Nis Censimenti 2011, për të dhënë fotografinë e përditësuar të popullsisë. As fe e as kombësi mes dhjetëra pyetjeve. Përgjigjet e pyetësorit duhet të jepen brenda 20 nëntorit
Ku ke lindur? Sa kohë të duhet për të shkuar në punë? Në shtëpi përdor kondicionatorin e ajrit? Janë disa nga pyetjet e “Censimentit të përgjithshëm të popullsisë dhe shtëpive 2011”, që nis këto ditë Instituti italian i statistikave për të dhënë fotografinë e sotme të Italisë dhe të banorëve të saj, italianë dhe imigrantë. Të gjithë shqiptarët të rrinë të qetë: do të kërkojnë më kot në pyetësorin pyetje mbi kombësinë dhe fenë. Nuk gjenden. Për një arsye të thjeshtë. “Në Itali është e ndaluar nga kushtetuta që këto dy çështje t’i nënshtrohen pyetësorit të censimentit” na shpjegon Giuseppe Stassi, Shef i Shërbimeve të Censimenteve ISTAT, në një intervistë që ditët e ardhshme do të gjeni të plotë në Shqiptariiitalise.com.
Censimenti është një takim dhjetëvjeçar që kush ka qenë këtu në vitin 2001 e ka përjetuar njëherë, por në krahasim me edicionet e shkuara, ky i këtij viti sjell disa risi qoftë në mënyrën e organizimit, qoftë në përmbajtjen e pyetjeve. Ka ndryshuar, për shembull, mënyra e shpërndarjes së pyetësorëve, që nuk do të bëhet me ardhjen e një personi të autorizuar derë më derë, por me postë. Është shtuar gjithashtu, përveç përpilimit në letër, edhe mundësia e përgjigjes on line, duke u lidhur në internet.
Kush zgjedh të përmbushë formularin me kartë e penë, duhet ta dorëzojë atë nga data 9 tetor deri më 20 nëntor në një zyrë poste apo në një nga qendrat e mbledhjes së pyetësorëve të ngritura në çdo komunë. Kush dëshiron të bëjë gjithçka nga kompjuteri i shtëpisë duhet të lidhet në internet gjatë të njëjtës periudhë, në sitin e Censimentit: http://censimentopopolazione.istat.it, duke futur fjalëkalimin që gjen të shtypur në pyetësorin që i mbërrin në shtëpi.
Pyetjet e censimentit janë mjaft të thjeshta, por sidoqoftë çdo pyetësori i është bashkangjitur një udhëzues për përpilimin si edhe është vënë në funksionim një numër i gjelbër falas 800.069.701. Në sitin e Censimentit po vihen në dispozicion edhe udhëzimet në 19 gjuhë të ndryshme, përfshirë shqipen, që mbulojnë 80-90% të të gjithë imigrantëve në Itali. Por kush has vështirësi mund të shkojë e të kërkojë ndihmën e personelit të qendrave të mbledhjes së pyetësorëve. “Në Censimentin e vitit 1991 të huajt e pranishëm në Itali ishin vetëm 400 mijë, në vitin 2001 diçka më shumë se 1.300.000 ndërsa më 1 janar 2010 rezultonin të regjistruar në zyrat e Gjendjes Civile 4.200.000, e sot duhet të jenë akoma më shumë. Kështu që – shpjegon shpjegon Giuseppe Stassi, – është detyrë e jona t’u japim atyre maksimumin e asistencës në mënyrë që ata të mund të përmbushin këtë detyrim qytetar”.
T’i përgjigjesh Censimentit është një detyrim i parashikuar me ligj, kush nuk e bën rrezikon deri në dy mijë euro gjobë, por sidoqoftë edhe të vonuarve do t’u jepet një shanc i dytë. Nga data 21 nëntor, një ushtri e tërë prej 60 mijë operatorësh do të shkojë shtëpi më shtëpi për të mbledhur pyetësorët që nuk janë dorëzuar si dhe do të kontaktojë familjet që nuk janë të pranishme në listat e Gjendjes Civile të cilave nuk u ka mbërritur asgjë me postë.
“Jepi përgjigje të ardhmes tënde” thuhet në fushatën që reklamon Censimentin. “Pjesëmarrja ndihmon për të njohur saktë karakteristikat e shoqërisë tonë dhe të territorit ku jetojmë, me qëllim që të merren vendimet më të drejta për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për të gjithë” shpjegon presidenti i institutit ISTAT, Enrico Giovannini.
Stranieriinitalia.it