in

Frattini e Lambrinidis: “Është koha për bashkim kombëtar drejt Europës”

Ministri i Jashtëm i Italisë, Franco Frattini dhe Ministri i Jashtëm i Greqisë, Stavros Lambrinidis në mision në Tiranë për të inkurajuar aktorët politikë shqiptarë të punojnë së bashku për procesin e integrimit në BE

Tiranë, 12 shtator 2012 – Ministri i Jashtëm i Italisë, Franco Frattini dhe Ministri i Jashtëm i Greqisë, Stavros Lambrinidis janë sot në Tiranë për të inkurajuar aktorët politikë shqiptarë të punojnë së bashku për procesin e integrimit në BE. Ata po takohen me Presidentin e Republikës, Bamir Topi, Kryeministrin Sali Berisha, Ministrin e Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto dhe Kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama. Misioni në Tiranë bëhet në një çast të rëndësishëm për Shqipërinë, kur asaj i duhet të kalojë një tjetër provë të Brukselit. Në tetor, Komisioni Europian, pritet të publikojë raportin e tij të vlerësimit mbi ecurinë e vendit dhe të japë opinionin mbi kërkesën për statusin e vendit kandidat. Vlerësimi që do të marrë Shqipëria nga Komisioni Evropian kushtëzohet nga përmbushja ë 12 prioriteteve

Dy ministrat e jashtëm të vendeve fqinje  u takuan me Kryeministrin Berisha që e konsideroi vizitën e tyre si një moment të rëndësishëm për vendin dhe perspektivën e tij evropiane.

Ata i theksuan se vizita e tyre vjen në një moment të rëndësishëm të procesit të integrimit të Shqipërisë dhe synon të mbështesë përpjekjet e Shqipërisë në përmbushjen e prioriteteve të përcaktuara nga Bashkimi Evropian. Të dy ministrat shprehën shpresën se institucionet dhe aktorët politik shqiptarë, në mazhorancë dhe opozitë, do të konkretizojnë në kohë, hapat konkrete të nevojshëm në funksion të integrimit evropian.

Në këtë kontekst kryeministri Berisha siguroi të dy ministrat se projekti i integrimit evropian ka qenë, është dhe do të jetë projekti më madhor për shqiptarët. Duke theksuar se 12 prioritetet e përcaktuara në Opinion përbëjnë agjendën e punës së qeverisë shqiptare, kryeministri i njohu të dy ministrat me punën dhe arritjet e qeverisë në zbatim të këtyre prioriteteve si dhe në përmbushjen e një sërë reformash të tjera me rëndësi në funksion të këtij procesi.

Kryeministri shprehu vullnetin e plotë të qeverisë dhe të mazhorancës së drejtuar prej tij për të bashkëpunuar me opozitën në përmbushjen me konsensus të të gjitha prioriteteve si dhe për të votuar bashkërisht të gjitha ligjet apo vendimet që kërkojnë shumicë të cilësuar. ai theksoi se bashkëpunimi dhe jo bllokimi janë mënyra më e mirë për çuarjen përpara të interesave të vendit dhe integrimin e tij në BE. Ai mirëpriti kthimin e opozitës në Parlament duke shprehur dëshirën që kjo të shënojë rikthimin e dialogut politik brenda këtij institucioni.

Edhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto priti sot Ministrat e Jashtëm të Italisë dhe Greqisë, Franko Frattini dhe Stravris Lambrinidis. Ashtu si Berisha, edhe ministri Haxhinasto vuri në dukje se qeveria e ka në krye të programit së saj agjendën e integrimit evropian dhe vazhdon të ndërmarrë reforma të gjithanshme që zhvillojnë dhe përparojnë vendin në këtë rrugëtim.

Haxhinasto u bëri me dije homologëve të tij nismat e ndërmarra nga mazhoranca për të nxitur dhe vijuar, në mënyrë të sinqertë, debatin dhe bashkëpunimin politik institucional për këto reforma të rëndësishme për vendin, si dhe bëri një pasqyrë të përparimit që ka bërë Shqipëria gjatë kësaj kohe në ekonomi dhe fusha të tjera.

