in

S’ka leje qëndrimi për kërkim pune për të diplomuarit e huaj në universitetet italiane

Ministria e Brendshme: “Nuk mund t’u jepet dokument qëndrimi për pritje punësimi”. Gëzim Gezka (Asal): “Ligj i padrejtë. Kështu shumë studentë kthehen në klandestinë”

Romë, 11 shtator 2011 – Me të mbaruar universitetin, studentët e huaj që nuk gjejnë punë pa u skaduar leja e qëndrimit për studime duhet të kthehen në atdhe. Nëse nuk e bëjnë (dhe kjo është mëse e mundur) kthehen në imigrantë të parregullt.

E ka sqaruar disa ditë më parë Rodolfo Ronconi, shefi i drejtorisë qendrore të Imigracionit të Policisë së kufirit të ministrisë së Brendshme, me një qarkore kushtuar të sapodiplomuarve jokomunitarë. Ndonjë kuesturë ngrinte çështjen e “lëshimit të të një lejeje qëndrimi për pritje punësimi edhe në favor të atyre studentëve të huaj që kanë përfunduar me sukses studimet universitare por që nuk kanë nisur doktoraturë apo master universitar të nivelit të dytë”. Përgjigjja është jo. Ronconi është i mendimit se “për të bërë një konvertim të tillë është më parë e nevojshme të bëhet një modifikim specifik legjislativ”.

Të sapodiplomuarit që duan të qëndrojnë në Itali duhet të gjejnë menjëherë një punë, para se të skadojë leja e tyre për studime. E vështirë, sidomos në situatën e sotme ekonomike.

Ndryshe trajtohen nga ligji i imigracionit ata që mbarojnë një master apo doktoraturë: në këto raste, kur u skadon leja e qëndrimit për studime, ata mund të regjistrohen në listat e punësimit dhe të marrin një leje qëndrimi për pritje punësimi,që u jep të paktën gjashtë muaj kohë për të gjetur një punë.

“Përveç dallimit të padrejtë që bëhet mes atyre që mbarojnë universitetin dhe të tjerëve që mbarojnë një master apo doktoraturë, duhen pasur parasysh edhe pasojat e një praktike të tillë” vë në dukje Ergys Gezka, kryetar i shoqatës së studentëve shqiptarë të Lecces, Asal. “Pasi studion për vite me radhë në Itali, është vështirë të kthehesh në shtëpi. Kështu që, atë që nuk gjen menjëherë punë, e pret klandestiniteti”.

Dhe kështu ndodh, nënvizon Gezka, kryesisht për ata që vijnë nga vendet më të varfra. “Kam parasysh kolegët e mi afrikanë apo amerikano latinë. Familjet e tyre kanë investuar shumë për t’i dërguar në universitet në Itali. Për të, të kthehen në shtëpi si të papunë, me një diplomë që vështirë se do të mund të përdorin në atdhe, është një dramë e vërtetë”.

Ergys Gezka dhe kolegët e tij, në fund të fundit, nuk duan shumë: “Vetëm pak kohë për të kërkuar punë në Itali. Besoj që të gjithë studentët e meritojnë këtë shans”.

Elvio Pasca

Përcillet për në banesën e fundit gjyqtari Skardilajd Konomi

Obama: “Partneritetet që na duhen”