Në delegacionin italian në Korenë e Jugut edhe katër italianë me mbiemër të huaj. Por për të rinjtë e brezit të dytë mbetet ende e vështirë të veshin fanellën italiane. E di mirë shqiptari Eusebio Haliti, për shembull
Romë 27 gusht 2011 – Ka edhe italianë të rinj në kampionatin botëror të atletikës së lehtë që nisin sot në Daegu, në Korenë e Jugut.
Jean-Jacques Nkouloukidi, me baba kongolez dhe nënë haitiane, është 19-vjeçar i rritur në Ostia të Romës dhe dot përfaqësojë Italinë në garën e 50 km marshim. Padyshim më e shpejtë është gara e Jacques Riparelli, 18-vjeçar me baba italiane nënë nga Kameruni, që jeton që kur ishte i vogël në provincën e Venecias dhe do të marrë pjesë në stafetën 4X400.
Mes atleteve vajza, hedhja e shtizës shpreson te Zahra Bani, vajzë e një italiani dhe një somalezeje, e lindur 31 vjet më parë në Mogadisho dhe që jeton në Giaveno të Torinos që kur ishte dhjetë vjeç. Ndërsa 28-vjeçarja Libania Grenot Martinez, italo-kubane që ka marrë shtetësinë italiane për martesë, do të jetë në pistë për stafetën 4×400.
Nuk është për t’u çuditur që në delegacionin e kaltër ka vetëm një atlet me të dy prindërit imigrantë të huaj, me gjithë numrin e lartë të të rinjve të brezit të dytë që praktikojnë sportin në Itali, edhe në nivel profesionistësh. Problemi është që për shumicën dërrmuese të tyre, të bëhen italianë është shumë e vështirë, për shkak të ligjit të shtetësisë.
E njeh mirë këtë problem Eusebio Haliti, 19 vjeç kampion italian i të rinjve në 400 metra indor dhe në pistë. Ka lindur në Shqipëri dhe jeton në Itali që prej vitit 2000 por vetëm nga 2002-shi është regjistruar si rezident në komunë: kështu që mund të kërkojë shtetësinë italiane vetëm në vitin 2012, tepër vonë për të realizuar ëndrrën e tij që të marrë pjesë në olimpiadën e Londrës me fanellën e Italisë.
Rasti i tij ka përfunduar deri në Parlament, kur pak javë më parë deputetët e PD-së Francesco Boccia dhe Michele Ventura i kanë kërkuar qeverisë të mos diskriminojnë të rinjtë, që “edhe pse kanë lindur apo janë rritur në Itali dhe ndihen italianë, konsiderohen gjithsesi të huaj”.
Elvio Pasca