in

Vrasja e gjyqtarit Skerdilajd Konomi – Reagimet

Shqipëria tronditet nga ngjarja e mëngjesit të sotëm në Vlorë që i mori jetën gjyqtarit Skerdilajd Konomi dhe që u konsiderua  nga Topi “sulm mafioz ndaj sistemit të drejtësisë, shtetit ligjor dhe demokracisë në Shqipëri”
Reagimet e presidentit, kryeministrit, Këshillit të lartë të Drejtësisë, prokurorëve, gjykatësve, forcave politike
 
Tiranë 9 shtator 2011 – Presidenti i Republikës, Bamir Topi ka dënuar ashpër aktin kriminal që ndodhi sot në Vlorë, që i mori jetën Skerdilajd Konomi, gjyqtarit 33 vjeç, baba i dy fëmijëve të mitur.
Në deklaratën e tij thuhet se, “atentati ndaj një gjyqtari përbën kërcënim për shoqërinë dhe institucionet e shtetit”, se “ky sulm mafioz dhe brutal është një atentat ndaj sistemit të drejtësisë, shtetit ligjor dhe demokracisë në Shqipëri”.
Në mesditë, Presidenti priti Prokuroren e Përgjithshme, Ina Rama, Drejtorin e Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH), Bahri Shaqiri dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj.
Në këtë takim me drejtues të lartë të institucioneve të shtetit shqiptar, Presidenti Topi kërkoi një informacion të detajuar mbi zhvillimet e deritanishme mbi ngjarjen tragjike të vrasjes në Vlorë të gjyqtarit Skerdilajd Konomi.
Pasi dëgjoi me vëmendje Prokuroren e Përgjithshme, Drejtorin e SHISH dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Presidenti i Republikës kërkoi angazhimin maksimal të këtyre institucioneve dhe strukturave të tjera vartëse për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe arrestimin e autorëve, si dhe vënien e tyre sa më parë përpara drejtësisë.
 
Edhe kryeministri Sali Berisha dënoi aktin e shëmtuar kriminal që mori jetën e gjyqtarit, Skerdilajd Konomi, dhe kërkon nga organet kompetente gjetjen dhe vendosjen para ligjit të autorëve dhe organizatorëve të këtij akti mizor. Ai u shprehu ngushëllimet dhe solidaritetin e tij, si dhe të qeverisë, ndaj familjes Konomi dhe trupës gjyqësore të vendit.
 
Zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, në një konferencë shtypi, dënoi dhunën ndaj gjyqtarëve, nëpërmjet këtij ekzekutimi terrorist, i cili nuk ndodh dhe nuk duhet të ndodhë në asnjë vend, ku funksionon rendi, siguria dhe shteti ligjor. “Ky akt është në vazhdën e disa ngjarjeve, atentateve dhe veprave të dhunshme kundër gjyqësorit përgjatë viteve të fundit dhe përbën një rast të paprecedent në historinë e drejtësisë shqiptare”.
“Shqipëria synon të jetë pjesë e Bashkimit Evropian dhe të jetë në udhën e Brukselit dhe jo në Sicilinë e 50 viteve me parë, ku drejtësia gjunjëzohet përballë veprave mafioze dhe krimit të organizuar. Një shtet ligjor, i cili nuk mund të garantojë jetën e gjyqtarëve, nuk mundet të japë garanci për jetën e qytetarëve të thjeshtë dhe nuk mundet të garantojë dhënien e drejtësisë nga ata, të cilët kërcënohen me jetë dhe humbasin jetën rrugëve të Shqipërisë”, tha Spahiu.
Ai kërkoi që “kjo çështje të trajtohet me prioritet maksimal nga organet e hetimit dhe të gjenden dhe të vendosen para drejtësisë autorët e kësaj masakre kriminale”.
“Ky akt mafioz është një goditje për sistemin e drejtësisë, një sulm i drejtpërdrejt dhe i egër, i cili duhet të sjellë reflektim të menjëhershëm të shtetit për të marrë masa në mbrojtje të sigurisë së jetës së gjyqtarëve”, tha Spahiu, ndërsa i shprehu ngushëllimet familjes së të ndjerit.

Shoqata e Prokurorëve të Shqipërisë, përmes këtij mesazhi ngushëllimi, dënoi “ngjarjen më të rëndë të ndodhur ndaj një përfaqësuesi të sistemit të drejtësisë në vendin tonë”. 
Shoqata u bën apel kolegëve të tyre prokurorë, që po merren me hetimin e kësaj ngjarjeje, të bëjnë të pamundurën për zbardhjen sa më shpejt dhe vënien para drejtësisë të autorëve të këtij krimi mafioz të pashembullt. “Gjyqtarët, prokurorët, oficerët e policisë gjyqësore dhe punonjësit e tjerë të sistemit të drejtësisë, pavarësisht kësaj ngjarjeje tejet të rëndë, do të vazhdojnë të tregojnë angazhim maksimal duke qëndruar të palëkundur në luftën ndaj krimit”, thuhet në mesazhin ngushëllues të prokurorëve shqiptarë.

Edhe Unioni i Gjyqtareve të Shqipërisë, (UGJSH) me një deklaratë u shpreh se “sulmi ndaj gjyqtarit Konomi është sulmi më i egër, pas disa sulmeve të tjera verbale dhe fizike, që i është bërë ndonjëherë sistemit gjyqësor në Shqipëri. Ky sulm, me mënyrën, kohën dhe vendin e ekzekutimit te tij, duke mbjellë një klime terrori të pashembullt, ka për synim jo vetëm terrorizimin dhe frikësimin e sistemit gjyqësor por, mbi të gjitha goditjen, terrorizimin dhe frikësimin e të gjithë sistemit të drejtësisë, agjencive të zbatimit të ligjit dhe cenimin e sundimit të ligjit në vend”. 
Në njoftimin për shtyp thuhet se, “UGJSH dënon fuqimisht këtë akt terrorist, që i mori jetën gjyqtarit Konomi dhe i bën thirrje organeve të zbatimit të ligjit që në mënyrë urgjente, të tregojnë angazhimin dhe përkushtimin e tyre më të thellë në zbardhjen e kësaj ngjarjeje tepër të rëndë, për të vënë përpara drejtësisë autorët e këtij krimi monstruoz e me pasoja tepër të renda për jetën social-ekonomike në vend, sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve dhe funksionimin normal të shtetit dhe shoqërisë shqiptare në tërësi”.

Edhe Partia Socialiste, përmes një deklarate për shtyp, dënoi sot sulmin mafioz në qytetin e Vlorës, dhe kërkoi nga drejtësia që autorët e këtij krimi të marrin dënimin e merituar. “Ngjarje si kjo, ku dora e krimit nuk ngurron të sulmojë e vrasë përfaqësuesit më të lartë të këtij shteti janë të papranueshme dhe përbëjnë një sinjal alarmi për mbarë qytetarët e këtij vendi”, thuhet në një deklaratë të PS-së.
“Drejtësia duhet të veprojë me forcë për të nxjerrë sa më shpejt autorët e këtij krimi të shëmtuar përpara përgjegjësive dhe për t’u rezervuar atyre dënimin e merituar për këtë vrasje mafioze”, përfundon deklarata e PS-së.
 

Medalje heroit modest Blerim Shkrepi

Përcillet për në banesën e fundit gjyqtari Skardilajd Konomi