Kam dëgjuar se janë bërë ndryshime në kohët e fundit mbi ndalimin e dëbimit të shtetasve të huaj. A mund të kem më shumë informacion?
Neni 19 i Tekstit Unik për Imigracionin (dekretit legjislativ 286 i vitit 1998), i cili disiplinon rastet në të cilat dëbimi i të huajve është i ndaluar, i ndryshuar nga ligji nr. 94 i 2009, është ndryshuar përsëri nga dekretligji Nr 89 i vitit 2011 i konvertuar në ligj në fillim të gushtit (ligji nr. 129 i vitit 2011).
Përpara Dekretligjit nr. 89 të 2011
Përpara Dekretligjit nr. 89, neni 19 i Tekstit Unik, parashikohej hipoteza sipas të cilës një shtetas jokomunitar nuk mund të ishte subjekt i dëbimit.
Paragrafi i parë parashikonte dhe parashikon edhe sot një ndalim absolut të dëbimit. “Në asnjë rast nuk mund të bëhet dëbimi ose kthimi drejt një shteti në të cilin i huaji mund t’i nënshtrohet persekutimit për arsye të racës, gjinisë, gjuhës, kombësisë, fesë, opinionit politik, për kushtet personale apo sociale, e cila do të rrezikonte të dërgohej në një shtet tjerët ku nuk është i mbrojtur nga persekutimi”. Është e qartë se bëhet fjalë për një ndalim me karakter humanitar të bazuar në rrjedhojat që mund të ketë dëbimi për të huajin, gjë që parashikohet jo vetëm nga Kushtetuta italiane, por edhe nga traktatet ndërkombëtare.
Paragrafi i dytë parashikonte dhe parashikon një sërë situatash në të cilat ndalimi nuk është absolut dhe mund të jetë i përkohshëm.
Ky ndalim është i përkohshëm për të miturit nën 18 vjeç deri në mbushjen e moshës madhore. Në këtë rast nuk cenohet e drejta e fëmijës për të ndjekur prindin ose personin që ka kujdestari e që mund të jetë prekur nga dekreti i dëbimit.
Është i përkohshëm ndalimi i dëbimit të grave shtatzëna. Gratë, shtatzënia e të cilave vërtetohet nga një certifikatë mjekësore e një specialisti në gjinekologji, nuk mund të dëbohen deri gjashtë muaj pas lindjes së fëmijës. Në rastin e shtatzënisë, Gjykata Kushtetuese me sentencë nr. 376 të vitit 2000 deklaroi paligjshmërinë kushtetuese për nenin 19, në pjesën ku nuk e shtrin ndalimin e dëbimit edhe për bashkëshortin që bashkëjeton me gruan shtatzënë. Për të shtrirë ndalimin e dëbimit edhe për bashkëshortin, është e nevojshme të plotësohen kushtet e marrëdhënies bashkëshortore dhe të bashkëjetesës. Shtrirja e ndalimit të dëbimit nuk ushtrohet për marrëdhëniet faktike pa kurorë dhe në qoftë se të huajt nuk bashkëjetojnë.
Ndalimi i dëbimit parashikohet për të huajt që kanë leje qëndrimi BE për qëndruesit afatgjatë (ish karta e qëndrimit). Në këtë rast, ama, nëse i huaji konsiderohet si rrezik për rendin publik ose sigurinë e shtetit, pra në rast veprimtarie terroriste, mund të vendoset gjithsesi dëbimi.
Së fundi, neni 19 parashikonte ndalimin e dëbimit të qytetarëve të huaj që jetojnë me një bashkëshort apo të afërmit italianë deri në shkallën e katërt të lidhjes familjare. Ligji nr. 94 i vitit 2009 e ka të kufizuar: parashikon vetëm në rast bashkëshorti dhe të afërmi të shkallës së dytë. Kështu që ndalohet dëbimi i qytetarëve jokomunitarë që bashkëjetojnë me bashkëshortët, ose që bashkëjetojnë me një shtetas italian me të cilin kanë një lidhje familjare brenda shkallës së dytë (fëmijët, prindërit, vëllezërit e motrat, gjyshërit dhe nipërit). Dëshmia e lidhjes familjare duhet vërtetuar përmes dokumentacionit zyrtar nga vendlindja. Nëse dokumentacioni mbërrin nga një vend i ndryshëm nga Italia, ai duhet të jetë i përkthyer dhe i legalizuar nga përfaqësitë diplomatike italiane (i legalizuar me vulë Apostille, në rastin e Shqipërisë).
Kushti i bashkëjetesës është themelor dhe shumë Gjykatës kanë konfirmuar rëndësinë e tij thelbësore. Në kah të kundërt mund të përmendet një urdhëresë e Gjykatës së Kasacionit (Urdhëresë nr. 22230 e 29/10/2010), me të cilën gjykatësit vendosin që, në marrëdhënie martesore, mungesa e përkohshme e bashkëjetesës, e diktuar vetëm nga arsyet ekonomike, nuk anulon kriterin e nevojshëm për të ndaluar dëbimin.
Në të gjitha këto hipoteza të përmenduara, ndalimi i dëbimit nuk është i mundur për ata subjekte që konsiderohen si rrezik për rendin publik ose sigurinë e shtetit.
I huaji jokomunitar që ndodhet në një prej situatave të përmendura në nenin 19, ka të drejtë, në bazë të nenit 28 të Dekretit 394 të vitit 1999 të Presidentit, për një leje qëndrimi për arsye humanitare në rast të ndalimit të dëbimit për arsye humanitare, për moshë të mitur për të miturit, për arsye mjekësore në rast të një gruaje të huaj shtatzënë dhe për arsye familjare në rastin e një të huajit që ka një të afërm qytetar italian.
Për të huajin e martuar me një qytetar italian parashikohet gjithashtu, me dekretin legjislativ nr. 30 të vitit 2007 (i cili disiplinon qëndrimin dhe lëvizjen e qytetarëve të BE-së dhe të afërmve të tyre), që të mund të aplikojnë për kartë qëndrimi si të afërm të shtetasve të BE. Kjo mundësi u jepet edhe bijve deri në 21 vjeç (ose mbi 21 vjeç që janë në ngarkim) dhe prindërve në ngarkim.
Pas reformës
Dekretligji 89 i vitit 2011, ka sjellë ndryshime në nenin 19 të Tekstit Unik. Është futur në fakt një dispozitë që synon të mbrojë, në rast dëbimi, kategori të veçanta delikate. Në fakt, është vendosur që “refuzimi i hyrjes apo i ekzekutimit të dëbimit të njerëzve me aftësi të kufizuara, të të moshuarve, të miturve, anëtarëve të familjeve me një prind të vetëm dhe i fëmijëve të mitur apo atyre që janë viktima të dhunës të rëndë psikologjike, fizike ose seksuale, të kryhet në mënyrë të pajtueshme me rrethanat individuale personale, pas verifikimit”.
Është me siguri diçka e veçantë që parlamenti ka futur këtë paragraf në një nen i cili mbron qytetarët jokomunitarë për të cilët është i ndaluar dëbimi dhe se asgjë nuk është thënë në lidhje me mundësinë e riatdhesimit të asistuar.
Është gjithashtu e qartë se qëllimi i ligjbërësit është që t’i kushtojë vëmendje të veçantë mënyrave se si duhet bërë riatdhesimi i detyruar i personave që ndodhen në kushte veçanërisht delikate.
Avv. Andrea De Rossi