Për 45 vjet në skenë, ai ka bërë për vete me qindra mijëra spektatorë. Vasillaq Vangjeli ka qenë një ndër artistët më të dashur për ta, veçanërisht në fushën e humorit
Tiranë, 27 shtator 2011 – Është shuar në moshën 63-vjeçare aktori i njohur Vasillaq Vangjeli i cili vuante prej kohësh nga një formë e rëndë diabeti.
Jeta e tij artistike është zhvilluar gati tërësisht në Estradën e Tiranës dhe në Estradën kombëtare, në skenat e së cilave ai ka çuar shumë role, jo pak prej të cilëve kanë mbetur të paharruar për artdashësit. Talenti i tij ishte i vlerësuar edhe nga regjizorët më të njohur si Dhimitër Anagnosti apo Piro Milkani të cilët e kanë pasur Vasillaq Vangjelin në filmat e tyre. Personazhet e tij, rreth njëqind, kanë qenë si tragjike ashtu edhe komike. Mbi të gjithë spikat roli i Koçit në filmin “Zonja nga qyteti”.
Nuk harrohen rolet në “Shoku ynë Tili”, “Toka e përgjakur”, “Pylli i Lirisë apo në komeditë “Pa martuar 50-vjeçar”, “Dashi pa brirë” apo “Gjuetia e Fundit”. Për meritat e tij artistike Vasillaq Vangjeli ka qenë dekoruar me urdhrin “Naim Frashëri” i klasit të parë.
http://www.youtube.com/watch?v=1yBR-hCFjEw