Shqipëria humbet në Luksemburg me rezultatin 2-1 ndaj skuadrës më të dobët në Europë duke i dhuruar asaj trepikëshin e parë. Përfaqësuesja shqiptare e mbyll ndeshjen me vetëm nëntë lojtarë në fushë
Romë, 6 shtator 2011 – Përfaqësuesja kuqezi pas humbjes me Francës pësoi sot një tjetër humbje, më pak të pritshme se ajo e të premtes në mbrëmje pasi sot ajo lozte kundër skuadrës më të dobët të Europës.
Skuadra e Kuzhesë që ka zbritur në fushë ka qenë e lodhur por edhe e kushtëzuar nga mungesat e lojtarëve kryesorë si Cana, Dallku, Curri dhe Lila.
Pjesa e parë e ndeshjes është mbyllur me rezultatin 1-0 falë golit që Gilles Bettmer shënoi në minutën e 27-të. Në gjysmën e dytë situata u vështirësua edhe më shumë për kuqezinjtë që mbetën që në fillim me dhjetë lojtarë në fushë pasi në minutën e 9-të Ansi Agolli u përjashtua me karton të kuq.
Megjithatë, kuqezinjtë nuk u dorëzuan dhe dhjetë minuta më vonë (në minutën e 19-të të pjesës së dytë) barazuan rezultatin, falë golit të Erjon Bogdanit.
Në minutën e 33-të Hoakim gjen mundësinë për t’u rrotulluar i vetëm në zonën tonë duke shënuar golin e dytë për Luksemburgun. Më pas nervozizmi i kuqezinjve arrin deri aty sa mbeten me 9 lojtarë pas daljes me kartonin e kuq edhe të Bogdanit, që shoi përfundimisht shpresat e Shqipërisë për të nxjerrë nga kjo ndeshje të paktën një pikë.
Pas kësaj ndeshjeje, e treta mundje radhazi, ekipi shqiptar renditet i parafundit në grupin D me 8 pikë, katër më shumë se Luksemburgu që gjendet i fundit.