Më 1 shtator pengesa e fundit për studentët e huaj të vitit të parë. Por nëse kanë zgjedhur një degë me numër të mbyllur, kanë akoma një tjetër, atë të pranimit
Romë 31 gusht 2011 – E nisin menjëherë me provime studentët e huaj që vijnë nga jashtë dhe ëndërrojnë të ulen në sallat e universiteteve italiane.
Mijëra djem e vajza nga të katër anët e globit, nga maji i shkuar kanë nisur rrugën e gjatë të pararegjistrimit duke paraqitur kërkesa në konsullatat italiane në vendlindje, sipas një procedure të komplikuar burokratike që zgjat disa muaj. Vetëm gjatë ditëve të fundit, pasi miratimit të universiteteve, kanë marrë vizat e hyrjes në Itali, por ende nuk kanë futur në xhep regjistrimin në universitet.
Nesër, më 1 shtator, pranë fakultetit që kanë zgjedhur, duhet të bëjnë një test të gjuhës italiane, që veç njohjes së gjuhës mund të kërkojë edhe nocionet bazë të kulturës së përgjithshme. Është e fundit pengesë para së të regjistrohen vërtet në vit të parë, por kush ka zgjedhur një degë me numër të mbyllur duhet të bëjë një tjetër provim, atë të pranimit. Por këtë të fundit do ta bëjë bashkë me bashkëmoshatarët italianë.
Studentët e huaj në universitetet italiane janë rreth gjashtëdhjetë mijë, 3,6% e numrit të përgjithshëm të studentëve. Nga këta shquhen shqiptarët, që nga të dhënat e vitit akademik 2009/2010, të fundit të dhëna nga ministria e Arsimit dhe e Universitetit, kanë qenë 12.029 (7.419 vajza dhe 4.610 djem) nga 59.510 studentët e huaj të regjistruar atë vit.
Italia mbetet e fundit në renditjen e vendeve të industrializuara për aftësinë e tërheqjes së “trurit të huaj”.
Elvio Pasca
Lexo edhe: ASAT. Udhërrëfyes për shqiptarët që vendosin të studiojnë në Trieste