in

Shqiptarët luajnë me “ilaçin” kundër kancerit

Jepet si luftues i kancerit, por në një numër vendesh është i ndaluar. Mjekët janë të shqetësuar për “Vidatox”

Sapo merr pensionin mujor, Jolanda Kena nxiton për në farmaci. Eshtë 61 vjeçe dhe mjekët e kanë diagnostikuar me kancer në mitër para katër muajsh. Ka vendosur të kurohet vetë me atë që e quan si ‘ilaç të mrekullueshëm”, Vidatoksin.

“Në fakt, nuk është një ilaç i vërtetë. Është vaj akrepi. Disa thonë se mund të më ndihmojë të kuroj sëmundjen. E kam zgjedhur këtë mjekim, por në të njëjtën kohë vazhdoj edhe kimioterapinë,” thotë Kena për SETimes.

Ekziston një debat në Shqipëri mes onkologëve në lidhje me shitjen e Vidatoksit. Shitja e produktit është e ndaluar në Shtetet e Bashkuara dhe në BE, por përdorimi i produkteve dhe mjekimeve homeopatikë në Shqipëri është kryesisht i parregulluar.

Duke folur për SETimes, Thoma Jançe, administratori i ndërmarrjes Pharma-Matrix e cila tregton ilaçin, shpjegon se Vidatoksi është një produkt krejtësisht natyral i prodhuar në Kubë. “Lufton qelizat e tumorit dhe ka një dozë shumë të vogël helmi të akrepit blu,” thotë ai.

“Nuk mund të them se mund të zëvendësojë kimioterapinë apo të bëjë mrekulli. Por, është përdorur në 10.000 persona dhe tani është verifikuar se mund të pakësojë masat e tumorit. Një prej këtyre shembujve jam unë vetë”.

Vidatoksi hyri në tregun shqiptar vetëm dy muaj më parë dhe autoritetet shtetërore u kapën të papërgatitur nga çështjet ligjore.

“Vidatoxi nuk është ilaç i regjistruar në Shqipëri dhe lista rregullatore e ilaçeve nuk përmban asnjë produkt të homeopatisë. Duhet të kuptojmë nëse ky produkt sjell efektet për të cilat është reklamuar apo nëse është një mashtrim i pastër. Nga ana tjetër, nuk mund të ndalojmë përdorimin nga dikush të ilaçeve tradicionale,” thotë për SETimes Ahmet Hysa, drejtor i Drejtorisë Farmaceutike në Ministrinë e Shëndetësisë.

Ndërkohë që autoritetet punojnë për të verifikuar dokumentacionin, Urdhri i Mjekut, një agjenci që vepron për llogari të ministrisë së shëndetësisë, ka pezulluar dy mjekë, Aurora Skënderi dhe Melinda Agolli, që kanë rekomanduar përdorimin e Vidatoksit.

Asnjëra prej tyre nuk ishte e liçensuar nga ministria, një procedurë që kërkohet për të gjithë ata që dëshirojnë të praktikojnë profesionin e mjekut. Të dyja mjeket thonë se ishin trajnuar nga kolegë kubanë përpara se t’u rekomandonin Vidatoksn pacientëve të tyre.

Zyrtarët e Institutit Alb-Shkenca këshillojnë të gjithë pacientët që të jenë të kujdesshëm, madje edhe skeptikë me këtë terapi të re.

Profesor Niko Qafoku dhe Dr. Altin Stafa thonë për SETimes “Tani, nuk ka asnjë kërkim shkencor të publikuar në ndonjë revistë prestigjioze mjekësore që ilustron mekanizmin funksionues të kësaj substance. Prodhuesit e Vidatoksit nuk ofruan ndonjë provë të qartë eksperimentale klinike apo shkencore të substancës.”

Ndërsa debati vazhdon, Vidatoksi është duke u shitur në farmaci. Një shishe 30 ml shitet për 98 euro. Pacientë si Kena e konsiderojnë atë të vlefshëm, nëse jo për anën fizike, të paktën për anën psikologjike. Vetëm koha do të tregojë nëse ajo ka bërë zgjedhjen e duhur.

Nga Erl Murati për Southeast European Times
Southeast European Times Southeast European Times është një burim qendror lajmesh dhe informacioni rreth Evropës Juglindore në dhjetë gjuhë. Financohet nga Komanda Evropiane e SHBA, komanda e përbashkët ushtarake përgjegjëse për operacionet e SHBA në 52 vende.
 

 

29 urdhër arrestesh për trafik droge, nga të cilët 7 për shqiptarë

Marrëveshja e integrimit. Nga viti 2012, lejeqëndrimi me pikë