Romë, 26 shtator 2011 – Janë 19 personat që janë arrestuar sot gjatë operacioni “Black & White” që ka për qëllim shkatërrimin e trafikut të drogës mes Shqipërisë dhe Italisë e mes Italisë dhe Marokut. Dhjetë persona janë ende në kërkim. Urdhrat e arrestit janë për 14 italianë, 8 marokenë dhe 7 shqiptarë, dhjetë prej të cilëve janë në burg për të tjera çështje gjyqësore. Për të gjithë të pandehurit, akuzat shkojnë nga organizimi kriminal, trafiku ilegal, prodhimi, importimi, mbajtja,shitja e lëndëve narkotike si dhe mbajtja pa leje e armëve.
Disa nga detajet e këtij operacioni janë dhënë gjatë një konference shtypi nga Guardia di Finanza në Lecce. Hetimet, u shpjegua gjatë konferencës – kanë nisur në vitin 2006, dhe me një operacion të financierëve të Otrantos, u arrestuan katër shqiptarë për trafik droge dhe u sekuestruan 500 kg marijuanë, 30 kg hashash, 264 fishekë kallashnikovi si edhe një gomone të përdorur për udhëtimet Shqipëri-Itali.
Hetimet e çuara përpara për vite me radhë kanë nxjerrë në dritë ekzistencën e katër grupeve kriminale, tre italiano-shqiptare dhe një tjetër italiano-maroken.
Grupi i parë vepronte mes Lecces dhe Brindisit dhe kishte si referentë Emanuele Macchia, Attilio Salvini e Danilo Vecchio dhe shqiptarët Ilir Meto e Altin Avdruman. Grupi i dytë vepronte mes Napolit e Brindisit, ndërsa i treti merrej me trafikun e drogës nga Shqipëria dhe shpërndarjen e saj në provincat e Brindisit dhe të Tarantos.
Një hetim paralel ka hedhur dritë mbi kanalet e drogës mes Marokut dhe Italisë, kryesisht nga Tangjeri në Genova. Ky grup trajtonte kryesisht hashash dhe marijuanë, ndërsa bandat kriminale italiano-shqiptare trajtonin heroinë e kokainë.
Financierët kanë dhënë edhe shifrat e sekuestrimeve të deritanishme: në dhjetë operacione sekuestrimi, nga nëntori 2006 deri në qershor të vitit 2008 janë sekuestruar gjithsej 684 kg marijuanë, 64 kg hashash, 5 kg heroinë, 1 kg kokainë, 1 gomone dhe 264 fishekë.