Ministri Haxhinasto u shpreh se propozimet për të bërë një përparim konkret tashmë ekzistojnë, si: fillimi i reformës zgjedhore, zbatimi i planit kombëtar të veprimit për përmbushjen e 12 rekomandimeve të Komisionit Evropian, etj. Ai gjithashtu theksoi se me situatën e re të krijuar, me hyrjen e opozitës në Parlament, priten rezultate konkrete, që do të shënojnë adresimin e plotë të 12 rekomandimeve të KE.

Edhe ministrat Fratini dhe Lambrinidis, ashtu si në takimin me Berishën,  theksuan se nga Shqipëria priten rezultate të mëtejshme konkrete, dhe se këto, në radhë të parë, u shërbejnë qytetarëve shqiptarë, në interesin më të mirë të tyre. Ndër të tjera, dy ministrat përmendën domosdoshmërinë e nisjes së reformës zgjedhore dhe miratimin e ligjeve me shumicë të cilësuar në Parlament.

Edhe presidenti Bamir Topi vlerësoi mbështetjen dhe ndihmesën e vazhdueshme të Bashkimit Evropian për Shqipërinë në momente të rëndësishme e historike për zhvillimin dhe reformimin e vendit, konsolidimin e institucioneve demokratike dhe forcimin e shtetit ligjor, si dhe për përmbushjen e detyrimeve dhe të standardeve të integrimit në familjen e madhe evropiane. “Edhe këto vizita të përfaqësueseve të lartë të vendeve të BE-së në Shqipëri janë dëshmi e kësaj mbështetjeje domethënëse për vendin tonë”,  vuri në dukje Presidenti i Republikës, ndërsa theksoi se “realizimi i reformave kyçe që garantojnë finalizimin me sukses të punës dhe aspiratës disavjeçare të shtetit dhe të popullit shqiptar për integrimin në BE, janë një prioritet i veprimtarisë dhe angazhimit të të gjitha institucioneve tona”. 

Në vijim të bisedës, Kryetari i Shtetit Shqiptar ritheksoi domosdoshmërinë e rivendosjes së komunikimit për çështje madhore mes klasës politike shqiptare, për të cilën shprehu besimin se “mbart përgjegjësinë dhe vetëdijen politike, po ashtu dhe maturinë për të kuptuar e realizuar që integrimi në Bashkimin Evropian kërkon bashkimin e përpjekjeve të të gjithë shqiptarëve dhe një përkushtim e angazhim tepër serioz për përmbushjen e kritereve dhe të detyrimeve që rrjedhin nga synimi i qartë për të marrë statusin e vendit kandidat në BE. Në këtë këndvështrim, Presidenti i Republikës vlerësoi se pjesëmarrja e opozitës në Kuvendin e Shqipërisë, në hapjen e sesionit të ri parlamentar, ishte një tregues pozitiv e domethënës në këtë drejtim, ndërsa shprehu bindjen se me përpjekje serioze, dinjitoze dhe me ndihmën e partnerëve tanë evropianë, Shqipëria shumë shpejt do të marrë statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian. 

Frattini dhe Lambrinidis i rikonfirmuan edhe presidentit mbështetjen e dy vendeve që ata përfaqësojnë, por edhe të Bashkimit Evropian për përmbushjen e aspiratave integruese të popullit shqiptar, por theksuan se procesi integrues evropian i Shqipërisë do të varet nga plotësimi i standardeve dhe nga bashkëpunimi i klasës politike shqiptare, e cila duhet të vendosë interesat madhore të vendit mbi gjithçka duke u ndërgjegjësuar maksimalisht për këtë.

“Mbi të gjitha, duhet një bashkëpunim për të bërë të mundur përparimin e Shqipërisë në rrugëtimin e saj integrues”,  theksuan dy ministrat e Jashtëm e vendeve fqinje.

Kombëtarja shqiptare e Regbisë, miqësore me Forlì 1979

Nis viti i ri shkollor në Shqipëri. 650 mijë në bankat e shkollave