in

Përcillet për në banesën e fundit gjyqtari Skardilajd Konomi

Gjyqtari i ekzekutuar të premten paradite  në Vlorë është përcjellë për në banesën e fundit të shtunën rreth mesditës. Në ceremoninë mortore kanë marrë pjesë autoritete të larta të qytetit e të drejtësisë, konsulli italian, kolegë të të ndjerit dhe qindra qytetarë të Vlorës

Tiranë, 11 shtator 2011 – Dje nga ora 11 deri në mesditë u zhvillua ceremonia mortore për përcjelljen për në banesën e fundit të gjyqtarit Skerdilajd Konomi, i cili humbi jetën një ditë më parë gjatë shpërthimit të autoveturës së tij.

Ceremonia nisi rreth orës 11.00 me homazhet që u zhvilluan në mjediset e Teatrit “Petro Marko”, ku merrnin pjesë qindra qytetarë, miq, të afërm, kolegë, funksionarë qendrorë e lokalë. 
Bënë homazhe dhe vendosën kurora Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi, Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, Nënkryetari i KLD, Kreshnik Spahiu, Kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj, kryetari i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, deputetë, funksionarë të lartë të Policisë së Shtetit, Konsulli i Përgjithshëm i Italisë në Vlorë, Sergio Strozzi etj. 

Nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, deklaroi për median se, “Vetëm 24 orë kanë kaluar nga vrasja e Konomit, por drejtësia shqiptare duhet të bëjë të pamundurën që të mos kalojnë 24 ditë, 24 muaj apo më shumë, deri në gjetjen e autorëve të krimit”. 
“Shpresojmë që krimi të mos e sfidojë drejtësinë shqiptare”, shtoi më tej ai. Spahiu e cilësoi vrasjen e Konomit si një mesazh mafioz. “Ishte një mesazh mafioz, i cili drejtpërdrejtë u adresua në pushtetin gjyqësor dhe në sistemin e drejtësisë”, evidentoi ai. “Kam vendosur të kërkoj mbledhjen e Këshillit të Lartë të Drejtësisë për ta analizuar këtë rast, pasi kur nuk sigurohet jeta e zyrtarit çfarë mund të bëhet me jetën e qytetarit të thjeshtë. Jo më larg se dy vjet më parë u tentua të vritet një zyrtar lartë dhe paturpësisht nuk u zbardh asgjë akoma sot.”,- nënvizoi Spahiu.

Ndërkohë, kryetari i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, u shpreh se, “me vrasjen e Konomit u godit jo vetëm familja por edhe i gjithë qyteti i Vlorës, qytetarët ndihen të frikësuar dhe të pasigurt”.

Pas homazheve, trupi i Konomit u përcoll për në banesën e fundit në varrezat publike të qytetit.

 

Vrasja e gjyqtarit Skerdilajd Konomi – Reagimet

S’ka leje qëndrimi për kërkim pune për të diplomuarit e huaj në universitetet italiane