Vazhdimisht hasen raste shtetasish shqiptarë që nuk lejohen të hyjnë në shtetin fqinj për një arsye të vetme: vendlindja e tyre është Çamëria. E fundit, 80-vjeçarja Shane Hoxha që nuk u la të shkonte pranë të bijës: “Kjo që më ndodhi më riktheu pas në mendime, kur isha 6 vjeç, kur na përzunë, na vranë, na plaçkitën. Gjesti i doganierëve grekë pak ditë më parë ishte një vrasje e dytë për mua”
Tiranë, 28 gusht 2011 – Në një kohë kur rrreth 2 milionë shqiptarë janë pajisur me pasaporta biometrike, gjë që u lejon të udhëtojnë lirisht në të gjitha shtetet e zonës Shengen, në pikat e kalimit kufitar me Greqinë, janë shpeshtuar rastet e kthimit pa asnjë arsye të shqiptarëve që duan të udhëtojnë, me të vetmen arësye sepse ne këto pasaporta është shënuar vendlindja “Çamëri”.
Këto raste kanë shkaktuar reagime të shumta si nga subjekti politik PDIU, parti që mbron interesat e komunitetit çam, zyrtarë të shtetit dhe dikastereve shtetërore, ashtu edhe nga organizatat e mbrojtjes së të drejtave të njeriut në Shqipëri, të cilat kërkojnë sqarime përkatëse nga autoritet greke për këtë akt të rëndë racist, për këtë fenomen aspak njerëzor, sa ndëshkues, aq dhe fyes, duke kërkuar zgjidhjen përfundimtare të këtij problemi. Ata kërkojnë arsyet që i kanë shtyrë këta punonjës të shtetit grek në pikat e tyre doganore të ndërmarrin akte të tilla, që kanë detyruar jo vetëm gra dhe pleq të moshuar, por dhe intelektualë, apo punonjës të shtetit shqiptar të kthehen mbrapsht pa u lejuar hyrjen në Greqi, me pretekstin se janë çamë.