koleksionistët në të gjithë botën.
Vendimi i Këshillit Mbikëqyrës i jep të drejtë guvernatorit të ngrejë grupin e punës për skicimin e këtyre monedhave.
Do të prodhohen 1 mijë monedha ari me vlerë nominale 200 lekë, me peshë 15,5 gr dhe me pastërti ari 900/1000, që i korrespondon arit prej afërsisht 22 karatë. Nga këto, 100 monedha do të ruhen nga Banka e Shqipërisë në fondin e vet të paprekshëm numizmatik.
Këto monedha do të kenë përmbajtje ari me vlerë prej 800-900 dollarësh, por çmimi i tyre në treg do të jetë më i lartë, në varësi të vlerësimit të koleksionistëve për rëndësinë dhe bukurinë e këtyre monedhave. BSH do të prodhojë gjithashtu edhe 1 mijë monedha argjendi me peshë 30 gramë dhe me pastërti 925 për mijë.
Për koleksionistët që kanë shumë pasion, por pak para, BSH do të emetojë edhe 10 mijë monedha bakri me peshë 12 gramë.
Shqipëria ka prodhuar monedha të ndryshme përkujtimore gjatë dekadës së fundit, të cilat janë aktualisht në qarkullim për koleksionistët. Monedhat e arit me rastin e 500-vjetorit të statujës së Davidit të Mikelanxhelos u publikuan në vitin 2001 dhe aktualisht kushtojnë rreth 20 mijë lekë. Po në të njëjtin vit u publikuan monedha përkujtimore në argjend, të cilat, të pasionuarit pas ëndrrës europiane mund t’i blejnë për 2.400 dhe 3.200 lekë.