Apel i Shoqatës së mjekëve me origjinë të huaj pas testit të pranimit: “Këta të rinj po harxhojnë gjithë ç’kanë për të qëndruar në Itali, a ka ndonjë shpresë të zënë vendet që janë bosh?”
Romë, 13 shtator 2012 – Do të jetë për faj të gjuhës apo për çështje të tjera tepër “lokale”: një gjë është e sigurt, testet e pranimit të fakultetit të Mjekësisë kanë “masakruar” të rinjtë e huaj që dëshironin të ndiqnin këtë degë. Duket se kanë kapërcyer testin vetëm 50 ndër 2000 pjesëmarrës të huaj në to. E tani, sa prej tyre do të kthehen vërtet në vendlindje?
Foad Aodi, kryetar i Shoqatës së mjekëve me origjinë të huaj në Itali (AMSI) dhe i Komunitetit të arabëve në Itali (Comai), i preokupuar thotë: “Janë shumë pak të rinjtë me dëshirën për t’u bërë mjekë që kanë kaluar provimin e pranimit. Flitet vetëm për 50 vetë nga 2.000 që kanë provuar”.
Amsi fajëson “vështirësitë gjuhësore”, por në të vërtetë të rinjtë e huaj japin më parë një provim gjuhe për t’u regjistruar në Universitetet italiane. Shoqata sinjalizon gjithashtu edhe “problemet e hasura me pyetjet mbi kulturën e përgjithshme, apo mbi kiminë e biologjinë, për shkak të dallimeve të mëdha që ka mes programeve të studimit në vende të ndryshme”.
Këta “mjekë të dështuar që në nisje” janë tashmë “në pritje për të mësuar se ç’do të bëhet me vendet e mbetura bosh në universitete. Po shpenzojnë shuma të mëdha për xhepat e tyre për të qëndruar në Itali dhe duan të dinë nëse ekziston ndonjë shpresë që të regjistrohen. U bëj apel ministrit të Shëndetësisë, Ferruccio Fazio, dhe të Arsimit, Mariastella Gelmini, që të gjejnë zgjidhje të tilla që të mos dëmtojnë studentët e huaj dhe t’u sigurojnë atyre një hapësirë studimi”, përfundon Aodi.