Romë, 7 shtator 2011 – Mos i thërrisni më “ekstrakomunitarë”. Është kjo kërkesa që Kryeprokurori i Savonës, Francantonio Granero po i dërgon të gjitha zyrave të policisë gjyqësore që bashkëpunojnë me Prokurorinë.
Një qarkore e nënshkruar nga Granero së shpejti do të ftojë policët, gardianët dhe policët bashkiakë që të kenë këtë kujdes të vogël në fjalor në të gjitha dokumentet që i dërgojnë Prokurës. Gjuha e burokracisë që shpesh zë vend në raporte krimesh, ankesa, proces-verbale dhe dokumente të tjera, emigrantët duhet të quhen “shtetas të huaj”.
“Unë mendoj se fjala ekstrakomunitar – shpjegon sot Granero në një shkrim të edicionit lokal të së përditshmes la Republika- ka marrë tani një kuptim negativ që mua më duket i pakëndshëm. Prandaj do t’i kërkoj zyrave të ndryshme përdorimin e termit “shtetas të huaj”, edhe për të bërë më homogjenë aktet, meqenëse zakonisht përdoret termi “shtetas italian”.
Një zgjedhje e mbështetur edhe nga Pinto Francis, kryetar i seksionit të Liguria së Shoqatës Kombëtare të Magjistraturës. Ai kujton se : “Gjykata Evropiane e Drejtësisë në disa raste, ka vënë në dukje se duhen hequr edhe diskriminimet leksikore. Nga pikëpamja e terminologjisë edhe unë besoj se me kalimin e kohës, termi ka fituar tashmë një kuptim paksa racist”.
Po ju si e mendoni? Fjala “ekstrakomunitar” është vërtet kaq negative? Më mirë të thuhet ” shtetas i huaj”?
Lini një mendim tuajin në komentet e mëposhtme.