in

Kur legistët e fshatit diskriminojnë dhe shqetësojnë amerikanët …

Mes kabllogrameve të nxjerra në dritë nga Wikileaks është edhe një që i kushtohet idesë së integrimit që ka administrata lokale e Alzano Lombardos. Ku këshilli i drejtuar nga Lega donte t’u jepte ndihma vetëm italianëve

Romë 28 shtator 2011 – që politikat e imigracionit në Itali shpesh tërheqin vëmendjen në rang ndërkombëtar, është logjike dhe e natyrshme. Por gjithsesi bën përshtypje të zbulosh që zgjedhjet diskriminuese të të legistëve të një komune të vogël të Bergamos kanë ngjallur interesin e diplomacisë amerikane.

E nxjerr në dritë (si shumë e shumë të tjera) Wikileaks, që ka botuar një kabllogram të rezervuar, të dërguar  Uashingtonit  më 5 janar 2010 nga konsullata amerikane në Milano. Përmban një analizë mbi “rrugëtimet divergjente të integrimit në Italinë e Veriut”, që nis me vendimin e komunës së Torinos për eksperimentimin e pranimit në shërbimin civil edhe të brezave të dytë, bijve të imigrantëve pa shtetësi italiane.

Por më pas, diplomatët tregojnë çfarë ndodh në Alzano Lombardo, fshat në provincën e Bergamos që nga Torino “është vetëm dy orë udhëtim më në lindje, por shumë më në të djathtë politikisht”, ku “kryetari i komunës Roberto Anelli, anëtar i Legës së Veriut, po promovon një rrugë tjetër integrimi”. Që shpaloset në një paketë lehtësimesh për çiftet që shkojnë të jetojnë në qendrën historike, nga parkingu falas e deri të lehtësimet për kreditë.

“Italianët në Alzano Lombardo pakësohen, ndërsa komuniteti i huaj ka shkuar në 14% të popullsisë” dhe “jetojnë kryesisht në qendrën historike” kujton konsullata. Është për këtë arsye që Anelli dhe administrata e tij vendosin që lehtësimet të vlejnë vetëm për çiftet e reja të formuara nga italianë, për më tepër, rezidentë prej të paktën tre vjetësh në fshat. Zgjedhje integrimi, shpjegon administrata legiste, e bërë për të evituar transformimin në geto të qendrës.  

“Administruesit e Alzanos, – komentojnë amerikanët – në emër të integrimit, kanë zgjedhur rrugën e përjashtimit më shumë se atë të përfshirjes. Fatmirësisht kjo praktikë nuk ndiqet shpesh, të paktën në qytetet e mëdha. Në ato më të vogla, në Veneto dhe në Lombardi, atdheun e Legës, retorika dhe aksionet reflektojnë gjithnjë e më shumë qëndrimet e kahut më ekstremist anti-imigrantë të partisë”.

Sa për kronikën, legistët e Alzanos bënë prapakthehu, jo për shkak të kritikave të amerikanëve, por sepse gjykatësit italianë i detyruan. Në korrik 2010 një sentencë e gjykatës së Bergamos konsideroi diskriminues kriterin e shtetësisë. Ndërkaq, kryetari i komunës, Anelli, duke parashikuar rezultatin e çështjes gjyqësore, kishte modifikuar rregulloren, duke zëvendësuar kriterin e shtetësisë italiane me atë (gjithnjë i dyshimtë mbetet) të rezidencës në Itali prej të paktën dhjetë vjetëve.

Elvio Pasca

 

Aksident rrugor. Humbasin jetën dy të rinj shqiptarë

Pasaporta të reja në Romë e Milano