Sot në mbrëmje hapet me filmin e George Clooney-t, Festivali i 68-të i Venecias. Mbyllet më 10 shtator, me ceremoninë e dhënies së çmimeve. Si çdo vit, Festivali do të karakterizohet nga sharmi e luksi, nga një gamë të gjerë yjesh nga Madonna te Al Pacino dhe nga një përzgjedhje filmash që shkojnë nga peshat e rënda të kinemasë botërore deri te autorët e rinj.
Romë, 31 gusht 2011 – George Clooney, aktor, regjisor, skenarist dhe producent, do të ketë nderin të hapë festivalin në orën 17:00, me “The Ides of March”, filmi i tij i katërt si regjisor ku edhe luan edhe si aktor. Projeksioni i filmit për shtypin (sot paradite) u prit shumë mirë nga kritika.
Filmi, me Ryan Gosling, Philip Seymour Hoffman, Paul Giamatti, flet për një të ri idealist, ekspert komunikimi, në shërbim të Guvernatorit Morris në garën e për president i ShBA-së, të përfshirë dashje pa dashje në çështje korrupsioni.
Në garë për Luanin e Artë, që do të fitohet ditën e fundit më 10 shtator, janë njëzetetre filma. Figura të njohura të kinemasë botërore do të konkurrojnë për çmimin e madh, si kanadezi, David Cronenberg (“A dangerous method”), regjisori nga Hong Kongu, Johnnie To (“Life without principle”), rusi Alexandre Sokurov (“Faust”) dhe amerikani, Todd Solondz (“Dark Horse”).
Ky Festival i 68-të do të shënojë gjithashtu rikthimin e Abel Ferrarës me një film mbi fundin e botës: “4:44 Last Day On Earth” dhe atë të William Friedkin, me “Killer Joe”.
Në garë janë edhe autorë më të rinj si Andrea Arnold (“Wuthering Heights”), Ami Canaan Mann (“Texas Killing Fields”), Steve McQueen (“Shame”).
Në garë dhe në seksionet e tjera ndër filmat italianë spikasin ata mbi temën e imigracionit si“Là-bas” i regjisorit Guido Lombardi, “Terraferma” i Emanuele Crialese, “Cose dell’altro mondo” i Francesco Patierno etj.
Juria do të kryesohet nga kineasti dhe producenti amerikan, Darren Aronofsky, regjisor i filmit “Mjelma e zezë” (“Black swan”) dhe do të përbëhet ndër të tjerë nga kineasti francez, André Téchiné, kolegu i tij amerikan, Todd Haynes dhe ish-lideri i “Talking Heads”, David Byrne.
Në aspektin glamour, ndër yjet e pritur në Lido me filma jashtë gare renditen Madonna që do të prezantojë “W.E.”, filmin e saj mbi historinë e dashurisë mes Eduard VIII dhe Wallis Simpson, apo Al Pacino, regjisori dhe aktor i filmit “Wilde Salome”.