in

Europa në ndihmë të Shqipërisë për shuarjen e vatrave të zjarreve

Muaji gusht rezulton të jetë më problematiku përsa i takon zjarreve edhe për Shqipërinë. Janë evidentuar mbi 320 raste që janë shkaktuar jo vetëm nga temperaturat e larta por kryesisht nga papërgjëgjshmëria e njerëzve. Për t’i ardhur në ndihmë Shqipërisë, Italia dhe Turqia ofrojnë avionët e tyre

Tiranë, 29 gusht 2011 – Zjarret kanë shkaktuar një situatë problematike në disa zona të Shqipërisë, ndërkohë që edhe avionë nga Italia dhe Turqia kanë punuar për shuarjen e të paktën 10 zjarreve të rrezikshme në masivet pyjore, nga jugu në veri te vendit, ku është e vështirë të ndërhyhet në rrugë tokësore.

Drejtoria e Emergjencave Civile bëri të ditur se falë këtyre operacioneve është mbyllur vatra e rrezikshme e zjarrit në Pish Poro të Vlorës, ndërsa operacionet nga ajri janë shtrirë në masivin pyjor të Moravës në Qarkun e Korçës, në Parkun Kombëtar të Lurës dhe në territorin e qarkut të Kukësit.

“Shqipëria dhe Greqia mund të shpresojnë gjithnjë në mbështetjen e Europës” ka nënvizuar komisarja e BE-së për administrimin e krizave Kristalina Georgieva, duke falënderuar Italinë, Francën dhe Spanjën  që këto ditë “kanë dhënë shembull solidariteti evropian në kohë reale”. Mekanizmi i Mbrojtjes Civile Europiane ka siguruar komisarja, “po ndihmon në koordinimin e asistencës edhe për ditët në vazhdim”, për zgjidhjen sa më shpejt të emergjencës së krijuar nga zjarret në mbarë Europën.

Në Shqipëri janë djegur mbi 1.400 ha pyje e kullota. Zjarret kanë përfshirë rrethe të ndryshme në të katër anët e vendit, por zonat jugore mbeten më të prekurat nga ky fenomen. Muaji gushti i shoqëruar me temperatura të larta e thatësirë, është dhe muaji më problematik, ndaj dhe strukturat shtetërore përgjegjëse kanë rritur vëmendjen për parandalimin e tyre.

Sipas specialisteve të Policisë Pyjore në Ministrinë e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujrave, “situata gjatë muajit gusht ka qenë problematike, për shkak të vegjetacionit të madh të krijuar gjatë periudhës së pranverës dhe gjatë gushtit, kur ka pasur një thatësirë të madhe, ky vegjetacion është tharë dhe është shumë i ekspozuar ndaj rrezikut të zjarrit”. Për të shuar zjarret, terreni i thyer vështirëson situatën për shkak se zjarrfikëset e kanë të pamundur në disa raste shuarjen e menjëhershme të zjarrit.   

Nuk zbaton kriteret mjedisore, gjobitet firma italiane në Shkodër

Aksident rrugor. Humb jetën 38 vjeçari Vlashi