in

Ekzekutim me armë zjarri në mes të Tiranës

Vritet Arjan Selimi (i njohur edhe me emrin Armando Andoni), i dënuar nga drejtësia shqiptare, (por edhe i hetuar nga ajo italiane dhe amerikane) për trafikim lëndësh narkotike. Mbetet i plagosur Klevis Kola, 20 vjeç. Për zbardhjen e vrasjes ngrihet një grup i posaçëm hetimor

Tiranë, 27 shtator 2011 – Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e e djeshme në zonë pranë ish parkut të autobusëve në Tiranë, ku është vrarë me armë zjarri 37 vjeçari, Arjan Selimi ndërsa ka mbetur i plagosur edhe një 20 vjeçar, Klevis Kola.

Menjëherë në vendngjarje, kanë mbërritur forca të shumta të policisë si dhe kreu i Drejtorisë së Policisë së Tiranës, Sajmir Muça. Burime zyrtare nga policia e Tiranës bënë të ditur sot se, mbrëmë rreth orës 19.20’, në rrugën “Stavri Themeli”, është vrarë me armë zjarri, shtetasi Arjan Selimi (Armand Andoni),  37 vjeç, banues në Tiranë, i proceduar më parë për veprën penale “Trafikim të lëndëve narkotike”, si dhe është plagosur Klevis Paulin Kola, 20 vjeç, banues në Tiranë.

Menjëherë është formuar grupi i posaçëm hetimor, i cili kreu veprimet e para hetimore dhe procedurale duke shoqëruar dhe pyetur persona që kanë dijeni për këtë ngjarje.

Policia sqaroi se, 20 vjeçari Klevis Kola, i cili ishte kalimtar në vendngjarje, aktualisht ndodhen nën kujdesin e mjekëve në Spitalin Ushtarak Tiranë dhe është jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkohë që forcat e policisë që  këqyrën vendin e  ngjarjes, gjetën atje 20 copë gëzhoja mod.56, kal.7.62 mm.

Tashmë, policia në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë po punojnë intensivisht për zbardhjen e motiveve të kësaj ngjarje si dhe identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Arjan Selimi, ishte një prej tetë të arrestuarve të operacionit antidroge,  të koduar “Kompas”, i zhvilluar më 23 qershor të vitit 2004 në Shqipëri.  Më 7 maj 2010, një Kolegj Penal i Gjykatës së Lartë,  prishi një vendim të Gjykatës së Apelit dhe të Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, që dënonin me 14 dhe 16 vjet burg Arjan Selimin (Armand Andonin), për akuzën e trafikut të narkotikëve me pretendimin për një sërë shkeljesh procedurale. Në këto kushte, çështja ndaj tij ishte rikthyer gjykim në Gjykatën e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda dhe Selimi ishte në arrest shtëpie.

Ndahet nga jeta aktori Vasillaq Vangjeli

Rrëfen Sokol Koçiu, me Selimin deri pak çaste para se ta vrisnin